Në sytë e tu shoh gjithë botën
Në sytë e tu shoh qiellin vetë
Gëzohem kur aty çel pranvera
Trishtohem kur mblidhen retë
Je ende i vogël, biri im
Ditëlindjet i pret me gëzim
Unë them prit edhe ca pa rritu
Ti do të ngrihesh fluturim
S’më mbetet tjetër veç të shoqëroj
Në udhëtimin tënd të parë
me zemër dridhur, me lot në sy
me frikën se do jemi të ndarë
Unë jetën time pa ty s’e dua
por di që ti nuk më përket
ah sikur të më merrje edhe mua
në horizont ku dalin retë
Të mbroja doja nga çdo e keqe
nga çdo problem edhe trishtim
nën krahët e mi të të strehoja
si kur ishe i vogël, biri im
Po di që kjo nuk është e mundur
ndaj zemrën time merre dhuratë
sa herë të duash më thërrit
dhe mua do të më kesh pranë
Dielli të ndriçoftë ty rrugën
qiellin e kapsh ti me dorë
vesa njomtë buzët e tua
yjet t’u bëfshin kurorë