Nga unë Flamur Bërdëllima urime për ju…

– Dhe kryeurimi: Rrofsh u futboll, që je një mundësi për gëzim dhe krenari. Edhe nën ujë, ne themi (dhe me shpirt): Rrofsh Kombëtarja e Shqipërisë! Unë shtoj: Të përqafoj fort ty Lut Nuri, aq i sinqertë në gëzimin tënd!

– Më the një gjë të bukur, shoqja ime e fëmijërisë Vera Dilaveri: “Kur je vetëm (në lëvizjen andej nga liqeni, është fjala), je i lirë dhe liria është e shtrenjtë. E moj Vera! Gocë kinge ngele, edhe tani që nuk je aq e re e që ke vajzat në moshën për t’u bërë nëna. Ti, aq e dlirë dhe bashkëshortja e mikut tim, të ndjerit A. Kollazi, një figurë aq e shquar e arsimit. Të përqafoj fort, Vera! Mos iu ndaj liqenit, ku jeta të bëhet më e bukur!

– U gëzova shumë kur të pashë ty, e dashur Arreti, mëngjesin e datës 6.10.2015, andej nga liqeni. Ndofta je veterane e lëvizjes andej, por unë, në të vërtetë, kam parë dhe përshëndetur vetëm Omerin. Gjithsesi, nuk ka rëndësi a të kam parë unë, po që edhe ti je e përfshirë në atë që disa e quajnë “Lëvizja për cilësinë e jetës”. Ti, që ke ruajtur, po atë nur femre dhe që të duan studentët që pyes, kur vjen rasti. Gjithsesi, të uroj si ty, si Omerit, gjithë të mirat që një jetë mund t’i japë një çifti të mrekullueshëm pedagogësh, si ju. Të përqafoj fort dhe urime edhe fëmijëve.

– Dhe ja… kur kthehesh, ti, peshkatari i vetëm i shkollës sonë! Ish-muratori Nexhmi Bono, që të hiqte kapelen i gjithë “21 dhjetori”, tani ke dekada të tjera që je dashuruar me liqenin dhe peshkimin atje. Orë, orë dhe prapë orë durimi. Kape, nuk kape, kjo nuk ka rëndësi. Është sporti, është diçka që është në themel të gjithçkaje dhe ti do ta bësh të dridhet në grepin tënd. Po, Nexho, të respektoj shumë kur kthehesh, ashtu qetë-qetë, me çantën e zezë në shpinë dhe çadrën në dorë. Patjetër, edhe kapelen republika. Të përqafoj fort, njeri i mrekullueshëm, ti gjysh i 10 nipave dhe mbesave. Urime, i palodhur Nexho!

– … Dhe ja ku u shfaqe prapë, por tani jo më në TVSH, tek Agoni, jo e jo, por te Top Channel. Je ti, Anjeza Maja, që të admiroj qëkur u shpalle Miss Tirana. Duket që përmes gazetarisë (dhe vetëm asaj, pavarësisht natyrës së emisionit), kërkon të bëhesh pjesë e “shpirtit të kohës”, por nuk harroj të të komplimentoj edhe për këmbët aq të bukura. Epo, ja që i ke dhe plastë ai që nuk di t’i shohë! Unë për vete kënaqem, edhe pse tani nuk i ekspozon më aq shpesh, se rri pas tavolinave dhe jo në skenë. Paç suksese kudo, Anjeza Maja, me zërin si mjaltë! Më pëlqen fort edhe titulli i emisionit “Në shtëpinë tonë”, që më kujton një mikun tim, regjisor të madh.

– Moratoriumi i pyjeve! Ti, gjithnjë më befason, i dashur Lefter Koka! Ky moratorium 10 vjeçar, do të jetë në praktikën jetësore (operacioni) dhe atë ekonomike të mirëfilltë. Para për buxhetin, një dukuri më e rëndësishme se vetë Fierza. E theksoj, më e rëndësishme se vetë prania e hidrocentralit më të fuqishëm që kemi! O Zot, çfarë masakre i kanë bërë këtij vendi me pyjet! Pas urimit për rivitalizimin e liqeneve të Lurës, ja ku vjen dhe ky urim i dytë, për ty Lefter, gjithë stafin e ministrisë me godinë të re dhe punonjësve atje poshtë, ku pylli merr frymë dhe ofron jetë! Urime, edhe një herë!

– Diku te libri “Fenomenologjia e Shpirtit” e Hegelit, kam lexuar se intelekti i ngulit, si një damkë, kategoritë e tij. Dhe kategoria “Familja”, duket se hyn te gjërat e tua të shenjta, e dashur Zhaneta Saliu. Unë kërkova Noelin, po ajo paskësh shkuar në Itali, te vëllai yt, se kishte 25 vjetorin e martesës. E uroj nga zemra! Po, nuk më hiqet nga mendja edhe episodi për një familje punëtorësh, që mund të prishej, por ti, si nënë, motër, juriste dhe një ndihmë vendimtare! Ishte data 8.10.2015, kur ma tregove këtë detaj. Ç’të them për ty, Zhaneta, që të ka “dënuar” Zoti të jesh një yll i ndritur i fisnikërisë?! Dhe, për t’u kthyer prapë te Hegeli: Te ti, thelbi dhe dukja kanë një raport aq harmonik. Të përqafoj fort njeri i mrekullueshëm i Durrësit dhe jo vetëm.

