– Doktor Dashamiri, jam 40 vjeç dhe kam zbuluar para dy muajsh që kam rritje të triglicerideve deri në nivelin 12.5. Me terapi (Vasilip 20 mg.) e zbres deri në 3.5. Tani vonë, e kam sërish 13. A ka shërim kjo sëmundje apo duhet të jem gjithë jetën me mjekim? Faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Faleminderit zotëri për pyetjen tuaj. Me keqardhje vë re se gjithmonë shumica e pyetjeve e mbartin thelbin e tyre, por kanë shumë pak të dhëna që janë të domosdoshme për të ngritur një analizë e aq më tepër për të sqaruar saktë problemin që parashtrohet. Me sa konkludoj nga pyetja, ju vuani nga çrregullimi i yndyrnave dhe konkretisht, nga hipertrigliceridemia ose rritja e shtuar e triglicerideve. Për lexuesin e gjerë, trigliceridet janë një variant ose një fraksion i caktuar i yndyrnave në trupin tonë. Ato merren kryesisht nëpërmjet ushqimit që ne konsumojmë dhe përbëjnë një sasi jashtëzakonisht të rëndësishme “karburanti” si burim energjetik për trupin tonë. Për ta thënë thjeshtë, trigliceridet dallojnë nga të gjitha yndyrnat e tjera sepse këto origjinën e kanë nga ushqimi, nga jashtë, ndërsa tipet e tjera të yndyrnave origjinën kryesisht e kanë të brendshme, pra, organizmi i prodhon vetë ato. Në përshkrimin tuaj ka realisht një kontradiktë profesionale dhe emri i barit që ju keni shkruar në të vërtetë nuk jepet si mjekim për të ulur nivelin e triglicerideve sepse efekti i këtij bari mbi këtë fraksion yndyror është i dobët dhe i papërfillshëm. Në të vërtetë, ky bar jepet si mjekim për të ulur nivelet e larta të yndyrnave të brendshme dhe konkretisht, për të ulur nivelin e kolesterolit, si dhe një fraksion tjetër që quhet LDL kolesterol, ndaj nëse ju keni patur përmirësime në rënien e triglicerideve, kjo mund t’i dedikohet më shumë dietës suaj, sesa realisht këtij bari. Dhe, në këtë rast, po ju siguroj se mjekimi më i mirë për të ulur trigliceridet është reduktimi i ushqimeve që përmbajnë yndyrna, shtim të aktivitetit fizik, shtim të konsumit të perimeve, zarzavateve, të drithrave dhe gjithë produkteve që kanë përmbajtje të lartë me fibra dhe përmbajtje të ulët me yndyrna.
– Doja të shtoja gjithashtu se shkak i mundshëm për rritjen e yndyrnave mund të jenë edhe sëmundjet e tjera të mjekuara ose të pamjekuara. Për shembull, diabeti i sheqerit është një sëmundje që jep shpesh çrregullime të yndyrnave. Kur pyesni a ka shërim kjo sëmundje, kuptoj edhe lodhjen tuaj psikologjike si në këtë rast, por siç jua shpjegova më lart, nuk mundem të jem i prerë nëse do të merrni mjekim gjithë jetën ose jo. Sëmundjet e yndyrnave që marrin mjekim të përjetshëm, përgjithësisht, janë të karakterit gjenetik, të lindura, kur organizmi nuk është në gjendje të reduktojë e të normalizojë nivelet e yndyrnave të këqija në të. Fatkeqësisht, këto sëmundje janë të rralla dhe nuk besoj që rasti juaj të përputhet me një çrregullim të tillë. Si përfundim, ju këshilloj të jeni i qetë, të kontrolloni vazhdimisht nivelin e yndyrnave në gjak, të mbani kontakt me mjekët përkatës dhe nëse keni sëmundje të tjera, t’i mjekoni në mënyrë korrekte ato. Lidhur me rritjen e triglicerideve, mjekimi i vetëm është dietë plus sport. Të shkuara!