– Doktor Evi, ju përshëndes! Kam një pyetje në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Unë kam njëfarë moshe, jam 63 vjeç dhe vuaj edhe nga reumatizma. Më përpara kam patur marrëdhënie seksuale me bashkëshorten 2-3 herë në javë, por me kalimin e kohës më ka rënë aftësia për seks. Pra, javët e fundit të muajit të kaluar e në vazhdim, aftësia ime seksuale ra menjëherë, ndërkohë që dëshirën e kam të madhe. Çfarë ilaçesh duhet të përdor që të rifitoj aftësinë seksuale?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – I nderuar 63 vjeçar, më vjen mirë që ju shqetësoheni për jetën tuaj seksuale. Çrregullimi i aktivitetit seksual ka natyrë organike dhe psikogjene. Me natyrë organike është kryesisht mbi moshat 40-50 vjeçare. Në moshën mbi 60 vjeçare, 60 % e çrregullimeve kanë natyrë organike, kurse çrregullimet psikogjene janë karakteristikë e moshës së re. Edhe moshat e mëdha kanë çrregullime të ereksionit psikogjen, siç mund të kenë moshat e reja çrregullime me natyrë organike.
– Ndërprerja e menjëhershme e ereksionit tregon se ky çrregullim ka natyrë psikogjene. Rënia e aktivitetit seksual në mënyrë graduale është organike. Për mënyrën se si e shpjegoni në letrën tuaj, shpresoj që çrregullimi juaj të jetë psikogjen. E them këtë sepse mjekimi i çrregullimeve psikogjene kanë më shumë rezultat. Sidoqoftë, duhet të bëni një konsultë për të përcaktuar më me saktësi shkakun, në mënyrë që edhe mjekimi të ketë efekt të mirë. Ju uroj gjithë të mirat.