Pas baladës mjaft të pëlqyer “Zemra e huaj”, këngëtarja Majlinda Dada duket se nuk iu ndahet baladave, pasi sapo ka publikuar një tjetër. “Ti nuk pate fat” titullohet kënga më e re, ku me siguri e kanë gjetur veten shumë të dashuruar. Por pse Majlinda vetë e gjen veten pikërisht në këto balada? Çfarë e mban atë në Zvicër? Kujt ia kushton ajo këngët? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, do t’i mësoni në këtë intervistë…

– Majlinda, kujt i thua në këngë “Ti nuk kishe fat”?
– Këtu ndoshta nuk kam shumë për të folur, pasi fjala i takon autorit të tekstit. Ai do të ishte personi më i përshtatshëm për t’u përgjigjur. (Buzëqesh)
– Deri tani, të kemi parë vetëm me balada… Ka të bëjë kjo me gjendjen tënde shpirtërore apo me faktin që baladat pëlqehen shumë?
– Ka të bëjë edhe me gjendjen time shpirtërore, por edhe me faktin se baladat janë një gjini që pëlqehen shumë nga të gjithë.
– Me baladat apo këngët ritmike je më tepër vetvetja?
– Unë jam universale në të kënduar, më pëlqen t’i këndoj të gjitha dhe në çdo zhanër gjej diçka nga vetja.
– Një tjetër baladë e jotja është edhe “Zemra e huaj”, me anë të së cilës përcillet një tekst mjaft prekës. Kush e ka realizuar?
– Është një këngë e realizuar nga Stine, por një pjesë të saj e kam krijuar vetë, pikërisht refrenin.
– Cila ka qenë kënga më prekëse që ke dëgjuar deri tani?
– Janë disa, është e vështirë të veçoj një apo një tjetër. Kohëve të fundit janë realizuar disa këngë të bukura.
– Dhurata më e bukur që do të të bëhej…
– Realizimi i një ëndrre që kam kohë që e pres; kjo do të ishte dhurata e duhur, madje ajo më e madhja për mua.
– Ekziston një tip mashkulli që Majlinda nuk do ta duronte dot?
– Pa dashur të veçoj nëse do të ishte mashkull apo femër, unë te njerëzit nuk duroj dot ligësinë; ajo më shqetëson shumë te një njeri.
– Lidhur me muzikën, ku nuk do t’ia falje vetes gabimin?
– Asnjëherë nuk i dihet çfarë ndodh në jetë, megjithatë, aktualisht, mendoj se nuk do t’ia falja vetes vendimin për të hequr dorë nga muzika.
– Je gjithmonë e kënaqur nga vetja?
– Nëse do të ishim të gjithë gjithmonë të kënaqur nga vetvetja, nuk do të ishim në gjendje të arrinim lart e më lart, kështu që ka gjithmonë vend për kritika dhe për përmirësim.
– Nëse familja do të ishte një pikturë, ç’ngjyra do të përdorje?
– Familja është gjithçka që njeriu mund të kërkojë në jetë, kështu që i përmbledh të gjitha ngjyrat e ylberit. Unë, kështu do ta pikturoja.
– E karakterizon veten më shumë si femra e fortë, me karakter të hekurt apo e brishtë, shumë feminile dhe tolerante?
– Unë jam e fortë, pa dyshim, por nuk më mungon as toleranca, në momentet e nevojshme.
– Çfarë do të doje të zgjaste për gjthë jetën?
– Muzika.
– Të metat që ia pranon vetes…
– Toleranca e tepërt kundrejt disa njerëzve që s’e meritojnë dhe bëjnë sikur s’kuptojnë.
– Njerëzve u pëlqen të rrinë në shoqërinë tënde, sepse…
– Duhen pyetur ata! (Buzëqesh)
– Çfarë do të kishe zgjedhur të ndryshoje me një shkop magjik?
– (Qesh) Shumë gjëra.
– Mendimi me të cilin bie të flesh?
– Asnjëherë mos i jep mendim dikujt që s’të kërkon mendim.
– Ke dikë, që u bë kohë pa e takuar dhe do të doje ta kishe pranë?
– Njeriun e zemrës sime, që më mungon shumë.
– Çfarë do t’i thoje?
– Gjithçka që i përket ndjenjës së fortë të dashurisë.
– Kush ta ka thënë fjalën e fundit komplimentuese?
– Pa marrë parasysh se për çfarë, komplimentet nuk më mungojnë asnjëherë.
– Ç’mendon për skandalet që shoqërojnë këngëtaret në përgjithësi?
– No coment.
– Në thelb, ti bën muzikë për veten apo për të tjerët?
– Unë muzikën e dashuroj në çdo dimension të saj dhe, duke e dashur kaq shumë, e realizoj së pari për veten, gjë që sjell reagimin e atyre që e dëgjojnë. Kështu, krijohet një reaksion zinxhir nga i cili dalin të kënaqura të dyja palët.
– Cila është këshilla më e mirë që të kanë dhënë?
– Janë shumë, s’mundem t’i veçoj.
– Për sa kohë, këtë këngë do ta ndjekin të tjera? Çfarë ke në mendje për vazhdimin?
– Kjo është diçka të cilën nuk mundem ta përcaktoj saktësisht, por di se në vazhdim do të punoj akoma më shumë dhe së shpejti, do të vij sërish me diçka të re, pasi po përgatis klipin tjetër. Nuk di të them kur sepse për këto gjëra nuk ka asnjëherë një afat kohor fiks.
– Të ardhmes, çfarë do t’i kërkoje?
– Jo shumë! Do të doja të jem kjo që jam, por shumë më e realizuar në profesionin tim.
– Je e zonja të rrish dhe të jesh mirë vetëm?
– E vërteta është që askush nuk ndihet mirë vetëm. Ka të bëjë me natyrën e njeriut, është nevojë njerëzore, nuk është është çështje zotësie.
– Cilat janë gjërat pa të cilat nuk bën dot?
– Tre gjërat më të rëndësishme në jetën time janë familja, dashuria dhe muzika. Vetëm pa to, nuk do të bëja dot në jetë.
– Ke bërë gabime?
– Nuk ka njeri pa gabime në këtë botë dhe këtu nuk mund të bëj përjashtim as unë. Vetëm Zoti është perfekt!
– Gabimi që nuk duhet ta bësh në këtë moment?
– Të mos jem e disponueshme për fansat e mi.
– Cili është mëkati i fundit që ke bërë?
– Nuk mendoj të kem shkuar kaq larg.
– Kujt ia tregon gjërat e tua?
– Vëllait tim, të voglit, Arbrit.
– Të pëlqejnë gjërat e programuara apo të rastësishme?
– Rastësia është mbret i botës thonë dhe nuk e kanë keq. (Buzëqesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *