– Kam një pyetje në lidhje me venat e zgjeruara. Kanë filluar të më krijohen shumë te këmbët dhe kjo gjë po më shqetëson. Pse më janë krijuar dhe a mund të më ndihmojë të ushtruarit në fitness, për t’i normalizuar ato? Theksoj që sa vijnë e më zgjerohen. Pres një përgjigje nga instruktori.
Mario instruktor: – Zgjerimi i venave, ose varikoza, siç njihet, ndodh si rezultat i qarkullimit jo të mirë të gjakut, shpesh, sepse muskujt e dobësuar të këmbëve nuk janë në gjendje ta qarkullojnë siç duhet gjakun nëpër vena. Sigurisht që të ushtruarit në fitness, siç ndihmon shëndetin në përgjithësi, ndikon shumë pozitivisht edhe në trajtimin e venave të zgjeruara. Stërvitjet e rregullta ndihmojnë po ashtu në parandalimin e krijimit të venave në pamjen e rrjetës së merimangës, që janë më të vogla se varikozat dhe në fillim, kanë ngjyrë si të kuqe, por më pas vijnë e zgjerohen, nëse nuk trajtohen siç duhet. Stërvitja fizike ndihmon shumë për venat e zgjeruara, edhe pse nuk mund të quhet kurim i plotë. Do t’ju duhet të bëni shumë stërvitje dhe duhet kohë që të shikoni rezultatin e duhur në zbehjen e këtyre venave të zgjeruara. Vetëm se, kini parasysh që kur bëni stërvitje, duhet ta bëni siç duhet, ndryshe mund të ndikojë për keq te venat. Aplikimi i presionit në muskujt të gabuar gjatë një stërvitjeje, mund të shkaktojë edhe lëndime dhe t’ju pengojë juve të nxirrni dobitë maksimale nga i gjithë mundi që bëni gjatë fitnessit.
– Aktivitete të tilla siç janë: Aerobia, ecja, vrapimi dhe të ushtruarit e biçikletës janë forma të shkëlqyera të aktivitetit fizik që ndihmojnë në parandalimin e varikozave venoze dhe venave në formë merimange, por ka disa ushtrime që kërkojnë mund më të vogël dhe të cilat, po ashtu, mund të jenë të dobishme. Më poshtë, po ju tregojmë dy ushtrime të vogla të ilustruara me foto, që ta keni parasysh për çfarë bëhet fjalë:
– Ushtrimin e parë e gjeni në figurën A.
Shtrihuni në shpinë totalisht drejt dhe vendosini duart anash vitheve, në mënyrë që të mos ju krijojë hark mesi dhe t’i ngrini këmbët lart, siç e shikoni në figurë. Bëni lëvizje të tilla me këmbët, duke i çuar drejt tapetit dhe ngritur lart, në lartësinë e gjoksit, në pozicionin shtrirë, siç jeni.
– Ushtrimi i dytë quhet: lëvizje gërshërë.
Shtrihuni sërish si më sipër dhe merrni shembull nga figura B. Krahët vendosini anash vitheve, ndërsa këmbët, mbajini të zgjatura. Filloni t’i ngrini këmbët ngadalë lart, në formë gërshëre dhe lëvizini lart e poshtë për disa sekonda. Më pas, bëni lëvizjen në kahun e kundërt. Bëjini këto ushtrime nga tre sete, me nga 5 sekonda.
– Një ushtrim tjetër të cilin mund ta bëni kudo, edhe në zyrë, është të qëndroni të ulur në karrige me shpinën vertikalisht. Ngrini të dyja shputat nga toka dhe filloni të stimuloni lëvizjen e biçikletës me këmbët tuaja. Ky është një ushtrim shumë i mirë sidomos për ata që qëndrojnë në zyrë gjithë ditën. Bëjeni këtë ushtrim disa herë në ditë, për 1 minutë kohë. Duke bërë këto ushtrime, çdo ditë, do të shikoni rezultate shumë pozitive në zbehjen e venave të zgjeruara, në parandalimin e variçeve dhe të çdo lloj varikoze. Ky informacion është i bazuar edhe te studimet mjekësore që u sugjerojnë herë pas here ushtrime të tilla personave që kanë tendencën të kenë vena të zgjeruara apo variçe.
Advertisement