kristina marku kristina marku (2)Kristina Marku vjen këtë herë, jo vetëm me një këngë shumë të bukur, sigurisht të trevave të veriut, me titull “Bjeri djalo çiftelisë” tekstin e së cilës e ka bërë vetë, por edhe më një set fotosh të reja, të cilat sjellin te publiku një Kristinë akoma më të bukur e më fisnike…

Fabjola Kuburi: – Kristina, kohët e fundit, këngëtarët tanë janë më të predispozuar për të sjellë shumë klipe e mes tyre edhe ti… Pse?
Kristina Marku: – Kam përshtypjen se kjo ndodh për arsye se gjithçka është e lidhur me anën vizuale, Facebook, Youtube, televizion e në të tjera si këto. Njerëzit kërkojnë zërin, por edhe figurën, performancën.
– Nëse ndodh të mos kesh koncert, sepse di që je e ftuar në shumë të tillë, çfarë rrjedhe ndjek një ditë e jotja?
– Ditë normale, si e gjithë njerëzve normalë, me përkujdesje ndaj familjes.
– Mban mend ndonjë ngjarje nga koncertet apo vendet ku ke qenë e ftuar për të kënduar, që ka qenë për të mos u harruar asnjëherë?
– Kam qenë e ftuar një fundjavë në Austri para një viti e gjysmë dhe isha aq e sëmurë, sa nuk duroja dot as dridhjen e avionit, por s’desha të anuloja koncertin, për të mos bërë figurë të keqe. Isha aq në ankth dhe e mërzitur se si do të arrija të këndoja në atë gjendje. E mendova të këndoja tre ose katër këngë dhe më pas dhe do t’ia lija ndonjë kolegut tim ta vazhdonte, mirëpo nga atmosfera e mrekullueshme që u krijua aty, unë këndova rreth tre orë pa ndërprerje, a thua se nuk kisha qenë aspak sëmurë. Unë besoj te mrekullitë!
– Për kë i bën këngët Kristina?
– Këngët e mia i kam sjellë dhe do të vazhdoj t’i sjell për publikun, i cili nuk lodhet asnjëherë duke më mbështetur. Pa mbështetjen e tyre, s’do të isha kjo që jam.
– Me cilën ose me cilat këngë je shumë e lidhur?
– “7 bajrakë s’bashku përjetë” me mbi 600 mijë shikime, më dha një tjetër dimension si këngëtare. Këngët janë si fëmijët për nënën. Të gjitha i dua, por kjo këngë ngelet një hit i padiskutueshëm edhe për arsyen madhore se unë këndoj për Pukën time, që do ta dua derisa të vdes.
– Në ç’aspekt përpiqesh të ushtrosh kontroll mbi veten?
– Kontroll ushtroj në mënyrën e jetesës, jam e rregullt dhe dua rregull në jetën time, nuk abuzoj me gjëra të dëmshme, pa mohuar ndonjë rast të rrallë, së në fund të fundit, njerëz jemi. (Buzëqesh)
– Je e lumtur me zgjedhjet që ke bërë deri më tani?
– Përgjithësisht po, por njeriu nuk është asnjëherë i kënaqur maksimalisht. Unë e quaj veten një femër të realizuar 80% në jetë, si profesionalisht, ashtu edhe personalisht.
– Rrjedh nga një vend artistësh si Puka. Je krenare që je pukjane?
– Puka është shquar për një plejadë artistësh dhe grupesh artistike, për zëra brilantë dhe me shumë prej tyre kam qenë së bashku në skenë. Këta janë: Fran Pali, Zoje Pali, Dava Gjergji, Fran Gjoka, Vitore Rusha, Vitore Matoshi, Perlat Sheqeri, Nikoll Cara, Gjovalin Nikolli, Vera Peci, Anjeza Ndoj, Lili Gjidodaj, Gentjan Dema, si dhe djemtë që merren me hip-hop, G-Bani. Po ashtu, janë njohur dhe njihen për orkestrime popullore artistët Ndue Shyti, Frrok Haxhia, Pjetër Nimani, Gjovalin Ndreca, Fran Zefi, Petrit Gega, Viktor Shahini, Sadri Lleshi, Nikolin Qafa, Milazim Sadria si dhe Frrok Dodaj, instrumentist. Nuk mund të mos përmend këtu edhe artistin, aktorin, dizajnerin dhe poetin e shumë hiteve, Gjovalin Dushaj, kompozitoren e madhe Sabrie Nushi, poetin Fran Vukaj e Ndrec Mustafa, si edhe koreografin e talentuar Riza Hoxha. Jam shumë krenare për gjithë artistët që ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë Puka ime.
