Gjyshi
– Sapo u shtriva të flija gjumë, në derë m’u shfaqën gjyshja dhe gjyshi që kanë vdekur, por ishin shumë të rinj dhe në atë moment, gjyshi më tha: “Bija e babait, babait mos ia vini shumë re se së shpejti do ta marrim”. Ju lutem, më thoni çfarë kuptimi ka? Pres përgjigjen tuaj. Aleksja.
– E dashur Aleksja, një ëndërr e tillë tregon që babai do të kalojë një siklet shëndetësor, ose do ta ketë kaluar dhe ju keni qenë të shqetësuar për të në lidhje me gjithçka. Duhet ta keni më kujdes dhe të mos u kushtoni rëndësi fjalëve apo veprimeve të tij, ndoshta jo shumë të mirëpritura nga ana juaj. Asgjë tjetër e keqe nuk do të ndodhë. Gjithë të mirat.
Një burrë i panjohur
– Kam parë në ëndërr sikur hyra te dyqani që është përballë pallatit tim dhe i thashë asaj që ka dyqanin: “Ku i ke rrobat që i kishe dje?”. Ajo më tha: “Atje, aty” dhe aty ishte një burrë i panjohur, të cilin nuk e njihja fare. Ai kishte në qafë një tren të vogël dhe më tha: “Nëse ti e hap këtë videon, unë do të të martoj me pronarin”. Unë qesha, e mora lodrën dhe u largova. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, ju lutem? Pres përgjigjen tuaj.
– Kjo ëndërr ka lidhje me muhabete dhe histori të ditës që tashmë i keni kaluar. Duhet të mbani mend disa detaje, sepse po këta persona që keni parë në ëndërr, do të kenë diçka për t’ju thënë. Vërini pak rëndësi këto ditë çdo muhabeti që mund të ndërroni, sepse nga këtu mund të kapni disa mundësi të mira për të ardhmen, qofshin në jetën profesionale dhe në atë private.