– Para disa muajsh nuk e kishe atë rreth në dorë e dashur inxhiniere Ada, aty te “Moxarela”. Po ja, me datë 8.10.2015 ajo ishte aty. Ti, durrsakja “bio” ishe bërë grua. Ti, aq e bukur dhe e rezervuar, meriton një bashkëshort të fortë, të vendosur, të patrembur, besnik deri në vdekje, burrëror dhe të prerë. I njoh tipat si ti; kjo u sjell lumturinë. Uroj që kur të vijë herën tjetër te “Moxarela” të jesh me barkun te buza, si thotë fjala, e nderuara gocë aq e edukuar. Ada, inxhinieria e fabrikës, urime!

– Nga inxhinier i spikatur ndërtimi… tek agrobiznesi i kumbullave të thata. Kjo mua më ngroh pa masë, i dashur Tos Pustina. Jam duke lexuar një libër, ku flitet për një balenë të bardhë që kapiteni Ahab, e ndjek në të gjithë oqeanet e botës. Thelbi është, se njeriu për nga natyra kërkon të shikojë, ku janë limitet e tij. Kur them “Njeriu”, nuk kam parasysh atë që rri gjithë ditën në klub duke llapur, po guximtarin, vizionarin. Kështu e shoh unë këtë punën e kumbullave të tua: Po si bukë goje, po si kontroll të limiteve, të aftësive. Për Zotin, të përqafoj fort Tosi! Ty edhe Teon që është aq i devotshëm dhe besnik!

Kishe mbetur siç të kam njohur edhe dekada më parë, i dashur mik dhe koleg Sejdin Cekani. U kënaqa kur të pashë, me po atë ecje plot meditim. Në fakt, fjalë shumë të mira dëgjova për ty edhe nga Arlinda Duda. Kjo vajzë (grua), që për nga kultura letrare më kujton Pirro Mishën, është edhe kaq njerëzore në vlerësimin e kolegeve. Por, që të kthehem te ti: Puthi fort juristet e ardhshme (vajzat e tua), me të cilat të ka bekuar Zoti. Të përqafoj fort, Sejdin!

– Unë jam takuar vetëm një herë me ty, i nderuar Zef Çupi, aty te resorti “Roman”, edhe pse me prunë dy njerëz që e kanë në gjak qylin… Por, që atëherë, ka kaluar shumë kohë. Para ca ditësh, të pashë tek emisioni i Bejto Malos, emision që i ka kthyer nurin TV Shijakut, me personazhet që sjell. Dhe ti ishe aty Zef, ti kampioni i mundjes, që më kujton shokun tim Abedin Lame, por edhe dietologu aq i përgatitur. Sinqerisht, shkencëtar i vërtetë. Mua më mrekullojnë njerëz si ti Zef, që kur duhet kanë butësinë, përkujdesjen, por edhe rreptësinë. Thelbi i dashurisë për njeriun mund të shfaqet në mënyra të ndryshme. Epo urime Zef Çupi! Kur të kaloj nga Plepat, do të vij të pi një kafe.

– Në fakt unë njoh edhe një kuksian me emrin Flamur Hoxha, djalë king, po këtë radhë i kam për ty Flamur Hoxha, nga Stajka e Shkodrës, që po merr mbi vete rriskun e mbjelljes së pemës-çudi: Paulonës. Ti ke edhe biznes asfalti, por ja që guxon. Po nuk pate guxim, mos iu fut një pune. Noti mësohet në thellësi, jo në breg. Ja, për këtë, për guximin për të prurë diçka të re, të uroj i dashur adash. Kur të vij të takoj M. Babanin dhe Rrok Zef Hilen e lokalit “D’Angelo”, do ta pi me qejf me ty një kafe. Të përqafoj, njeri i punës!

 

Pershendes zemren time Nardin që e dua shumë. Nga Xhelozja e tij.

Përshëndes z. Durims Sosurin, z Bashkimin, Sajmirin, Rildin, Jetmirin, Florën, Lozonjaren, Lorenen, Ellen, Nënën Violen, Anen, Garipin, Denisen, Klaren, Dorinen etj. që janë pjesë e rubrikës pyetje-pergjigje. Ju uroj një fundjavë te bukur dhe te kendshme. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

Një përshëndetje te veçantë e bej për autorin Bledi Yllin, Alban Arapin, Aida Prevezin, Luljeta Pacollarin, Ylli Jahon etj., që janë pjesë e rubrikës “Poezia juaj”. Urime dhe komplimente për poezitë tuaja. Ju uroj një fundjavë të këndshme juve dhe familjeve tuaja. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

Nje përshëndetje e bëj për shkrimtarin Flamur Bërdëllima. I uroj një fundjavë të këndshme zotit Flamur dhe familjes së tij. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *