Intervistën e radhës vendosa ta bëja me zotin Sajmir Tahiri, ministrin e Brendshëm. U nisa për në ministri. I rashë nga ana e Bashkisë, se andej nga rruga që të nxjerr te Teatri Kombëtar, më zë era e qofteve dhe e birrës. Te dera e godinës, më ndaloi roja, i cili foli në radio:

“Shqiponja, si më dëgjon?! Ka ardhur Kaso t’ju takojë”

“Bilbili, ju dëgjoj mirë. Lëreni të hyjë. Marrje!”

Më pas, “bilbili” më shoqëroi lart, te zyra e ministrit. Më hapi derën dhe u gjenda në zyrën e zotit Tahiri, i cili në atë moment po komunikonte në radio: “Thëllëza, si më dëgjon? E vendosa, do ta bëjmë sot atë muhabetin. Zogëza, nuk u paraqite mirë radhën e kaluar… Lopçari, duhet të godasësh më fort herë tjetër! Futu më thellë! Luani, kape, shtrëngoje, kur të të them unë lëshoje!”

“Mooos, mendova! Paskam ardhur në moment të papërshtatshëm qejfi” dhe bëra të ikja, por në atë kohë, zoti ministër kthehet nga unë dhe thërret:

– Qëndro Kaso, se mbarova!

– Më bëtë lëmsh, zoti ministër. M’u duk vetja sikur isha në Kopsht Zoologjik, duke përgjuar kafshët që bëjnë dashuri.

– E tillë është puna ime, Kaso. Po hë, pse erdhe? Nuk ke paguar dritat, nuk ke marrë faturën tatimore, ke pështyrë në rrugë e duan të të arrestojnë? Fol, mos u step! Ndonjë mik polic edhe e kemi e mund të të ndihmoj.

– Asnjë prej këtyre, zoti ministër. Thjesht dola të bashkëbisedojmë. S’kisha drita në shtëpi, e thashë: “Ku të vete? Kush mund të ma ndriçojë ditën sot?” e kur po mendoja, ashtu e kështu, këmbët ikën vetë e erdhën te ju. E meqë erdha, po ju pyes: Zoti Kryeministër është në Hong Kong? Si po i shkon vizita?

– Thonë që mirë. S’di gjë të saktë, Kaso. Qëkur vendosi Erionin për Kryetar të Bashkisë, s’para flas shumë me të.

– Po lufta kundër hashashit, si shkon, zoti ministër?

– Marshallah shkon Kaso! Këtë vit kemi djegur aq hashash, sa as në 1997-ën nuk janë djegur ndërtesa.

– Opozita thotë që…

– Opozita atë punë ka, Kaso; të thotë. Po flasin arritjet vetë. Kemi…

– Zoti ministër, autoritetet italiane kanë kapur disa aeroplanë me drogën tonë.

– Po ç’faj kam unë, se ata derdimenë që transportojnë drogë kapen, o Kaso?! Po më të paaftë pilotë, nuk kam parë… Le të blejnë aeroplanë modernë. Po fundja, s’e kanë fajin aeroplanët, se ata të mirë janë. E kanë fajin vetë trafikantët shqiptarë. Ia fusin njëri-tjetrit, duke spiunuar. Ne po na spiunon vëllai për vëllain që s’paguan dritat, jo më trafikantët. Ndaj, mos ma hidh fajin mua Kaso, që kapen aeroplanë.

– Në kohën e Berishës, asnjë aeroplan s’është kapur me drogë, zoti ministër. Përse?

– Atëherë Kaso, transporti bëhej me gomarë nga kufiri grek. Kriza që ra në Greqi, i “shuajti” gomerët fare nga qarkullimi.

– Si do t’ia bëni? Ç’masa do të merrni që të ndaloni transportin ajror?

– E, mo Kaso! Fajin e të tjerëve, ma hedhin mua. Për situatën e tanishme, e ka fajin zoti Majko…

– Ç’hyn zoti Majko këtu, zoti Tahiri?!

