Ndërveprimi mes ushqimit dhe ilaçeve është një çështje shumë delikate, që nuk duhet marrë lehtë. Disa ushqime dhe pije mund të ndërhyjnë në veprimin e ilaçeve, domethënë, të pakësojnë apo shtojnë efikasitetin e tyre, apo të shkaktojnë efekte dytësore të padëshirueshme. Kështu, pra, nëse ju duhet të ndiqni një kurë me antibiotikë ose të merrni ilaçe për tensionin apo kolesterolin, më mirë lexoni fletën shoqëruese, ose konsultohuni me doktorin, për të njohur me detaje ushqimet që duhet të evitoni gjatë kohës që merrni ilaçet. Ja disa udhëzime të dobishme, që mund t’ju hyjnë në punë.

1. Ilaçet antihistaminike
Ilaçet antihistaminike përdoren në rastin e alergjisë dhë simptomave tipike të rrufës, sidomos kur kjo e fundit ka lidhje me alergjinë. Ato bllokojnë lëshimin e histaminës nga organizmi, kur ky i fundit bie në kontakt me substancën që i shkakton alergji. Specialistët këshillojnë të evitohen pijet alkoolike kur merr këto lloj ilaçesh, sepse mund të shtojnë efektin gjumëndjellës, tipik të tyre.
2. Analgjezikët dhe antipiretikët
Analgjezikët dhe antipiretikët përdoren për të lehtësuar dhimbjen dhe ulur temperaturën e lartë. Një prej tyre është acetaminiofeni, që merret në rastin e artritit, kur ke dhimbje dhe temperaturë. Këshilla për këtë ilaç dhe të tjerët është të evitohet alkooli. Në veçanti, acetaminiofeni mund të shkaktojë dëmtime në mëlçi që rrezikojnë të rëndohen nëse merren tre ose më shumë pije alkoolike gjatë ditës. Edhe nëse pi paracetamol, duhet të evitosh alkoolin, pikërisht për të evituar problemet e mëlçisë.
3. Fans
Fans, apo ilaçet anti-inflamatore pa steroide, përdoren për të lehtësuar dhimbjet, temperaturën dhe enjtjen. Bëhet fjalë për ilaçe që mund të blihen edhe pa recetën e mjekut. Ndër ta përmendim aspirinën, ibuprofenin dhe naproksenin. Doktorët këshillojnë t’i marrësh këto ilaçe me stomakun plot, sepse përndryshe, dëmtojnë stomakun dhe përsëri, të evitohen pijet alkoolike, sidomos për të evituar rrezikun e hemorragjisë në stomak.
4. Ilaçet për astmën
Në rastin e ilaçeve për astmën, të cilët përdoren për të zgjeruar bronket, doktorët këshillojnë të evitohen alkooli dhe kafeina, që mund të shtojnë rrezikun e efekteve dytësore, si marramendja dhe takikardia. Gjithashtu, duhet të konsultoheni me mjekun për të parë ushqimet që duhen evituar, në varësi të ilaçit që merrni.
5. Diuretikët
Këta përdoren për shkarkimin e ujit nga organizmi. Disa prej tyre mund të shkaktojnë humbjen e kaliumit, kalçiumit dhe magnezit në trup, por ka edhe nga ata që shtojnë nivelin e kaliumit. Në këtë rast, specialistët këshillojnë të evitohen ushqimet shumë të pasura me kalium, si bananet, portokallet, jeshillëqet dhe zëvendësuesit e kripës, që përmbajnë kalium. Nëse merrni tableta me kalium, duhet t’ia thoni doktorit.
6. Statinat
Këto janë ilaçe që shërbejnë për të penguar sintezën e kolesterolit. Ato mund të ndërveprojnë me lëngun e grejpfrutit dhe të shkaktojnë efekte dytësore. Për këtë arsye, është e nevojshme të bëni kujdes me lëngjet e frutave që pini, që të mos përmbajnë lëng grejpfruti.
7. Ilaçet për tensionin e lartë
Ilaçet që jepen për të ulur tensionin, mund të krijojnë efekte dytësore, në rast se keni një dietë shumë të pasur me kalium. Nëse konsumoni ushqime të tilla si banane, portokalle dhe jeshillëqe, mund të keni efekte dytësore të padëshiruara, si për shembull, rrahje zemre, nëse pini edhe ilaçe për tensionin.
8. Antikoagulantët
Disa ushqime mund të ndërveprojnë me efikasitetin e ilaçeve antikoagulante, duke reduktuar efikasitetin e tyre. Ata që marrin ilaçe për hollimin e gjakut, duhet të bëjnë kujdes me brokolin, spinaqin dhe ushqimet e pasura me vitaminë K. Edhe pijet, si për shembull çaji jeshil, mund të ndërhyjnë në efikasitetin e ilaçit. Perimet me gjethe jeshile, të pasura me vitaminë K, mund të anullojnë efikasitetin e antikoagulantëve, si Coumadini. Më mirë kërkoni më shumë informacione nga mjeku.
9. Benzodiazepine
Ky lloj ilaçi jepet në rastet e problemeve psikike. Marrja e tij bashkë me lëngun e grejpfrutit mund të pengojë enzimat e përfshira në metabolizmin e benzodiazepinës dhe të shtojë efektet e tij. Gjithashtu, këshillohet të evitohet alkooli, bashkë me ilaçet antidepresive, sepse kjo mund të shkaktojë efekte dytësore, si për shembull, gjumëndjellje dhe dobësi.
10. Antibiotikët
Ndërveprimi mes antibiotikëve dhe ilaçeve mund të ndryshojë në varësi të ilaçeve të merrni, prandaj këshillohet që, për informacione specifike, të konsultoheni me mjekun. Disa ushqime dhe pije që mund të ndërveprojnë me antibiotikët dhe në disa raste, të reduktojnë efikasitetin, apo të shkaktojnë efekte dytësore, janë: Lëng portokalli, pije që përmbajnë kafeinë, ushqime të pasura me fibra (që mund të ngadalësojnë thithjen e ilaçeve), bananet, vezët, djathrat, qumështi dhe nënproduktet e tij.

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *