– Jam një djalë 20 vjeçar, që kam një pyetje për doktor Evi Danin. Problemet e mia fillojnë me disa fshikëza me qelb që i kam pasur në fund të barkut dhe anash organeve gjenitale, që më dilnin si puçrra. Ato kanë niur të rrallohen me kalimin e kohës, por kam frikë se më kanë sjellë probleme me spermën. A mund të ndodhë diçka e tillë, që të çrregullohet sperma ime?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – I nderuar 20 vjeçar, më duhet t’ju them që patologjitë e penisit mund të jenë të lehta, por edhe serioze. Shumë prej tyre janë sëmundje seksualisht të transmetueshme. Disa mund të jenë thjesht infeksione të lëkurës në zonën e pubisit. Në përgjithësi, këto janë patologji që duhen mjekuar te një androlog apo dermatolog, por në përgjithësi, nuk japin dëmtim në cilësinë e spermës prandaj qëndroni i qetë. Për pjesën tjetër mjafton të bëni një vizitë dhe ka dhe kurime lokale të vendit ku keni fshikëzat me qelb, ndaj bëni një vizitë mjekësore.