Në verë është e vështirë t’i shpëtosh pickimit të mushkonjave. Megjithatë, sipas një studimi të botuar në revistën Current Biology, është e kotë të luftosh kundër tyre, ato arrijnë të na dallojnë pavarësisht përpjekjeve tona. Një ekip i studiuesve të universitetit të Uashingtonit dhe Institutit të teknologjisë së Kalifornisë, SHBA, kanë zbuluar se mushkonjat përdorin tre shqisa të ndryshme për të zbuluar me efikasitet prenë e tyre.

Si pasojë e eksperimenteve të bëra, studiuesit kanë mundur të zbulojnë strategjinë e gjuetisë së mushkonjave. Në distancë më shumë se 10 metra, insekti e dallon së pari prenë e tij falë dioksidit të karbonit që ajo lëshon duke marrë frymë. Pastaj, në distancën ndërmjet 10 dhe 5 metrave, ai vë në punë shikimin për të dalluar objektet me dendësi të madhe, nga vjen frymëmarrja. Dhe pikërisht kur mushkonja është afër objektivit, ajo fillon të perceptojë lagështinë dhe nxehtësinë që lëshon trupi, duke u siguruar se është një qenie e gjallë dhe jo një shkëmb. Në largësinë nën 20 centimentra, kjo ngrohtësi i lejon mushkonjës të identifikojë zonat më të nxehta të trupit, ku shkon më shumë gjak dhe pikërisht atëherë ajo sulet të pickojë.

Me një sistem të tillë zbulimi, është pothuajse e pamundur t’u shpëtosh mushkonjave, sepse, edhe po të evitosh njërën shqisë të tyre, ato fusin në punë të tjerat. Disa faktorë shtojnë mundësitë për t’u zbuluar. Gratë shtatzëna, për shembull, janë pretë e preferuara, sepse trupi i tyre emeton më shumë CO2 se personat e tjerë dhe ato kanë një qarkullim gjaku të shtuar. Megjithatë, nuk është vetëm ngrohtësia, forma jonë apo frymëmarrja ajo që na “tradhëton’ tek mushkonjat. Në fakt, më se 20 erëra që sekreton lëkura jonë stimulojnë nuhatjen e tyre. Prania, apo jo e disa bakterieve në lëkurën tonë mund të marrë pjesë në përpunimin e kësaj arome. Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar bile një origjinë gjenetike si shkaktare pr tërheqen e madhe që kanë mushkonjat për disa prej nesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *