Në 27 tetor, e shtrenjta jonë, Kida, mbush 9 vjeç. Ajo është e shkathët, e bukur si lulja nga ka marrë emrin, e mirë dhe na gëzon shpirtin çdo ditë. E urojnë edhe 100 vjet të tjera të lumtura, shëndet e fat në jetë, mami, babi, motra, vëllai, gjyshërit dhe të gjithë njerëzit e dashur.

 

Të gjitha lulet ishin mbledhur një ditë

dhe vendosën të bënin sfilatë

për të parë se cila prej tyre

Ishte më e bukur dhe më e gjatë

 

I pari në radhë sfiloi trëndafili

i bukur ishte s’ke ç’thua

me lulet erëmirë dhe plot ngjyra

të gjitha lulet e pranuan

 

I dyti zambaku ish në radhë

i hollë ish dhe elegant

ecte me stil dhe me krenari

i sigurt për vendin vakant

 

Kështu me radhë gjithë lulet kaluan

por juria s’dinte të vendoste

Lulebora, jasemini, karafili

titullin kujt t’ia dhuronte

 

Veç një lule kish mbetur pa dalë

elegante, e bukur, plot stil

ekzotike dhe me kokën lart

më e bukur se një trëndafil

 

Kështu lulet vendosën njëzëri

Orkidenë të zgjidhnin të parë

se si ajo nuk kish tjetër

në gjithë botën anë e mbanë

 

Kështu Orkideja ka mbetur

Mbretëresha e luleve dhe sot

dhe të gjitha vajzat me emrin e saj

janë më të bukurat në botë.

 

 

Pershendes zemren time Nardin që e dua shumë. Nga Xhelozja e tij.

Përshëndes z. Durims Sosurin, z Bashkimin, Sajmirin, Rildin, Jetmirin, Florën, Lozonjaren, Lorenen, Ellen, Nënën Violen, Anen, Garipin, Denisen, Klaren, Dorinen etj. që janë pjesë e rubrikës pyetje-pergjigje. Ju uroj një fundjavë te bukur dhe te kendshme. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

Një përshëndetje te veçantë e bej për autorin Bledi Yllin, Alban Arapin, Aida Prevezin, Luljeta Pacollarin, Ylli Jahon etj., që janë pjesë e rubrikës “Poezia juaj”. Urime dhe komplimente për poezitë tuaja. Ju uroj një fundjavë të këndshme juve dhe familjeve tuaja. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

Nje përshëndetje e bëj për shkrimtarin Flamur Bërdëllima. I uroj një fundjavë të këndshme zotit Flamur dhe familjes së tij. Me respekt, nga Xhelozja e Nardit.

 

 

Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:

– Ky urim është për një grua të re që nuk e njoh, por e shoh disa herë në javë që bie (sjell) djalin e saj te gruaja e mikut tim P. Dervishi e cila i bën mësime shtesë në muzikë. Mrekulli! Po, nëna e këtij djaloshit të vogël nuk ngjitet lart. Rri aty, poshtë, në oborr, e mbështetur lehtas pas një garazhi. Kështu, edhe në errësirë apo të ftohtë, duke qëndruar gati e palëvizur, si ushtari në vend roje. Si ata të Presidencës, kur vijnë delegacione. Në këtë rast, kuptoj më mirë se ç‘janë shtysat e plota dhe të vetvetishme të një nëne. Kurse, si paraqitje… A, si paraqitjet! Më bën të dal nja 25 herë në penxhere. Po këtë urim e kam për pjesën e nënës së devotshme për këtë grua simpatike. Urime dhe t’u bëftë djali artist i madh!

– Në greqishten e vjetër, “Perister”, i thonë një shpendi të egër. Dhe, ashtu si një pëllumb i egër, del nga shpirti yt dhimbja në këngën “Si po jetoj”. Nganjëherë më duket, sikur fabula e këngës, ka të bëjë me diçka personale tënden, dhimbje. Po, lus Zotin, jo! E ke qarë këtë baladë, njëlloj si e mëparshmja! Je një nga dobësitë e mia ekstreme edhe pse i ngjan pikë për pikë Anidës, një prej dhimbjeve 40 vjeçare që kam në shpirt. Dhe pastaj: ku e ke atë buzuqin ku këndon? Por, do ta gjej, do ta gjej se s’bën! Të uroj kaq fort, ty, njeri i bekuar!

