– Dua të di çfarë thotë ligji i sigurimeve shoqërore për ata që kanë punuar dikur si pilotë? Kush përfitojnë pension dhe a kanë ndonjë përfitim të veçantë siç kanë ushtarakët, për shembull? Çfarë kushtesh duhet të kenë të plotësuara për të përfituar pensionin? Faleminderit.
– Ligji nr. 9128, datë 29.07.2003 “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues në pension”, i ndryshuar. Ndryshimet: Ligji nr. 10135, datë 11.05.2009.
Personat përfitues:
– Sipas këtij Ligji, përfitojnë pilotët ushtarakë që kanë fluturuar me avionë reaktivë dhe me helikë dhe bordi avion-drejtues i tyre, si dhe pilotët dhe teknikët fluturues të Njësisë të Transportit Mjekësor me helikopter.
Lloji i përfitimit:
– Trajtim i veçantë financiar në shtesë të pensionit të pleqërisë.
Kushtet e përfitimit:
– Pilotët që kanë fluturuar me avionë reaktivë e avionë me helikë, të kenë plotësuar kushtet për pension pleqërie dhe të kenë fluturuar:
– Me avionë reaktivë jo më pak se 8,5 vjet kalendarikë;
– Me avionë me helikë jo më pak se 12,5 vjet kalendarikë;
– Jo më pak se 15 vjet vjetërsi në shërbim për funksionet aviondrejtues fluturues, qitës-radist, radist, teknik, fluturues bordi.
Masa e përfitimit është:
– 50 % e pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie, kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 12,5 vjet kalendarikë dhe kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë, jo më pak se 16,5 vjet kalendarikë;
– 35 % të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 8,5 vjet kalendarikë dhe kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë jo më pak se 12,5 vjet kalendarikë;
– 25 % të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie, për funksionet avion drejtues fluturues, qitës-radist, radist, teknik, fluturues bordi, me jo më pak se 15 vjet vjetërsi në shërbim, pavarësisht nga koha e daljes në pension;
– Shuma e pensionit të plotë të pleqërisë plus masën e trajtimit të veçantë financiar, sipas këtij Ligji, nuk mund të jetë më e madhe se 50% e pagës referuese të pilotit fluturues, kur ka dalë në rezervë, lirim ose në pension pleqërie. Dokumentacioni që duhet të përgatisë është si më poshtë:
Drejtohuni në strukturat rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin dhe pajisuni me dy format-kërkese:
– Një format-kërkesë e plotësuar paraqitet në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë/lirim apo pension pleqërie. Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura, dërgojnë në rrugë postare vërtetimin e viteve të shërbimit dhe të pagës referuese në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin;
– Formatit tjetër të kërkesës, plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni i renditur më poshtë për çdo përfitim dhe paraqitet pranë DRSSH-së, ku keni vendbanimin: Fotokopje e letërnjoftimit elektronik ose certifikatë personale.