Në udhëkryq…
Jam Xheni, 31 vjeç nga Tirana. Kam parë që në gazeten tuaj keni botuar shpesh letra nga lexues qe kerkojne mendimin e lexuesve të tjerë për dilema që nuk i japin dot zgjidhje. Një dilemë të tillë e kam edhe unë këto ditë…
Para disa javësh fillova punë në një firmë. Puna me pëlqente se isha në profesionin tim të cilin e adhuroj. Edhe njerëzit përreth më pëlqenin, ishin të sjellshëm, e aspak problematikë. E vetmja gjë që më shqetësonte pak ishte pergjegjësi i zyrës sime, nga i cili varesha direkt, që, qysh në fillim, në ditën e parë, më shprehu simpatinë e tij dhe kërkoi të afrohej me mua. Dua t’ju them se unë jam e martuar dhe me burrin shkoj në përgjithësi mirë. Edhe ai nga sa më tha më vonë, ishte martuar. Përditë mundohesha që ta largoja, e të krijoja distancë, i flisja me “ju”, tregohesha e ftohtë etj, etj, por ai insistonte.
Para disa ditësh më tha se do të largohej nga kompania jonë dhe do të fillonte punë në një pozicion shumë të lartë në një dikaster. “Epo shyqyr thashë me vehte, shpëtova…”. Dhe disa ditë ai nuk u ndje. Derisa një mëngjes më mori në telefon, erdhi te ish-zyra dhe më ftoi për kafe. Kam menduar për ty, më tha. Do të fillosh punë me mua, si… Ishte një pozicion shumë i lartë që unë as e kisha ëndërruar. Dhe rroga ishte shumë e lartë, dyfishi i asaj që marr sot .Të them të drejtën, u tundova. Mendova se mund të filloja punë dhe të mos i jepesha atij, të cilin, të them të drejtën, as e pëlqeja, por as e urreja.
Fola me burrin tim, por ai nuk ishte dakord. “Me siguri ai do të të mbajë si dashnore, më tha, se nuk pyet njeri sesi do të bësh punën. Gjithë burrat shefa i zgjedhin vartëset vetëm për seks…. Nuk u mudndova ta kundërshtoj sepse “e kishte mendjen top”. Ndaj mendova ta ndaja edhe unë dilemën time me lexuesit. Çfarë të bëj? Të shkoj në punën e re që më hap një prespektivë e karriere të mrekullueshme, apo të rri aty ku jam? Gjithë të mirat. Xheni