– Cila është gjëja më e bukur që të ka ndodhur në karrierën muzikore?
– Çmimi që më ka dhënë publiku me shikueshmërinë e lartë, relativisht edhe ftesat e bollshme për mbrëmje dhe gëzime familjare.
– Tashmë, i gjithë procesi: realizim këngësh, xhirime klipesh apo pjesëmarrje në koncerte është kthyer në pjesë të rutinës apo vazhdon të jetë pjesë e kënaqësisë?
– Akoma është një kënaqësi, edhe pse mbartin me vete shumë stres dhe ankth.
– Cila prej hallkave të mësipërme të pëlqen më shumë?
– Studioja është dashuri më vete; aty nis gjithçka.
– Sukseset janë në proporcion të drejtë me punën, fatin apo këmbënguljen?
– Them se janë gërshetim i të trejave.
– Cili ka qenë koncerti më i madh ku ke marrë pjesë?
– Në Sallën e Kongreseve me sa mbaj mend, ka qenë një koncert i Nikaj-Mërturit.
– E ka prekur kriza financiare botën e muzikës?
– Po, sigurisht, bota e muzikës nuk bën përjashtim.
– Me çfarë të pëlqen të merresh dhe me se argëtohesh në këtë kohë?
– Kam shumë dëshirë të eci, por edhe të rri në shtëpi me mbesën time që e dua çmendurisht, Eslin.
– Cili është komplimenti më i madh që ke marrë deri më tani në aspektin profesional?
– Kam marrë shumë komplimente për zërin dhe sidomos, për repertorin e gjerë.
– Cila është për ty pika e referimit në gjithçka që bën?
– Familja dhe publiku. Ata nuk dua t’i zhgënjej asnjëherë.
– Je e lidhur me fotografinë? Të pëlqen më shumë të bësh foto vetë apo të të bëjnë foto?
– Unë e dua fotografinë dhe dua ta fiksoj çdo moment në foto. Së fundmi, kam bërë edhe një set të ri fotosh që ju po i përdorni për herë të parë, me Endrit Mërtirin, që realisht janë foto shumë të bukura, të punuara me shpirt dhe ka bërë një realizim të bukur.
– Ndoshta ngaqë je e bukur edhe vetë…
– Faleminderit. (Buzëqesh) Unë mundohem të nxjerr në pah vetëm pozitivitet dhe shpirt të mirë. Një shpirt i mirë, nuk ka si mos jetë një fytyrë e bukur.
– Sa orë merresh totalisht me veten?
– Me raste, kur nuk kam angazhime, numërohen me minuta. Në të kundërt, më shumë që të paraqitem sa më mirë para publikut. Të merresh me veten, do të thotë respekt për veten.
– Në cilat vende e ndjen se publiku të do vërtet shumë?
– Gjithkund jam pritur shumë mirë, por jam shumë e lidhur me publikun. Në Zvicër, ndoshta ngaqë këndoj prej një kohe të gjatë, prej plot 10 vjetësh.
– Ndërkohë, në dorë, çfarë projektesh ke?
– Sapo kam realizuar këngën “Bjeri djalo çiftelisë”, tekstin e së cilës e kam bërë vetë dhe e kam kënduar në një mbrëmje të organizuar nga Elrodi Music, “Tabani popullor”. Kam në plan të sjell shumë shpejt për publikun një klip të ri dhe shumë projekte të tjera, që do të vijnë në kohën e duhur.
– Në paraqitjet e tua, pavarësisht stilit tradicional, ajo që të bie në sy është tendenca. Është në kontekstin e të qenit e dhënë pas modës apo është gjithçka rezultat i shijes tënde?
– Nuk jam e dhënë pas modës, por janë shijet e mia që i gërshetoj me detaje trendi.
– Përpiqesh të jesh gjithmonë më e mira?
– Jo, nuk përpiqem dhe nuk pretendoj, jam kjo që jam. Publiku e bën dallimin.
– Kristina, na bëj një mbyllje si pukjane që je…
– E kam thënë, e them dhe do ta them gjithmonë me krenari që jam pukjane, pavarësisht se u bënë po aq vite që jetoj në Tiranë. Do të përpiqem të kujtoj gjithmonë se nga kam ardhur dhe nga kush jam përkrahur, por edhe kush qenë ata që deshën të më ulin kokën dhe nuk ia dolën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *