Dy rrugë të gabuara po ndjek opozita në kërkim të pushtetit të humbur gati dy vjet më parë, atë që më mirë se gjithçka e shpreh fabula e dashit me laraskën, dhe rruga tjetër ajo e dhunës, si strategji e kësaj partie. Morali i fabulës së dashit me laraskën të duket sikur është krijuar enkas për të shprehur gjendjen mjerane të opozitës politike shqiptare që e pret pushtetin si dhuratë nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme, nga gabimet e opozitës, nga ndonjë mrekulli që mund të sjellë qarkullimi rastësor i pushteteve, kjo me ndihmën edhe të ndonjë kombinacioni të maskuar të ndërkombëtarëve, dhe në pamundësi të këtyre, ata e kërkojnë pushtetin më dhunë, në përmbysje.    Si laraska që shpresonte se në një moment testikujt e dashit, të enjtura dhe të bollshme, nga pesha e madhe do ti shkëputeshin nga trupi, duke u bërë një ushqim i këndshëm i saj, ashtu edhe opozita pret me padurim që rilindjes ti bien testikujt duke mbetur ajo, pa pjesën burrërore. Dhe kur kjo mrekulli për PD-në vonon, ata kthehen te lufta e armatosur, te shantazhet, shpifjet deri edhe kërcënimet për revolucione, përmbysje, dhunë fizike dhe tërheqje zvarrë të oligarkëve të pushtetit. Pra, shikoni si funksionon logjika e kryetarit Basha, ku në mes të Europës denoncon nevojën për dekriminalizimin e Parlamentit Shqiptar kurse në qendër të Tiranës bën thirrje për luftë, dhunë, hakmarrje popullore, për lëvizje dhe rebelime. Dhe për çudi, këtë farë trimi e dëgjojnë dhe e duartrokasin liderët e partive popullore europiane, këta që na mësojnë se si duhet të ndërtohet dhe funksionojë demokracia, si duhet të respektohen të drejtat e njeriut, si mund të realizohet konsensusi dhe kompromisi në sistemin pluralist. As djalli nuk mund ta kuptojë qëndrimin e tyre kur nga njëra anë, ata e shpallin veten kundër krimit dhe nga ana tjetër brohorasin për deklaratat e papërgjegjshme të liderit të opozitës për luftra dhe përmbysje, pra për marrjen e pushtetit me gjak dhe krime. Kthjellimi ndoshta së pari duhet të ndodhi brenda stanit të partive popullore europiane dhe pastaj te Luli i vocërr i shqiptarëve.    Çudia është se ende nuk kuptohet nga Partia Demokratike, se pushtetin e humbi me një milion shuplaka popullore, por edhe puna e saj në opozitë u shpërblye, po me kaq shuplaka. Pra, jo vetëm se ajo qeverisi keq, por edhe opozitën po e bën akoma më keq, me të njëjtën filozofi, atë të dhunës dhe të diktatit. A e vini re, që deputetet e kësaj force politike, nga salla e Kuvendit herë pas here shpallin gjendjen e luftës, bëjnë thirrje për revolta apo rebelime popullore?! Ndërsa gratë politikane të këtij subjekti politik, shprehin gatishmërinë të dalin në mal, të ngjeshin armët dhe të çlirojnë vendin nga oligarkët që kanë uzurpuar shtetin. Në pushtet, ishin po këta drejtues shteti që e shpunë vendin në luftë civile, që urdhëruan përdorimin e lëndëve helmuese, e aviacionit kundër popullit, që minuan objektet strategjike, për të siguruar më mirë goditjen antipopullore, ku me plane lufte, ushtria dhe SHIK-u, zhvilluan operacione të përgjakshme ndaj popullsisë civile të pambrojtur. Kjo ngjarje e turpshme në historinë e Shqipërisë pati viktimat e saj, që thuhet se i kalonte 4000 të vrarë dhe sa gjysma e tyre të plagosur, rrënimin dhe shkatërrimin e shtetit dhe të ushtrisë, pati edhe robërit e luftës mes tyre edhe gjeneralët që drejtonin forcat mercenare. Çdo ditë e më tepër po dalin dëshmi të tmerrshme se si pushteti përmes dorës së tij të zezë, SHIK-u zhdukte dhe vriste njerëz, kundërshtarë politikë apo gazetarë që kishin zbuluar lidhjet e qeverisë dhe të pushtetarëve të vënë në shërbim të armiqve të popullit. Vetëm në Korenë e Veriut dhe në qeverisjen e Sali Berishës, krahas rrahjeve, torturave e zhdukjeve, mbi kundërshtarët politikë lëshoheshin edhe qentë e tërbuar të etur për mish e gjak.    Nga lufta dhe krimet u karakterizua qeverisja e kësaj partie dje në pushtet, po me luftë dhe krime, sot në opozitë, ajo do të marri përsëri pushtetin. Edhe një lloj vështirësie Lulit në drejtimin e PD-së, duhet t’ia njohim. Ai, si të thuash ndodhet mes dy zjarreve, kurtheve të Berishës dhe ato të Ramës. I pari i mësoi atij, artin e dhunës dhe metodat makjaveliste në drejtimin e shtetit, ku e mbyti Shqipërinë në dhunë, krime dhe gjak, autor i disave të tilla ishte edhe vetë Luli, dhe i dyti Rama, pavarësisht se hiqet si engjëll, por opozita e tij ishte e fortë, në shumë raste, kundërshtuese, e mbushur me bojkote, në një farë mënyre e dhunshme, gjë që e huton Bashën, e çorienton, e bën të pasigurt në bërjen e opozitës. Pra, modeli opozitar i Ramës, jo vetëm që nuk po e ndihmon Bashën të dali nga humnera e disfatave të njëpasnjëshme elektorale, por po e fundos thellë e më thellë. Gjëja e parë që duhet të kuptojë Basha në këtë rast është se mes tij dhe Ramës, ka ndryshime thelbësore. Bashës ja dhuruan partinë, kurse Rama zhvilloi beteja deri sa e fitoi atë. Basha, me një të kollitur të babait të tij politik futet nga frika nën tavolinë, kurse Rama ka një histori të çuditshme me ish baballarët e tij politikë. Vërtetë Berisha në rininë e tij politike e syrgjynosi Ramën si çifuti në shkretëtirë, duke i ngrirë buzëqeshjen dhe karrierën politike, por këtë gjë nuk e bëri njerku i tij politik, Nano, i cili e gjeti të strukur në botën e privatësisë së tij në brigjet e Atlantikut, i dha pushtet duke i shtruar qilimin e kuq të karrierës politike. Dhe më tej, lufta mes tyre i ngjan asaj të Zeusit me atin e tij, Kronosin, plot beteja dhe luftë deri në fitoren e të birit Zeusit ndaj babait mitologjik, por të mundur Kronosit. Basha, beteja të tilla jo vetëm që nuk ka fuqi të zhvillojë, por me një servilizëm shembullor, menjëherë sa i dhuruan fronin, pohoi se do ti qëndronte besnik tezës së vazhdimësisë, që e përkthyer në shqip do të thotë, rrugën e krimeve, të korrupsionit dhe shkatërrimit të shtetit.    U përbetua ai, se me politikën që do të ndiqte, nuk do të bënte gjueti shtrigash, edhe pse realisht vendi dhe opozita duhej të çlirohej menjëherë nga shtrigat dhe çakejtë, që i kishin zënë frymën demokracisë shqiptare. Por, edhe në planin filozofik ata kanë ndryshime të dukshme. Basha, edhe pse babain politik e ka gjallë dhe i qëndron mbi kokë, si shpata e Demokleut, ai prapë thërret “Dua babën”. Pa babën, Basha nuk bën dot gjë. Ndërsa filozofia e Ramës është disi e ndryshme, si një nxënës i Konfucit. Ai beson te amalgama teorike përtej të majtës dhe të djathtës. Mërziten socialistët e vërtetë nga një tezë dhe një praktikë e tillë qeverisëse, madje i zhgënjyer ky elektorat vazhdon të rrjedhë, pasi ka një mospërputhje mes alternativës socialiste dhe broçkullave konfuciane të Ramës. Por, këto rrjedhje të elektoratit socialist ai mundohet ti zëvendësojë me koalicione të të gjitha ngjyrave, siç ishte dalja në fushatën e fundit të zgjedhjeve me një koalicion më 40 parti dhe subjekte politike, ku me ta ndan pushtetin, zbaton politika lehtësuese ndaj tyre, si dhe mbyll sytë nga aferat korruptive që ato zhvillojnë në dëm të shtetit dhe të shoqërisë.    Ndërsa te fronti i djathtë, duket sikur ka rënë kolera, ku PD-në po e braktisin jo vetëm aleatët e saj strategjikë, elektorati, por edhe rrjetet e fuqishme të masmediave, pushteti i katërt i verbër ndaj të djathtës, dje në pushtet, por mospërfillës sot, kur është në opozitë. Ata tashmë janë bërë me pushtetin duke i afruar atij shërbime në konvertim të përfitimeve ekonomike, të koncesioneve, të politikave të mbrapshta të tenderave. Pra qeveria u shet atyre pasuritë e popullit, dhe blen prej tyre imoralitetin dhe prostitucionin e tyre mediatik, të ngritur në art. E thënë më thjeshtë, këta mercenarë të sprovuar në këto njëzetë e pesë vjet demokraci, si hijena të pushteteve sot, jo vetëm që përpiqen t’u shërbejnë, testikujve të dashit të Rilindjes, por edhe me mjeshtërinë e prostitucionit politik dhe mediatik, që ata zotërojnë, po përpiqen t’i shtojnë këtij dashi agresivitetin seksual. Me sa duket, alternative e djathtë e Bashës, vazhdon ndrydhjen, zvogëlimin, tretjen graduale, ndërsa teoria e Ramës, përtej të majtës dhe të djathtës, po zgjerohet edhe pse po shfaqet si një amalgamë pa formë dhe pa ngjyrë, por si mekanizëm për ta mbajtur kryetarin në pushtet. Brenda tkurrjes së partisë dhe frontit të djathtë, Basha nuk është aspak në gjendje të vendosi ekuilibra, të harmonizojë interesa, të sigurojë aleanca të qëndrueshme, të ndërtojë dhe zbatojë një strategji të qartë dhe demokratike. Elita politike e kësaj partie, por edhe elektorati i saj i mësuar më pushtet, që për ta kjo fjalë kuptohej si vjedhje, korrupsion, tregti droge, armësh dhe prostitucioni, sot në opozitë ata shfaqen nervozë, të pabindur ndaj partisë së tyre, rebeles dhe kundërshtues për shumë gjëra, duke e shpallur Bashën të pazot për drejtimin e opozitës. Kurse me ushtrinë elektorale të Ramës, nuk ndodh kështu. Ai, me një arrogancë por me zë të ulët, spekulon me qenien e socialistëve më tepër se ç’duhet. Idealist dhe shumë më pak pragmatist, ndaj i gënjen nga një fushatë në tjetrën, u premton sa për t’u marrë votat, dhe pastaj i flak si limon i shtrydhur. Ndërsa me të ardhurit, nga përtej të djathtës dhe të majtës, kontigjente që për njëzetë e pesë vjet radhazi, janë ngrysur kundërshtarët më të egër të alternativës socialiste, e kanë goditur deri me armë, me burgosje, me dhunime fizike, ndërsa sot në qeverisjen e Ramës ata, janë gdhirë më socialistë se socialistët e vërtetë ku në trupin e tyre ende duken shenjat e dhunës të ushtruarit nga këta të ardhur nga përtejmit. Me sa duket, teoria e përtej të majtës dhe të djathtës është shpikur enkas, për të maskuar dhe për ta ngritur në sistem autokracinë, krijimin e elitave personale, nepotizmin, korrupsionin, trafiqet, politikës së errët të kulisave në ndarjen dhe dhënien e posteve. Mjafton që ata të jenë miq të kryetarit, pastaj s’ka rëndësi e shkuara e tyre kriminale, as aksionet me të cilat vinë në PS dhe as dëshmitë e krimeve të bëra.    Këto janë një tematikë më vete, por le të kthehemi te Basha, i cili, i ndodhur në udhëkryq, për të treguar se edhe ai është diçka si rrugë finale, ka zgjedhur atë të një opozite të dhunshme, të revolucionit blu, duke harruar se nga kjo gjëmë ai që do humbasi më tepër nga të gjithë është vetë, Basha. Ai do të humbasi një milion dollarët të bërë më djersën e ballit në katër vjet punë dhe me rrogë shteti, do të braktisi jetën mbretërore si prej sheiku, mes gjelbërimit dhe ajrit të pastër të Hollandës duke harruar se me kryengritje trajektorja e yllit deri tani në ngjitje, siç është cilësuar nga ndonjë mik i tij përtej oqeanit, fillon rënien, nga ato rënie që përfundojnë në tretje. Në këtë rast, ai do të humbasi emërimin në postin e kryetarit të PD-se, të drejtën për t’u vetëmbrojtur nëse dikush do të akuzojë për krimet e bëra. Pra, Basha do të jetë një humbës i madh. Ndaj, më e mirë se dhuna dhe lufta, do të ishte paqja dhe konkurenca e ndershme sipas parimeve të demokracisë së vërtetë, të cilat i kanë munguar dhe vazhdojë t’i mungojnë Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *