– Kam një pyetje në lidhje me pensionin: Kush e përfiton pensionin e posaçëm? Kam gjyshin tim i cili është i interesuar për këtë lloj pensioni, ndaj ju pyes…
– Sipas ligjeve në fuqi, Instituti i Sigurimeve Shoqërore paraqet këtë informacion për pensionin e posaçëm. Pensioni i posaçëm shtetëror është një shtesë që jepet me Vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave. Baza ligjore: Neni 5, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; VKM nr. 429, datë 12.09.2002 “Për kushtet e përfitimit, shumën dhe procedurat e dhënies së pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore”. Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë ata persona që: Kanë marrë pjesë në lëvizjet popullore, në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë, në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës; kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist. Dokumentacioni që ju duhet në këtë rast është: a) Kërkesa, propozimi për përfitimin ose shtesën e pensionit të posaçëm shtetëror, që bëhet nga: Personi i interesuar, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; organizatat ose shoqatat, nëpërmjet Këshillit të Qarkut të vendbanimit të personit; Titullarët e ministrive, ku punon përfituesi përkatës; Kryeministri; Kryetari i Kuvendit; Presidenti i Republikës. b) Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet, emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, vendlindjen etj. dhe duhet të jetë e shoqëruar me dokumentet që vijojnë: Fotokopjen e letërnjoftimit elektronik ose certifikatën e gjendjes civile; Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore nëse merr pension dhe masën e pensionit; Vërtetim të KMCAP-it për personat e paaftë për punë; Kopjet e noterizuara të dokumenteve që vërtetojnë meritat e veçanta, si titujt, medaljet, urdhërat etj; Kopjen e noterizuar të Statusit të të përndjekurit politik. Masa e përfitimit: Pensionin e posaçëm shtetëror e përfitojnë personat e sipërpërmendur si shtesë mbi pensionin që u takon nga sigurimet shoqërore, ose si pension nëse nuk përfitojnë pension nga sigurimet shoqërore; Pensioni i posaçëm shtetëror nuk mund të jetë më i ulët se pensioni bazë dhe as më i lartë se dyfishi i pensionit bazë, të miratuar në momentin e lindjes së të drejtës; Shtesa e pensionit të posaçëm shtetëror mund të jetë deri në kufirin maksimal, me kusht që shuma e pensionit që i takon nga Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” me këtë shtesë të mos kalojë dyfishin e pensionit maksimal. Uroj t’ju kemi ndihmuar sadopak. Faleminderit.
Advertisement