Flamur Noka: “PD-ja s’rrëzon dot një bunker, jo më qeverinë!”
Para pak ditësh, në bulevardin e vetëm që kemi në kryeqytet, u zhvillua protesta e opozitës. Aty, përpara Kryeministrisë, takova edhe deputetin e PD-së, zotin Flamur Noka…
Kaso Kosa: – Zoti Noka! Zoti Nokaaaa! Po ju bërtas, jo se jam tip arrogant, por meqë ka kallaballëk të madh e ndryshe s’më dëgjoni. Si po ju shkon protesta?
Flamur Noka: – Kasooooo, si je mër burrë? A je mir a? Komplimente që u bashkove me ne. Më bëhet qejfi që po më thua se e ke kënaqësi që merr pjesë në këtë protestë.
– Zoti Noka, nuk thashë që e kam kënaqësi. Thashë: “Si po ju shkon protesta?”…
– Aaaa, kuptova, Kaso! Keq po na shkon, nuk e shikon? Besoj se e dëgjove fjalimin e zotit Basha…
– Me thënë të drejtën, nuk e dëgjova se sapo erdha. Ç’tha zoti Basha?
– Tha ç’i kishin shkruar, por s’është çështja këtu, se të gjithë ne ato që na shkruajnë themi. E kam llafin, Kaso, që zotit Basha nuk i punon mirë…
– Zoti Noka, mos u fusni në punët private, ju lutem. Pastaj, ku e dini ju që s’i punon mirë zotit Basha?! Se mos keni bërë analizat e impotencës ju!
– Kasoooo! Nuk e kisha tek ajo që mendon. Ta kisha fjalën mo burrë mo, që s’i punon mirë fyti. Mbajti sa mbajti dhe plasi. Në fund, stonoi.
– Po përse ndodhi kështu?
– Na i kishin vjedhur vezët ish-të përndjekurit, Kaso.
– Vezët?!
– Dëgjomë, Kaso! U mblodhëm përpara një muaji ne paria e PD-së dhe vendosëm për një trajtim të veçantë të zotit Basha, duke parë precedentët e tij të mëparshëm. Pra, duke marrë parasysh faktin se nuk i punon rryli i fytit më tepër se 5 minuta, vendosëm: Zoti Basha të pijë vezë fshati çdo vakt, madje, vezë më dy të verdha. Mirëpo vezët na i vodhën. Na i vodhën të përndjekurit dhe këtë ta jap me përgjegjësi të plotë, se jam edhe nënkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
– E ç’u duheshin të përndjekurve vezët?
– I përdornin në hyrje të parlamentit, Kaso. Qëllonin me vezë makinat që futeshin brenda.
– Zoti Noka, po më habisni vërtet. Po pse, mor burrë, nuk blinin dot vezë në dyqan ata, por do të vidhnin vezët e partisë tuaj!? Dhe të cilës: Të partisë që të përndjekurit kurrë nuk i ka përndjekur?
– Këtu, pra, qëllon problemi, Kaso. S’u kemi dhënë kompensim për vitet e burgut dhe ata meqë s’kishin lekë të blinin vezë, na i morën vezët neve. Ne kujtonim se kur ia hidhnin Ramës, kishin vezët e tyre ata. Do ti, na i kishin marrë neve?!
– Po ju, si njeri i sigurisë, nuk mundët t’i kuptonit?
– Si t’i kuptoja, ja më thue mua ti?! Ata, vezët e fshatit që kishim në frigoriferin e partisë, i zevendësuan me vezë pularie. Pra, në shifra njëlloj më dilnin kur i numëroja. Kjo gjë na e mori në qafë Bashën, që i iku zëri fare, aty nga fundi. Ore, unë nuk e kam hallin te Luli. E kam hallin se mos e merr vesh Doktori që më kanë ndërruar vezët dhe më gjen belaja. Këtë vetëm ty po ta them. Tani ika, Kaso. Takohemi pas 1 ore, se do nisemi të rrëzojmë bunkerin që është ndërtuar përpara Ministrisë së Brendshme.
(Pas nja 2 orësh, zotin Noka e takova përsëri. Këtë radhë ishte i pikëlluar)
– Zoti Noka ju pashë me flamur të PD-së në dorë afër bunkerit. Pashë që shumë simpatizantë po i binin ta thyenin, por s’ia dolën. Përse?
– E, mo Kaso! Më mbeti flamuri në dorë, më mbeti. “Ti Flamur mbaj flamurin”, më tha Sala. Dhe e mbajta. Po kot që e mbajta.
– More vërtet, si nuk mundët të rrëzonit dot një bunker?
– Me kë të rrëzojmë bunker, Kaso?! Me të mbaruarit që kanë mbetur në PD?!
– Të merrnit nja 2-3 veta nga Kukësi zoti Noka dhe e bënin ata fërtele.
– Ku t’i gjej kuksianët, Kaso? Kanë ikur të gjithë në Gjermani. Vetëm unë, Safet Gjici dhe ca të tjerë kemi mbetur.
– Po merrnit ca nga komuniteti rom. E bënin ata përshesh për 15 minuta!
– Dëgjomë Kaso, se po më hap një plagë organizative te partisë sonë me këtë që the. Romët s’janë me PD-në. Ata janë me PS-në. Ata akoma i janë borxhli Enverit: Sa herë shkojmë ne t’u flasim që t’i bashkohen partisë sonë, ata fillojnë të këndojnë këngën: Rroft’ partia! Rroft’ Enveri! Se Mehmeti desh na theri. Dhe ne, meqë kemi Kastriot Islamin, na quajnë si të Mehmetit…
– Po si do t’ia bëni, zoti Noka? Kur do ta rrëzoni qeverinë?
– O Kasoooo! Ne s’rrëzojmë dot një bunker, jo më të rrëzojmë qeverinë!
Bisedoi me shaka KASO KOSA