Ka njerëz që nuk e kanë fare të vështirë t’i deklarojnë dashurinë e tyre njeriut që kanë zgjedhur, por disa të tjerë nuk janë kaq të shkathët në këtë ushtrim stili dhe spontaneiteti. Të gjithë duan të marrin deklarata dashurie, por për të dhënë, është diçka krejt tjetër! Si t’u japësh fjalëve «të dua» gjithë shijen e tyre, për ta bërë për vete zemrën e personit tjetër? Për t’jua lehtësuar punën, ne kemi zgjedhur për ju 5 skenarë të mundshëm…

Deklaratë dashurie dhe fantazi
Kush nuk ka ëndërruar të bëjë ose të marrë një deklaratë dashurie në mënyrë të egër dhe spontane, diçka mes fantazisë dhe realitetit? Në kthim nga një shëtitje, të mbështetur të dy pas portës, me buzët e bashkuara në një puthje të zjarrtë… Deklarimi i dashurisë me një intensitet të çmendur është pjesë e fantazive të gjithësecilit dhe që të gjithë do të donin ta bënin realitet. Vendi nuk ka rëndësi, por në përgjithësi, ai është i pazakontë: Në metro, ashensor, në pistën e skive, në një koncert… Gjithçka luhet nga efekti surprizë dhe intensiteti i pasionit.

Deklaratë me pompozitet
Një mundësi tjetër, një parapërgatitje e madhe! Si burrat, ashtu edhe gratë, mund të bëjnë një plan për t’i bërë gjërat si duhet dhe për ta befasuar tjetrin me klas. Në këtë tip deklarate, luhet me efektin spektakolar, vënien në skenë. Një fundjavë prej të dashuruarish, rezervuar prej kohësh, një restorant i paralajmëruar, në të cilin luhet muzika e preferuar e çiftit, një darkë që mund të përfundojë mbase me një unazë në fund të gotës me shampanjë dhe ku shpresohet një «po» e madhe! Kemi parë në internet edhe propozime të filmuara, të shoqëruara me muzikë, balerinë, ku ka qenë ftuar familja, apo shoqëria, propozime me banderola të lidhura pas aeroplanëve, etj. Mundësitë janë të pafundme!

Deklaratë në jetën e përditshme
Megjithatë, deklarimi i dashurisë nuk ka pse bëhet patjetër me përgatitje paraprake dhe me shpenzime të mëdha. Edhe në jetën e përditshme, me anë të gjesteve të vogla e përkujdesjeve, mund t’i tregosh tjetrit se e do, t’i japësh dashurisë edhe sigurinë, një premtim për përjetësi. Lule, një darkë me qirinj, një përkëdhelje, fjalë të ëmbla, të përshpëritura në vesh, një banjo me ujë të ngrohtë, e shoqëruar me qirinj. Edhe më pak krijuesit ndër ne mund të gjejnë ide të realizueshme dhe pa shpenzime. Janë gjërat e vogla që tregojnë dashurinë e tjetrit në jetën e përditshme. Sigurisht, një deklaratë pompoze është e bukur, por nëse ngelemi vetëm tek ajo, atëhere çifti fillon të mërzitet…

Deklaratë me shkrim
Shkruajini letra pas letrash, sipas mënyrës së Sharl Bodlerit. Kjo korrespondencë do të qëndrojë gjatë në shpirtin dhe mendjen e tjetrit. Një letër dashurie është një provë pothuajse e pashkatërrueshme, një dëshmi që të prek në thellësi të shpirtit. Nuk themi ne që fjalët i merr era, ndërsa gjërat e shkruara janë ato që mbeten?

Deklaratë me vepra
Jeni në fillim të një lidhjeje, ose edhe me tutje, por e dini se personi që keni zgjedhur është ai e duhuri? Ju doni t’i deklaroni atij/asaj dashurinë tuaj pa fjalë, por me vepra? Prezantojini familjen tuaj! Ku ka gjë më simbolike sesa ta presin në gjirin e vatrës që ju ka lindur e rritur?! Një nismë shumë më e fortë se fjalët dhe që provon se ju e keni seriozisht me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *