E lexuat gazetën Intervista këte javë? Kishte shumë intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shumë personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…
BUJAR NISHANI
Të enjten, Presidenti Bujar Nishani shpërtheu në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, edhe pse ai nuk e përmendi fare në Kuvend. Ç’pati vallë presidenti ynë i nderuar që iu sul aq egërsisht Kryeministrit? Mos kishte lidhje ky sulm me publikimin e skandalit me Kishën Katolike në Elbasan, e cila, sipas një vendimi gjykate do të prishet, në mënyrë që tokën ta marrë bashkëshortja e tij? Është e vërtetë ajo që shkruajnë mediat, se ai ka ndikuar te gjykata për prishjen e Kishës Katolike? Ja, këto pyetje deshëm t’i bënim presidentit tonë të nderuar por s’mundëm ta takonim këtë javë…
EDI RAMA
Me kryeministrin Edi Rama, këtë javë deshëm të bënim një intervistë në lidhje me tritolin që na u bë “i ditës” në Tiranë… Së pari, deshëm ta pyesnim për diçka që na bëri përshtypje: Pak orë pas atentatit, ai deklaroi se shpërthimi i tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ishte vepër terroriste e kryer si kundërpërgjigje ndaj punës së mirë që kishte bërë policia ndaj krimit. Nuk mund të rrimë pa e pyetur zotin Rama se, ku e dinte ai se kjo qe një vepër terroriste?! Po sikur nga hetimet të dalë se ajo s’kishte të bënte me të birin, por me të atin, pra, me biznesin farmaceutik të të atit të zotit Saimir, me konkurrencën, që, në fushën e ilaçeve është shumë e egër?! Na kujtohet, për shembull, që shumë kohë më parë, në redaksi na u ankua një sipërmarrës farmaceutik se kishte presione nga konkurrentët për të mbajtur artificialisht çmime të larta për ilaçet. Pak ditë më vonë, ai u rrah egërsisht në oborrin e shtëpisë së tij, pikërisht sepse nuk pranonte të ngrinte çmimin e ilaçeve që i shiste me një çmim normal, por më të ulët se të tjerët. Mund të ketë ndodhur kështu edhe me të atin e zotit Tahiri? Pse duhet të lidhet çdo gjë me politikën? Pse duhen dhënë përfundime pa u përfunduar hetimet, madje pa nisur mirë ato?!
Në fund, deshëm ta pyesnim zotin Rama: Pse duhet kopjuar Berisha që për çdo ngjarje e çdo bombë thoshte se është terrorizëm dhe vepër e Hakmarrjes për Drejtësi? Apo edhe Rama, ashtu si Berisha, e di që më përpara se kush e vë bombën apo tritolin?!
SALI BERISHA
Nuk intervistuam dot këtë javë as zotin Berisha. Atë deshëm ta pyesnim për diçka që na u kujtua të enjten, teksa dëgjonim sulmet e tij në Parlament ndaj qeverisë. Pikërisht në ato momente na u kujtua ish-presidenti francez Nikolas Sarkozi që, ditën e sulmeve terroriste në Paris, doli para kamerave dhe deklaroi haptas e qartë se “sot ishte krah presidentit Holandë, ishte në krah të qeverisë dhe e mbështeste atë plotësisht”. Të nesërmen, ai doli krah tij në manifestimin për paqen. Pse nuk ka ndodhur asnjëherë kështu me zotin Berisha? Pse nuk doli ai si kolegu i tij, Sarkozi, haptas, pro qeverisë as kur u sulmua Lazarati, as kur u hodhën në erë shtyllat e tensionit të lartë e as këto ditë, kur Tirana u trondit nga tritoli?! Sikur Rama të organizonte të dielën një manifestim në Tiranë kundër tritolit, do të pranonte ai të dilte krah tij? Apo do të organizonte një antimiting, siç organizoi për aksionin e qeverisë për energjinë elektrike?! Si do t’u përgjigjej zoti Berisha këtyre pyetjeve vallë?!
ERION VELIAJ
Me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliajn, deshëm të bisedonim këtë javë për bllokimin që iu bë atij nga disa të rinj të PD-së, në fshatin Ferras të Fierit, ndërsa ishte duke shpërndarë ndihma për të përmbyturit. Duam ta theksojmë që në fillim se jemi kundër bllokimit të rrugës për çdo njeri. Çdo njeri duhet të jetë i lirë të shkojë ku të dojë, pa e ndaluar askush, aq me shumë politkanët, por nuk na rrihet pa e pyetur zotin Veliaj: Pse duhej të shkonte vetë ministri shtëpi më shtëpi të çonte ndihmat? Kaq kohë të lirë ka ai? A nuk duket kjo më shumë si propagandë, sesa si dëshirë për të ndihmuar njerëzit?! Ministrin, në fund, deshëm ta pyesnim edhe për automjetitn me të cilin po udhëtonte, që ishte pa targa. E kishte vënë re ministri një gjë të tillë? Nuk kishte frikë se mos e ndalonte policia dhe e fuste në burg si Stresin, sepse udhëtonte me një mjet pa dokumentacion?
ENO BOZDO
Nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, deshëm ta intervistonim këtë javë për projektin e ri të parkimeve të Tiranë që, po e themi troç, na duket skandaloz… Ai deklaroi këtë javë se kështu veprohet në shumë kryeqytete të Europës. Do t’i thoshim zotit Eno se thjesht, po gënjen. Parkimet publike në rrugët ekzistuese nuk jepen me koncesion. Me koncesion jepen lejet e ndërtimit për parkimet e reja mbi e nëntokësore, sidomos për këto të fundit, ku investitori harxhon para, bën investimin, ndërton parkingun dhe pastaj merr të ardhurat për një kohë të gjatë, e zëmë, 35 vjet. Kjo është paktika botërore, zoti Eno! Nëse dini ndonjë shembull ndryshe, mund të na e thoni? Pse duhet t’i marrin privatët paratë e parkimeve buzë rrugëve në Tiranë? Çfarë investimi kanë bërë ose do të bëjnë ata? Pothuajse asnjë investim. Vetëm do të vjelin para. Pse të mos e bëjë bashkia këtë gjë? Jo vetëm që hap vende pune, por edhe siguron të ardhura të paktën për të mbuluar gropat e trotuarëve dhe mbushur ato të rrugëve, se kemi frikë kur ecim… Dhe, nuk janë pak. Me një llogari të thjeshtë, del se nga parkimet ka një të ardhur rreth 500 mijë euro për 24 orë. Me siguri, disa mijëra prej tyre do të përfundojnë edhe në xhepin tënd ose të kryetarit, apo jo, zoti Eno? Dhe, jo për një muaj a dy, por për plot 35 vitet e ardhshme, sa ç‘është kohëzgjatja e koncesionit që keni propozuar ju…
(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)