Unë që po ju shkruaj jam një vajzë që kam mbaruar maturën dhe nuk munda të futesha në shkollë të lartë. Shkaku për këtë është shoqja ime e shumë viteve. Nuk e di as vetë se si arrita të mos futesha në fakultet duke bërë atë që më thoshte ajo të bëja.
Unë, edhe babin, edhe mamin, i kam me shkollë të lartë. Babi është shumë i dhënë pas shkollës. Ai gjithmonë ka dashur që unë të shkoj në shkollë të lartë për Mjekësi. M’i plotësoi të gjitha kushtet dhe unë e zhgënjeva. Në fillim të shkollës së mesme u njoha me një vajzë e cila ishte shumë ndryshe nga unë. Ajo ishte e hedhur dhe shumë aventuriere. Edhe pse ishim dy tipe të ndryshme, unë rrija me të. Në fillim ajo kishte shumë shoqëri, po disa vajza që e kishin mendjen te mësimi iu larguan, kështu që mbeta vetëm unë me të, se më vinte keq ta lija vetëm.
Në vit të parë, ajo nuk kishte të dashur, megjithatë nuk kishte shumë dëshirë të mësonte. Vinte shpesh te shtëpia ime dhe më linte edhe mua pa mësuar. Babi e kishte vënë re këtë dhe më tha:
– E di që nuk është e drejtë të t’i gjej unë shoqet me të cilat duhet të rrish. Ela është vajzë e mirë, por më duket se nuk i ka shumë qejf mësimet.
– Më vjen keq për të, o ba, se nuk rrinë shoqet me të, prandaj dua ta mbaj afër.
– Në radhë të parë, duhet të të vijë keq për veten, se po i le mësimet, nuk arrin rezultate të mira në fund.
– Mos ki merak, babi. Unë jam njësoj si në nëntë vjeçare me nota. I kam të gjitha dhjeta.
Dhe në fakt, ashtu i kisha, sepse kisha mësuar shumë në 9-vjeçare dhe tani më duhej vetëm pak kohë për të marrë njohuritë. Edhe kur vinte babi në takim me prindër, mësuesit i thonin fjalë të mira, sepse ende nuk kisha rënë nga mësimet.
Kaloi viti i parë. Gjatë verës nuk takoheshim shumë, kështu që e kalova verën duke lexuar libra. I lexova të gjitha ato që na kishin dhënë mësuesit. Vendosa se në vit të dytë do t’u vihesha mësimeve dhe nuk do të lija asgjë që të më pengonte. Erdhi viti i dytë. Të dyjave na kishte marrë malli për njëra-tjetrën. U ulëm në të njëjtën bangë. Në fillim, si gjithmonë, mësimet nuk ishin edhe aq të vështira, prandaj unë e ndiqja shoqen ku na çonte ajo, mirëpo me vështirësimin e mësimeve e kisha të pamundur të bëja atë jetë që bënte ajo. Duhej të mësoja me orë të tëra natën që të kompensoja atë që kisha humbur ditën duke i shkuar nga pas. Atë vit, ajo kishte një të dashur dhe kur donte të takohej me të, më përdorte mua.
– Tri orët e para janë të rëndësishme! – më thoshte gjithmonë.
– Po të tjerat?
– Të tjerat nuk i kemi në provimet e maturës. Hajde të shijojmë jetën sa jemi të reja. Mua të rriturit më thonë gjithmonë: “Shijoji këto kohë se nuk të vijnë më”.
– Po mësimet?
– Ehu, dhe ti me mësimet!
Ajo nuk i donte mësimet, kështu që po më bënte edhe mua si veten. Më kishte thënë dhe babi se po t’i lija mësimet nuk do të mund të mësoja më pastaj, ndaj vendosa që për një kohë të mos i bindesha. Kur më tha se po e priste i dashuri, i thashë:
– Është i dashuri yt. Pse duhet të vij unë?
– Që të më shoqërosh.
– Po ne kemi testim. Si ta lë?
– Po s’ka gjë, na e përsërit zysha herën tjetër.
– Jo, jo. Unë nuk mund të vij.
– Si kështu? Pse po ma bën këtë?
– As ti nuk duhet të ikësh më nga orët e mësimit! Mund ta takosh pasdite!
– Ti e di që kjo është e pamundur! Pasdite nuk më lë mami.
Ajo u zemërua, megjithatë ndenji në provim, po kur mbaroi mësimi ajo iku dhe nuk më priti. E kuptova se i kishte mbetur hatri. Gjithë pasditen i telefonova, por nuk m’u përgjigj. Edhe të nesërmen ajo nuk foli me mua në shkollë, por nuk u largua orët e mësimit, ndenji deri në fund. U kënaqa se mendova se kishte zënë mend. Edhe pse nuk më fliste mua, të paktën për një gjë kishte shërbyer ajo zënkë. Kur befas pas një jave, ajo erdhi e më foli vetë e para. Të them të drejtën, u kënaqa sepse e doja pa hile. Kur dolëm nga shkolla, pashë të dashurin e saj me një djalë tjetër.
– Si jeni, bukuroshe?! – tha i dashuri i shoqes.
– Mirë jemi, po ju si jeni, bukurosha? – ia ktheu shoqja.
– Ne, shumë mirë! A keni kohë për kafe?
– Kush paguan?
– Ne, sigurisht.
– Hë, si thua? Tani e kemi mbaruar mësimin. – Më pyeti ajo mua.
Meqë ishte dita e parë që kishim folur pas një kohe të gjatë, nuk doja t’ia prishja. Shkuam në një lokal afër shkollës dhe nuk ndenjëm shumë se kishim hall mos na e kuptonin prindërit.
– A të pëlqen ai djali? Po deshe, i them unë dhe lidheni.
– I mirë është, por unë nuk e kam mendjen për këto punë.
– Po vetëm shoqëri, mi!
Në fakt, ai djali ishte i mirë dhe mosha jonë e donte ta kishe një shok për shoqëri. Dolëm edhe disa herë të tjera. Tani ajo e bëri rrugë duke ikur nga orët e mësimit, ndërsa unë ndalesha vetëm pas mësimit e pija ndonjë kafe. Megjithatë, edhe pse nuk i lija orët, nuk e kisha shumë mendjen te mësimet. Isha lidhur me atë djalin dhe nganjëherë dilnim edhe pasdite. Bënim sikur po takoheshim ne të dyja e takoheshim me të dashurit. Për fat, në fund të vitit të dytë ai iku në Gjermani dhe unë u lirova, mirëpo ishte tepër vonë për mësimet. Rrezultatet nuk i kisha ashtu siç duhej. U mundova, por nuk arrita të përmirësoja shumë lëndë.
Viti i fundit ishte edhe më i rëndësishmi.
– Këtë vit unë dua të mësoj shumë. Këtë duhet të bësh edhe ti! – i thashë shoqes në fillim të vitit. – duhet të shkojmë se s’bën në shkollë të lartë.
– Ashtu do bëjmë! – tha ajo. Unë e njihja se ajo nuk i kishte qejf mësimet, por mendoja se mos ndoshta ky vit do të ishte ndryshe.
Ajo këtë vit e filloi mirë. Bënte detyrat. Kur vinte te shtëpia ime, uleshim e mësonim. Kjo ishte një fitore për mua. Edhe pse dy vitet e tjera nuk mund t’i ktheja mbrapsht, të paktën këtë vit do dilja si duhet. Por nuk zgjati shumë sepse ajo ishte lidhur me një djalë tjetër. Ai ishte në të njëjtën shkollë me ne, vetëm se jo në klasën tonë, por në një paralele. Ajo nuk i linte më orët e mësimit, ama rrinte gjithë kohës në celular. Unë këtë herë isha më e pavarur prej saj dhe po ecja mirë me mësime, por kur nuk është e shkruar, nuk është. Ai djali, i dashuri i saj, ishte në njërën nga klasat më problematike të shkollës. Bëri një sherr dhe e përjashtuan, kështu që filloi avazi i vjetër. Ajo duhet të linte orët e unë ta ndiqja nga pas. Më shkoi ndërmend t’i thoja jo si në vit të dytë, por këtë herë ajo ishte e fiksuar pas tij dhe mendoja se ai mund ta fuste në rrugë të keqe. Shumica e nxënësve thonin për të se merrte dhe lëndë narkotike, prandaj nuk doja që edhe shoqja të përfundonte si ai.
– Nuk e kemi mirë kështu! – i thashë një ditë. – Ne duhet të mësojmë.
– Po çfarë po bëjmë ne? Mësimet i bëjmë pasdite. Ne i dimë këto gjëra që na shpjegojnë mësuesit!
– Duhet ta marrim më seriozisht. Unë për vete nuk dua të lë më orë mësimi.
Isha e sigurt që ajo nuk do të bënte të njëjtën gjë me mua. Për fat, mësuesit organizuan një takim me prindër. Babi u xhindos kur pa notat e mia. Ai mendonte se unë isha ekselente.
– Nuk do të dalësh më pasdite! Bëj çfarë të duash, unë dua rezultate të larta!
Këto fjalë i tha kur shoqja ime ishte aty. U mërzita kur më foli aq ashpër, por u kënaqa që i dëgjoi ajo e të bënte kthesë. Po asaj, nga njëri vesh i kishin hyrë këto fjalë e nga tjetri i kishin dalë.
– Kështu thonë gjithmonë prindërit! Mos e merr kaq seriozisht!
– Duhet marrë seriozisht! Ai e ka për të mirën time!
– Ehu, edhe ti sa serioze bëhesh nganjëherë!
E kuptova se ajo ashtu do të vazhdonte deri në fund të shkollës. Vendosa të paktën të mos lija orët e mësimit. Kur ia thashë, ajo u mërzit pak, por nuk bëri shumë naze. Megjithatë, gjatë gjithë orës së mësimit, kur unë doja të përqendrohesha, ajo më tallte:
– Shih, shih, njëra! Tani t’u shkrep ty të mësosh?! Po hajt mi se kopjojmë e do t’i marrim të gjitha dhjeta!
Sipas fjalëve të saj, ishte shumë e lehtë, por nuk doli kështu. Në provim unë nuk pata asnjë shanc që të kopjoja dhe nuk dola mirë. Me pikët e grumbulluara, nuk fitova asnjë degë. Në fakt, mirë m’u bë se gjithçka e kisha bërë me vetëdije.
Babi u xhindos dhe më tha se nuk e priste këtë nga unë. Tani shoqja iku te tezja në Amerikë e unë mbeta në shtëpi. Kështu përfundoi kjo histori që besoj se do të bëhet mësim për ndonjë që është në atë pozicion që isha unë e të bëjë kthesë sa nuk është vonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *