– Doktor Evi, a mund të më thoni kur duhet të kryej marrëdhënie seksuale që të ngel shtatzënë? Unë kam një cikël menstrual 28, ndonjëherë edhe 27 ditor. A e kam ciklin normal, apo jo? Pres një përgjigje. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Cikli menstrual që ju më përshkruani është ai më normali që duhet të ketë një femër dhe mundësitë për të ngelur shtatzënë do t’i keni, mjafton të mos keni probleme gjinekologjike ju apo probleme të tjera bashkëshorti juaj. Unë kam shkruar edhe më parë për këtë temë, por po jua jap përsëri informacionin e plotë. 70-80 për qind e femrave në botë e kanë ciklin menstrual 28 ditor. Ka edhe femra që kanë një cikël më të shkurtër apo më të gjatë, 25 apo 30 ditësh. Cikël menstrual quajmë periudhën nga dita e parë e gjakderdhjes e deri në ditën e parë të menstruacionit pasaardhës. Kjo periudhë i korespondon një ndryshimi në mënyrë të vazhdueshme të organit riprodhues, që përsëritet çdo muaj, deri në moshen 40 vjeç. Ndryshimi i organit riprodhues te femrat i korespondon shtimit në mënyrë graduale, ndryshimit të disa hormoneve, trashjes së murit të uterusit, sekretimit të përgatitjes së qafës së mitrës, përgatitjes së një veze dhe daljes së saj nga ovari, për në tubat e fallopit, ku do të bëhet fekondimi.
– Dalja e vezës apo pjekja është momenti më i rëndësishëm kur femra mund të arrijë një shtatzani. Kjo gjë ndodh në çdo muaj, në periudhën e ovulacionit, që u korrespondon ditëve 13-14 të ciklit menstrual, duke filluar nga dita e parë e ciklit. Dua të theksoj ditën e parë të ciklit, për arsye se shumë femra, në moshë të re, e lidhin periudhën e ovulacionit direkt pas përfundimit të menstruacioneve. Pra, për ta theksuar, mundësia më e madhe për të ngelur shtatzënë është dita 13-14 e ciklit menstrual, por edhe dita e 10 dhe dita 15-16, kanë një mundësi. Nëse do të bëjmë një mesatare, nga dita e 10 e ciklit deri ditën e 18, i rekomandohet çiftit që të bëjë akt seksual një herë në dy ditë, nëse duan të arrijnë një shtatzani. Kjo llogaritje, sigurisht, nuk vlen për ata që ciklin e kanë 25 apo 30 ditor e që mundësitë më të mëdha për të ngelur shtatzënë kanë përkatësisht, ditën e 10-11 apo 15-16.
Advertisement