– I drejtohem doktor Agron Islamajt… Jam një grua 46 vjeçe, që kam bërë tri rezonanca magnetike, të kokës, të qafës dhe të shtyllës kurrizore. Në rezonancën e qafës më ka dalë spondiliartrozë. Në analizat që kam kryer, sedimenti 44, ASLO 3, plus reumatizëm 2. Analizat e tjera dalin mirë. Kam dhimbje të padurueshme në shpatulla e në gjoks. Me këtë gjendje kam një vit, kam bërë mjekime, por pa rezultat. Çfarë më sugjeron, se nuk e duroj dot këtë gjendje? Ilaçet më japin aritmi. Faleminderit.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Sipas të dhënave që jepni, mendoj se ju vuani nga një spondiliartrozë e qafës (cervikale, siç e quajmë ne mjekët). Kjo është një sëmundje reumatizmale, e cila jep edhe pasoja nervore, si rezultat i shtypjes së formacioneve përreth (nerva e enë gjaku). Është ky shkaku që ju keni dhimbje qafe e midis dy shpatullave e ndonjëherë edhe në të dy krahët, ose mund të keni dhimbje koke, marrje mendsh e çrregullime të ritmit të zemrës. Analizat, kur sëmundja është në aktivitet dalin të rritura, pra, ato të gjakut periferik (në gisht) e atij venoz (në damarë), po kështu edhe grafia e qafës flet për praninë e spondylozës në qafë. Përsa i përket mjekimit, ky duhet të bëhet në konsultim me ne mjekët neurologë e reumatologë dhe në një kohë të dytë, edhe nga mjekët fizioterapistë. Për shembull, si mjekim paraprak mund të përdorni:
1. Stugerone 25 mgr. 3 x 1 kokërr pas buke.
2. Sol voltarene 3 ml. 1 ampulë çdo ditë në tule
3. Sol Dexametazonë 4 mgr. 1 ampulë çdo 2 ditë në tule.
4. Sol Neurobioni 2 ml. 1 ampulë në ditë në tule. Po qe se do të keni marrje mendsh, mund të përdorni edhe:
5. Betasercen 24 mgr. 2 x 1 kokërr ora 8.30-20.30.
6. Sol Neuromidini 0.5 % 1 ampulë çdo 2 ditë në tule.
Por, këshilloj që ky mjekim të bëhet pasi të jeni konsultuar me mjekët specialistë dhe në qoftë se ju nuk vuani nga tensioni i lartë, apo sëmundjet e aparatit tretës (si për shembull gastrit, ulçer e stomakut etj.). Vetëm kështu mendoj se ju do të përmirësoheni sa më shpejt dhe sa më mirë.
Advertisement