– Hyn posi, Kaso! Ai shiti për skrap nëndetëset. Lë t’i mbanim më mirë dhe drogën ta transportonin me nëndetëse. Ato vështirë kapen nga italianët. Se, fundja, ku do ta dinë ata ku do të ndalojë nëndetësja. Ajo ndalon ku t’i dojë qejfi.

– Thonë, zoti ministër, që ju jeni i implikuar në transportin e drogës. Madje jo vetëm ju, por edhe strukturat drejtuese të policisë, të cilat i keni emëruar se i keni nga Kurveleshi…

– Ia ngopin kot, Kaso. Unë policët i kam marrë fshatarë nga zona ime, se ata e njohin proccesin e korrjes së hashashit. Kush më mirë se një fshatar, mund ta korrë prodhimin? Nuk kemi fonde Kaso që të trajnojmë qytetarët si të korrin. Kur i kemi gati fshatarët, përse të mos i marrim policët nga ky kontigjent?

– Të lodhur ju shoh, zoti Tahiri…

– Jam në merak Kaso, a do na sjellin kinezët këpucë të hajrit për policët, apo edhe pas vizitës së Kryeministrit, jo. Ka telashe kjo puna ime. Ja të të tregoj një ndodhi, po ke kohë: Isha një ditë Kaso në një zonë me hashash në Kurvelesh. Vajta pa lajmëruar strukturat në terren. Shkoj unë atje, kur ç’të shikoj? Hashashi që digjej. Policët “ishin bërë dru” nga tymi. Bërtita: “Ç’bëhet këtu!? Kush është drejtuesi? Të dalë përpara!”.

– Po dhe ç’ndodhi?

– Dolën përpara 30 vetë. “Unë jam drejtuesi”, tha secili.

– Po më pas?

– Më tha njeri: “Po ti more mjekërcjap, ç’kërkon këtu? Kapeni këtë keçin”, tha e m’u lëshuan nga 20 veta, e filluan të qëllonin.

– Ju qëlluan juve policët?!

– Jo, Kaso, jo, qëllonin njëri-tjetrin, se ishin bërë “thumb” nga tymi i hashashit. Më kapën ca të tjerë pastaj e më hodhën prangat. “Ti je kontrabandisti më i madh i drogës në këtë vend”, më thoshin.

– Çudi! Nga e dinin ata këtë gjë? Apo do kenë qenë policë të futur nga opozita, besoj.

– E më ulërisnin, Kaso: “Me cilët bashkëpunon?”. “Me Ramën”, u thashë. Ç’t’u thosha Kaso? Të vërtetën u thashë. Një ministër me Kryeministrin bashkëpunon përherë. “Me Ramën!?”, bërtiti njëri. “Me atë drogaxhiun e Shijakut?! Bjerini mo, mos e lini, qenin!”. E kap e bjerë ata. Ca herë më ranë edhe mua, përveçse  i binin njëri-tjetrit.

– Paskeni hequr të zitë e ullirit, zoti ministër!

– Sa kam vuajtur atë ditë, Kaso, le mos ma kujto! E më morën më mbështetën në një rrap e më godisnin sa më thyen syzet, e më pyesnin: “Me cilin bashkëpunon tjetër?”. “Me gjithë komisariatet”, u thashë. Se, pse t’i gënjeja? “A, mo zagar i poshtër. Ke infiltruar drogaxhinjë edhe në polici dhe bashkëpunon me ta, pale”. E kap e bjer njëri-tjetrit ata, e ndonjëherë edhe mua.

– Po si shpëtuat, zoti Tahiri?

– Rastësia, Kaso, është gjë e madhe. E ndalova të folurin me dialekt tirons dhe u thashë: “Mos u zini me shoshoqin!”. Aty me pyeti njëri: “Prej nga të kemi, mo djalë?”. “Prej Tirone, i thashë unë, por me origjinë jom nga kjo zonë”. “I kujt je?”, më tha. U thashë i kujt isha e aty pushuan. Sa pushuan ata së godituri, i pushova direkt në vend nga puna. Kështu, Kaso djali! Kjo punë me drogën ka vështirësite e veta. Mos mendo se ka vetëm para…

 

Bisedoi me shaka: Kaso KOSA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *