Zotin Meta e takova rastësisht të tregu fshatar te Pazari i Ri. Sa e pashë ngarkuar me torba, ia mora nga dora. Në fillim u tremb pak, se kujtoi mos ia vidhja, por pastaj më përqafoi gjithë mall…

Ilir Meta: – Ç’bën Kaso?
Kaso Kosa: – U trembe se mos të vidhja?
– Mua të më vjedhin, mo Kaso? S’më njeh mirë. Unë kë të… Nejse! Ç’po bën, Kaso?
– Hiç, zoti Meta. Ja, kam dalë të blej ca jeshillëqe se jam shëndoshur shumë dhe këto të dobësojnë.
– Mirë bën. Edhe unë kam qenë i shëndoshë sa një mullar, besoj se e mban mend. Aq i fryrë isha, sa nuk ruaja dot balancën. Më merreshin mendtë kur ecja, madje edhe kur rrija në kolltuk. Kjo marrje mendsh më shkaktonte shpërqendrim. Zihesha me të gjithë. Ku nuk shkova për ta kuruar këtë të metë, derisa derman më bëri një mjek popullor i cili më tha: Ti, zoti Metë e ke këtë të metë, sepse je i shëndoshë. Po të dobësohesh, do shmangësh zënkat me politikanët e tjerë. Mos harro shprehjen e popullit tonë: “Urtë e butë dhe plot tenxherja!”.
– Urtë e butë e plot tigani, zoti Meta!
– Kaso, unë nuk ha të skuqura, kështu që nuk e përdor tiganin; përdor tenxheren. E, që thua ti, që nga ajo ditë, unë vendosa të dobësohesha, për të mbajtur balancën.
– Si po shkoni me fushatën, zoti Meta?
– Ç’fushatë?
– Të zgjedhjeve vendore, pra!
– Ah, po, harrova fare. Se ne, Kaso, po bëhemi gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
– Unë ju pyeta për fushatën tani në Tiranë, zoti Meta…
– Po ç‘fushatë është kjo, or Kaso!? Pse, gomar jam unë që të bëj fushatë për Erion Veliajn? Unë votuesve ua kam bërë të qartë: Votoni koalicionin! Kaq më duhet mua. Si individ, në Tiranë unë dua të fitojë doktor Halimi. Besoj më ke dëgjuar kur u kam thënë njerëzve që Halimi është njeri i mirë.
– Ju kam dëgjuar, zoti Meta, ju kam dëgjuar, por mendova se do të donit të fitonte zoti Veliaj.
– O Kaso, po të thashë pra që unë s’jam idiot. Zoti Veliaj do fitojë, por jo me votat e LSI-së. Ti e di qëllimin tim final, Kaso.
– Cilin zoti Meta?
– Atë, pra, që të marr PS-në!
– Po në bashkitë e tjera, a keni bërë fushatë, zoti Meta?
– Hiç fare, Kaso. Fushatë le të bëjë PS-ja. Pse të bëjmë ne? Pse, gomar jam unë të harxhoj para?! Ne, njerëzit tanë të punësuar i kemi në bashki. Paratë po i mbajmë që t’i hedhim në zgjedhjet e përgjithshme ne, Kaso.
– Keni mbledhur shumë para për atë ditë?
– Keq situata Kaso, keq. Ka rënë leku fare. Qeveria e kaluar ku isha pjesë edhe unë, na la me borxhe dhe kjo qeveri ku jam prapë pjesë edhe unë, po shlyen borxhet e kaluara. U kam dhënë urdhër ministrave tanë në qeveri, sidomos zotit Haxhinasto dhe zotit Panariti, që të më dorëzojnë pjesën, por s’kanë, Kaso. Keq gjendja. Nuk ka fonde fare. Dhe kur thesi nuk është plot, nuk ke ç’merr. Rrugë nuk po bëhen. Bujqësia është në ngërç. Troç të ta them, jemi dobët me financat e partisë, Kaso. Vetëm me një gjë jemi mirë.
– Me cilën, zoti Meta?
– Me mbushjen e radhëve të partisë sonë. Ata të PD-së e kanë kuptuar se vetëm me ne fitojnë. Tani edhe anëtarët e PS-së po e kuptojnë këtë gjë. Pra, parrulla jonë është: Me ne fitojnë të gjithë!
– Kjo ka qenë parrullë e doktorit, me sa më kujtohet…
– Mos ma kujto Doktorin, aman Kaso! Kam nostalgji. Çfarë doja, më jepte. “Veç të rri në pushtet unë, më thoshte, pa hap gojën merr ç’të duash!”. Një hapje goje në atë kohë, më shkonte një hapje thesi me para. Ishin kohë të tjera ato, Kaso… Jo se Rama nuk më thotë “hap gojën”, por ç’ta hap kot?! S’ka akoma lekë Kaso.
– Meqë ra fjala te zoti Rama… A jua hap telefonin kur keni ndonjë problem të paktën?
– Telefonin?! Rama?! Kaso, kur dua, edhe ia hap, po pse t’ia hap? Le të vijë të më takojë vetë.
– Përse ju duan të gjithë, zoti Meta?
– E, mor Kaso, që mbete aguridhe mbete. Unë ta shpjegova pra. Kam ndjekur rrugën e duhur. Atë të bashkëpunejshën.
– Ç’është kjo bashkëpunejshën?
– Bashkëpunejshën, Kaso, në anglisht, i thonë bashkëpunimit.
– Zoti Meta, më falni që ju korrigjoj, por bashkëpunimit, në anglisht, i thonë “Cooperation”…
– Ouuu, po çne që gjithë drejtorët e LSI-së i thonë bashkëpunejshën? Ne kemi përzgjedhur njerëz të aftë që dinë anglisht! Po më çudit ky fakt… Ika, Kaso, t’u bëj mbledhje drejtorëve të LSI-së e t’u mësoj pak anglisht. Me këtë rast, e mësoj edhe unë…

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *