– I nderuar Doktor Demiri, po lexoja një material që më mbeti në mendje, i cili thotë se dy kategoritë që bëjnë më shumë vetëvrasje në Amerikë, janë punonjësit e policisë dhe psikiatrit. Deri diku e kuptoj dhe e besoj për punonjësit e policisë, por psikiatrit, pse? Ata janë njerëz të ditur që duhet të shpëtojnë edhe të tjerët nga vetëvrasjet e jo ta bëjnë vetë… Jam sociologe dhe s’po arrij ta kuptoj. Me respekt, Marinela Tr.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar sociologe, e kam dëgjuar këtë gjë edhe herë të tjera, madje edhe nëpër seminaret jashtë shtetit. Besoj edhe ti e kupton se edhe policët e psikiatrit njerëz janë dhe atyre pikërisht u ka rënë për “hise” që të ndeshen me dy kategoritë më të vështira të njerëzve: Me ata që vuajnë nga “ethet e krimit” dhe me ata që vuajnë nga “ethet” e sëmundjeve të rënda psikike. Një miku im i çmuar, psikiatër Profesor Dragush Totozani, një ditë miqësisht më ka treguar vuajtjet që i ka shkaktuar profesioni i vështirë i psikiatrit, rreziqet e shumta dhe mbaj mend edhe një shprehje të tij: “Në shkencën tonë, kush hyn me pasion shumë të madh, mbetet brenda”… Eh, dakord, se edhe në një libër fetar diku kam lexuar: “mos merr e mos jep me gjithë shpirt”, që siç e kuptova unë, mos lër “copëra” të shpirtit tënd aty ku ti merr e jep, aty ku punon, dashuron, shërben etj. Halli i tjetrit është gjithmonë i tjetrit dhe kjo duhet të jetë motoja e punës, por në të shumtën e rasteve, nuk është aq e lehtë që kjo lloj motoje të funksionojë. Në një leksion me studentët e mjekësisë, unë, ndër të tjera, u thashë: “Kirurgu është ai që shpëton jetë njerëzish, por edhe mund t’i vdesin gjatë operimit. Pas punës, ai duhet t’i lërë hallet e punës atje, prapa shpinës, në spital dhe të lozë e të qeshë me fëmijët, të cilët mezi e presin, të hajë e të pijë, të bëjë dashuri normalisht me gruan etj. Vetëm nëse e lajmërojnë, duhet të shkojë në ndonjë urgjencë, ashtu sikurse hallet e shtëpisë do të duhen që të lihen pas te dera e spitalit, sapo doktori të veshë bluzën e bardhë”. Pasi ua shpjegova me detaje e hollësi këtë gjë studentëve, u dhashë një test ku u bëra pyetjen: “Përgjigjjuni me “po” ose “jo”, pyetjes: Je në gjendje të veprosh kështu kur të jesh doktor i ardhshëm?”.
Çuditërisht, shumica futën në rreth përgjigjen “jo”. Pavarësisht se unë i mirëkuptoj këta studentë, doktorët e ardhshëm, do të këmbëngul edhe tani që ata janë të diplomuar, që të mos e harrojnë këtë porosi. Kjo gjë vlen për të gjitha proceset, deri edhe te dashuria, pasi problemi në fjalë ka lidhje me dy fjalë thelbësore për njeriun: Shpërqendrimi dhe përqendrimi.
– Në lidhje me pyetjen tuaj për psikiatrit… Unë jam psikolog dhe të them të drejtën, psikiatrëve ua qaj “hallin”. Nëse unë e diktoj se një klient i imi ka tendenca për vetëvrasje, si psikolog klinicist, e “referoj” menjëherë rastin te psikiatri, duke bashkëpunuar edhe me familjarët, pasi vetëm me jetën nuk bëhet shaka, se s’pret puna ndoshta deri për nesër… Po psikiatri i “gjorë”, kujt do t’ia referojë? Aq më tepër që ka edhe forma të çuditshme sëmundjesh për të cilat bëhen mjekime paljative ose të gabuara, me pasoja, siç janë për shembull, depresionet e maskuara apo dhimbjet fantomë, për shembull, dhëmbët apo duart i sëmuri i ka proteza, por edhe i “dhembin”, pra, dhimbje fantomike të cilat nuk i shëron dot asnjë lloj ilaçi, vetëm hipnoterapia. E pra, këto lloj sëmundjesh, ec e gjeji. Ka edhe raste kur njerëzit bëjnë vetëvrasje pa dhënë fare “shenja” të dukshme paralajmëruese depresioni, ndaj ndodh që vetëm një sy tepër i stërvitur mund t’i dallojë e parandalojë këto raste. Ka të sëmurë me depresion që dëshirojnë ta vrasin veten, por kanë shumë frikë dhe mundet që nga turpi, edhe nuk tregojnë. Ndodh që doktori ia rikthen me ilaçe humorin, por ia shton edhe “trimërinë” dhe pikërisht kur janë më mirë, ata vrasin veten(!). Si është e mundur? Ndodhi kur bëmë “urra”, duke ngarkuar me shumë brengë, “akuza” e ndjenja faji personat që e trajtuan.
Ndjesë pastë, sapo u kthye nga Amerika ku punoi mbi një dekadë, profesori psikiatër Ulvi Vehbiu, kërkoi ndihmë e bashkëpunim për çdo rast me ne psikologët, kurse për fat të keq sot, disa nuk kërkojnë ndihmë e bashkëpunim as me ne psikologët, por as me kolegët e vet.
Pse psikiatrët vrasin veten? Sepse në punën që bëjnë ata, nuk ka lëvdata, ka vetëm përgjegjësi e dhimbje, vetëm “akuza”, pra, nuk shihet suksesi dhe për më tepër, nuk i ke “besë” suksesit se çfarë nuk ndodh, shkurt, nuk ka gjumë të qetë… Në qoftë se kirurgu ka sukses të menjëhershëm, si për shembull, nxjerr një gur nga veshkat dhe thotë: “Ja, shiheni gurin që nxorëm”, po psikiatri çfarë mund të thotë? Në qoftë se për çdo sëmundje, doktori ka mjetet dhe aparaturat, pa mendoni se çfarë mjetesh diagnostikuese ka psikiatri? Përveç fjalëve të të sëmurit, që nuk dihet se si i thotë apo ato të familjarëve?! Psikiatria bazohet më shumë te biokimia, por edhe ajo të gabon pasi ka shumë kundërshti. Për më tepër, është e vështirë të përcaktohen kufijtë e normalitetit dhe vështirë të gjendet se ku fillon patologjia. Për këtë arsye, edhe në vendet më të zhvilluara, shpesh, psikiatrit me famë kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Advertisement