Mad Tv është ndoshta televizioni i vetëm që 100% të kohës së tij televizive ia ka dedikuar tërësisht argëtimit dhe emisionet e tij janë ndër më të ndjekurat e më të pëlqyerat. Emisioni “UK Top”, që prej kohësh prezantohet nga bukuroshja Marsela Hoxha, është një ndër këto emisione. Marselën e kemi patur edhe herë të tjera pjesë të faqeve të gazetës, por këtë herë, ajo vjen në një rrëfim më spontan e të çlirët, ashtu si ajo vetë…

Fabjola Kuburi: – Marsela, po bëhet kohë që ti je pjesë e emisionit “UK Top” në Mad TV. Sa ka ndryshuar Marsela që nga dalja e saj e parë në ekran e deri më sot?
Marsela Hoxha: – Ka ndryshuar shumë, tani e ka bërë kamerën shoqe!
– Mban mend cila ka qenë gafa më e madhe që ke bërë e që edhe sot kur e kujton, skuqesh?
– Uh, kanë qenë aq shumë sa do të duhej të kishim pak më shumë kohë që t’i kujtoja. (Qesh)
– Sot drejton një emision që u drejtohet të rinjve dhe muzikës që pëlqehet nga të rinjtë, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Nesër, cili synon të jetë publiku yt dhe çfarë formati do të të pëlqente?
– Çdo ditë zgjohem me dëshira të reja, kështu që s’e di çfarë më rezervon e nesërmja.
– “UK Top” është një emision i këndshëm që kërkon oratori, por jo vetëm. A ka ndonjë sekret që nuk e lë këtë emision të bëhet i mërzitshëm?
– Sigurisht që ka. Është energjia ime dhe vetë shijet e britanikëve, të cilat nuk janë të mërzitshme.
– Ka pasur ndonjë rast kur do të doje shumë të ishe diku tjetër dhe jo në emision?
– Jo, nuk më ka ndodhur deri tani.
– Sa ka ndikuar te ti ky format, si profesionalisht, ashtu edhe emocionalisht?
– Më ka rritur dhe njëkohësisht, më ka bërë më të çmendur.
– Komplimentet, fakti që të tjerët të njohin, të gëzon apo të vë në siklet?
– Të them të vërtetën, më skuq faqet. (Qesh)
– Cilat janë prezantueset me famë botërore që të frymëzojnë e prej të cilave do të doje të “vidhje” ndonjë truk?
– Elen Degeneres. Truku i saj më i madh është inteligjenca dhe sensi i humorit.
– A ka disa kritere të veçanta që duhet t’i përmbushë një prezantuese televizive?
– Sigurisht. Besoj se një fizik dhe fytyrë e rregullt, një artikulim i mirë letrar dhe një bazë e mirë informacioni.
– Marsela, ti, në të gjitha trajtat, mund të quhesh vajzë e bukur. Në realitet, sa rëndësi i kushton pamjes së jashtme?
– Faleminderit. Fakti që më thua ti, realisht më gëzon! E di që s’më besoni, por i kushtoj shumë pak rëndësi. E thjeshta është e bukur, gjithsesi.
– Sa orë kalon para pasqyrës, përpara se te dalësh nga shtëpia?
– 20 minuta janë të mjaftueshme.
– Më trego ndonjë ngjarje kur bukuria të ka prishur punë…
– Nuk kam pasur deri tani se do t’jua kisha treguar. (Buzëqesh)
– Me çfarë lidhet bukuria?
– Me atë çfarë përcjell te të tjerët.
– Ke ndonjë pasion të veçantë, për të cilin ia vlen të ndalemi dhe të flasim?
– Kam shumë pasione; mjafton që me një ndër to, punoj çdo ditë.
– Je ndopak e zonja me paratë, apo i ke duart e shpuara?
– I kam shumë keq marrëdhëniet, nuk jemi fare shoqe me paratë. I kam duart tmerrësisht të shpuara. (Qesh)
– Përveçse një vajzë e bukur, ti njihesh edhe si një vajzë me shumë stil në të veshur. Për ty, stili lind apo kultivohet?
– Normalisht që kultivohet; lindim të gjithë njësoj dhe vishemi ndryshe.
– Kombinimi më ekstravagant që ke bërë në veshje deri më sot?
– Fustan i shkurtër, dekolte! Nuk e përsëris më. (Buzëqesh)
– Do të doje ndonjëherë të ndryshoje ndonjë gjë në jetën tënde?
– Jo. Momentet e mira dhe të këqija më kanë sjellë këtu.
– Cila është filozofia që beson për të qenë e lumtur?
– Kur ajo çfarë mendon, thua dhe bën, janë në harmoni. Jam me Gandin në këtë pikë!
– Meqë ra fjala, me dashurinë, si i ke pasur punët deri tani?
– Nuk e njoh! (Qesh)
– Ka ndonjë mashkull që kur e ke përballë, të këputen gjunjët e të merren mendtë?
– Jo, jo akoma! Ka akoma të tillë?! (Buzëqesh)
– Ku do të doje të të çonte një mashkull në takimin e parë?
– Për ndonjë lojë me makina, për shembull. (Buzëqesh)
– Libri i fundit?
– “Një vend në botë” e Fabio Volos.
– Shikon telenovela?
– Jo! Nuk besoj se do të shikoj ndonjëherë.
– Frika më e madhe që ke…
– Humbja e vetvetes.
– Çfarë ofron moria e madhe e emisioneve në televizionet shqiptare?
– Moria e madhe, përgjithësisht, ofron të njëjtën gjë.
– Çfarë ka fundi në fund?
– Ka një fillim të ri!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *