Ish-burri
– Përshëndetje redaksia! Kam parë një ëndërr që më ka ngelur në mendje. Pashë sikur erdhi nëna ime bashkë me dajën tim dhe më sollën lajmin që ish-burri im kishte vrarë veten. Të them të drejtën, nuk ndjeva asgjë, as dhimbje, as pikëllim. Ju lutem, më thoni, a ka ndonjë shpjegim? Shumë faleminderit. Alketa.
– E dashur Alketa, duke qenë se ju keni pësuar një divorc, është normale të shikoni një ëndërr të tillë sepse në fund të fundit nuk e keni përjetuar mirë ndarjen. Në këtë është përfshirë gjithë familja juaj dhe fisi. Vetëvrasja e tij në ëndërr nuk tregon gjë tjetër veçse një histori të mbyllur. Çdo gjë ka marrë fund dhe tashmë ju do të shikoni përpara, pavarësisht zhgënjimeve që mund të keni patur. Për ju, po fillon periudha e qetësisë.
Më tradhtoi e dashura
– Kam parë në ëndërr sikur e dashura ime u kthye nga një udhëtim dhe unë po e prisja në shtëpi. Kur erdhi, më tha që më kishte tradhtuar, por që kishte qenë vetëm një moment dobësie dhe i vinte keq për atë çfarë i kishte ndodhur. M’u duk e sinqertë. Problemi është se më shqetëson kjo gjë. A ka ndonjë kuptim?
– I nderuar Bledi! Mes jush dhe të dashurës parashikohet një debat që do t’ju çojë në ndarje. Shkak i ndarjes nuk do të jetë tradhtia. Megjithatë, pas një periudhe të shkurtër kohe, ju do të riktheheni bashkë dhe akoma më të dashuruar pas njëri-tjetrit. Ju e dini shumë mirë që thellë në shpirt e dashura juaj është shumë e sinqertë ndaj jush, prandaj edhe e keni për zemër. Gjithë të mirat.
E veshur me vello
– Kam parë në ëndërr sikur kisha veshur fustan të bardhë dhe po nusëroja, por nuk shikoja ndonjë burrë rreth meje. Mbaj mend vetëm vellon, por vetë isha e qetë. Kam dëgjuar se velloja në ëndërr sjell fatkeqësi. A është e vërtetë?
– Populli kështu thotë përgjithësisht, por në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Është një mendim i gabuar, sidomos kur e shikoni në këtë mënyrë siç e keni parë ju, sepse parashikimi varet edhe nga veprimet brenda ëndrrës. Në qoftë se jeni beqare, një ëndërr e tillë tregon dëshirën për një lidhje serioze martesore. Nëse jeni e martuar, kjo ëndërr nuk është shenjë e mirë. Ajo tregon se duhet të jeni më e kujdesshme në marrëdhënien me bashkëshortin, pasi jo çdo gjë mund të shkojë në rregull dhe duhet të jeni e përgjegjshme. Në rastin tuaj konkret, tregon gjithashtu se duhet të jeni e durueshme, të arrini të kuptoni edhe përgjegjësitë tuaja dhe të mos kaloni kufirin e ca gjërave, qoftë nga ajo çfarë prisni nga të tjerët, qoftë nga çfarë presin të tjerët prej jush. Gjithsesi, është shenjë fati.