– Dua të bëj një pyetje për belin. Kohët e fundit kam shumë dhimbje dhe nuk e kuptoj çfarë m’i shkakton. Në fakt, dyshoj se mund t’i kem edhe nga peshat që ngre në palestër, sepse i përdor shumë. Jam 28 vjeçe, por s’kam pasur më parë dhimbje të tilla. A e dëmton stërvitja intensive belin? Mos vallë i kam dhimbjet nga kjo gjë? Pres një përgjigje. Faleminderit.
Mario instruktor: – E nderuar 28 vjeçare, dhimbjet e belit janë të natyrave të ndryshme dhe sigurisht që edhe origjinën e kanë nga shkaqe të ndryshme. Dhimbja e belit është një sindromë, të cilën 80 % e popullsisë së botës e ka kaluar të paktën një herë në jetë. Dhimbjet akute të belit në 80 % të rasteve zhduken brenda 6-8 javëve pa ndonjë terapi specifike, por 40 % e këtyre dhimbjeve rikthehen brenda vitit duke krijuar një atak të dytë, kurse për ata që vuajnë nga dhimbjet kronike të belit, ky atak rikthehet në 80 % të rasteve. Është shumë e rëndësishme që ju të bëni së pari një vizitë te një doktor profesionist për të kërkuar shkaqet e dhimbjes. Është mirë që të parandalohet ataku i parë i dhimbjes së belit dhe të merren masa të menjëhershme, në mënyrë që këto dhimbje të mos kthehen më, duke u bërë kronike. Shkaqet për dhimbjet e belit mund të jenë: profesionale, sportive, personale apo dhe psikologjike. Te shkaqet profesionale hyn ngritja e peshave të rënda pa përthyer gjunjët gjatë ngritjes, përkuljes dhe rrotullimit në të njëjtën kohë dhe përsëritja e vazhdueshme e lëvizjeve. Ngritja e peshave pa përthyer gjunjët rrit gjithashtu riskun e hernies diskale. Ngritja e vazhdueshme e objekteve është gjithashtu një faktor i rëndësishëm. Ata që kryejnë aktivitete të renda fizike dhe ata që janë të detyruar të punojnë në këmbë janë grupet e profesioneve në të cilat vihet re më tepër dhimbja e belit. Te shkaqet profesionale hyjnë edhe qëndrimi jo i rregullt para kompjuterit, apo edhe kur ecni të kërrusur, apo lëvizjet e menjëhershme.
– Te shkaqet sportive hyjnë ato raste që i përshkruani edhe ju vetë. Ndoshta e keni tepruar me stërvitje dhe në momentin që merreni me pesha, nuk bëni lëvizjet e duhura. Ndoshta i ngrini peshat pa përkulur gjunjët dhe me lëvizje të shpejta, siç e përmendëm edhe më lart. Këto ndikojnë në dëmtimin e belit. Ndaj ushtrimet me pesha janë të rëndësishme të bëhen të sakta dhe pa u nxituar, mundësisht si fillim t’i bëni në prani të instruktorit. Te shkaqet personale hyjnë më së shumti pirja e cigares, mospërshtatja fizike dhe dhimbjet e mëparshme të belit. Pirja e me tepër se 50 paketave në vit, si dhe mosha mbi 45 vjeç, jeta jo e shëndetshme që bëjnë duhanpirësit, osteoporoza si dhe kollitja nga duhani, e cila bën të mundur rritjen e presionit të disqeve që ndodhen midis brinjëve. Cigarja, duke prishur ushqyerjen e diskut, e bën atë më të ndjeshëm nga faktorët e jashtëm. Këto efekte të cigares vihen re tek ata persona që kryejnë aktivitete të rënda fizike. Së fundmi, te dhimbjet e belit ndikojnë edhe faktorët psikologjikë. Ata që nuk e pëlqejnë punën e tyre, ankohen për dhimbje beli 2,5 herë më tepër se ata që e pëlqejnë atë. Mosmarrja e kënaqësisë dhe motivimit nga puna janë faktorë risku për dhimbjet e belit. Mospërqendrimi për shkak të stresit shkakton aksidente të ndryshme që bëhen shkak për dhimbjet e belit. Stresi gjithashtu është faktor risku për dhimbjen e belit. Pra, siç e shikoni, janë disa faktorë që ndikojnë në dhimbjen e belit, ndaj ju duhet të gjeni shkakun e saj dhe ta kuroni atë.
Advertisement