– Dhe dalim prapë tek ajo që thotë Hegeli: “Nuk ka dukje (shfaqje) pa thelb”. Sado larg të jetë në kohë, thelbi i festimeve të së hënës, dt. 13/10/2015 për kombëtaren shqiptare, thelbin e ka në vitet 1830, pastaj 1878, duke kulmuar me 1912. Kombi, qe kryefjala e thelbit të luftës. Kombi, edhe me këngët e kënduara me aq shpirt nga mijëra e mijëra te sheshi “Nënë Tereza”. Një komb vdes, kur vdes shpirti luftarak, i njerëzve të tij… Epo deri atëherë, kemi edhe disa mijë vjet përpara. Tani… Ah tani! Le të festojmë dhe fort madje: Ohej, ohej, o sa mirë me qenë shqiptar. Ju siguroj që në këto çaste i kam sytë me lot. Urime të gjithëve, veçmas e kam thënë, Lut çamit (Lutfi Nurit) që e shqyen edhe zemrën për kombëtare. E di që e bën. E njoh!

– Unë erdha të takoj mikun tim Marko Bello, aty te Akademia Profesionale e Biznesit. Ishte data 13/10/2015. Dhe… Më mrekulluan fytyrat plot dritë të studentëve. Me ëndrra përpara. Të bukura, të pastra. Përshëndeta edhe mikun tim Enrikon. Çim Fortuzin, nuk e gjeta. Dhe, e di si është puna, i dashur Ylber Bezo, miku im dhe rektor aty? Puna është, se ke bërë zgjedhjen më të mrekullueshme në jetë! O Zot, të falënderoj për atmosferen e atij mëngjesi, të freskët, plot diell dhe me fytyra të qeshura studentësh. E ku ka më bukur?! Urime të gjithëve! Një vit i mbarë shkollor!

– Në këto çaste që po shkruaj këtë urim (14/10/2015), ora 11.25, më kujtohen vargjet lapidare të Dritëro Agollit: “Shpesh kalojmë pranë bukurisë, pa e vënë re atë”. Është fjala për “Polisin”. I dashur Pedagog i Universitetit “Polis”, miku im i shtrenjtë Arben Shtylla! Përveç emocioneve si ish-mësues, unë u pataksa nga zgjidhja arkitekturore e universitetit “Polis”. O Zot, sa dritë, çfarë kombinimesh me funksionit dhe formës… Dhe pastaj vjen fjala jote: Studentët e arkitekturës, edhe godinën duhet ta kenë si një leksion që e “lexojnë” përditë. Unë do thosha: Edhe e shijojnë. Urime të gjithëve, i dashur Ben. Ajo shkollë është një fat për Shqipërinë! Suksese!

V.O. Të lutem këtë urim tregojua edhe 4 bashkërektoreve dhe pa të keq, edhe asaj kinges juriste. E bukura është e bukur, Beni! Ti e di vetë, se bën përditë sport nga liqeni. Të përqafoj fort!

– I dashur Haxhi! Gjatë një interviste që më bënë për librin tim më të ri (të cilin po ta dërgoj), rimbrojta idenë se Çimi, djali yt, është një nga aktorët më fin të humorit shqiptar, kurse gazetar. B. Malo ishte i dhënë fort pas teje. Aferim. Këtë urim po ta bëj për trasmetimin ciklik herë pas here të këngës “Potpuri Dasme”, të kënduar nga Bledi. Është aty një djalë, me sy të qeshur, që pasqyron një gëzim kaq të sinqertë, kur i bie defit (dajres). Jo i bie, por e qan. Emrin nuk ia di, po përmes teje i uroj fort lumturi në familje. Të përqafoj fort, Haxhi. Të fala Çimit!

– Është mëngjes, sapo jam kthyer nga Liqeni. Nxitoj të hedh këtë impresion: Aty, te liqeni, në çdo orë ka diçka trashedentale. Me shije perëndie si me thënë: Në moshen 62 vjeç, takoj ata që i kam takuar kur isha 22-23 vjeç. Pedagogët e mi të asaj kohe. Pyes, kaq të rinj paskan qenë? Se, ja ku është Omeri i Ekonomikut, dobësia ime. Pastaj, Gjovalin Gruda i humorit të famshëm, që më jepte gjeomorfologji. Mirëpo, më herët ka dalë Astrit Kallafa i Ekonomikut. Kurse Agron Gani (më xhymerti edhe sot) del me gruan. Revolucionin Francez, nga ai e mësova. Vijon Vasil Kristo i Gjeografisë Fizike dhe e mbyll ai që e dua si baba, Isa Gorica i organizimit, në Ekonomik. Mirëpo kanë kaluar 40 vjet. Ka diçka që nuk e shpjegoj dot. Ajo që di, është se i dua, o Zot, sa fort dhe u uroj sa më shumë “Liqen” në jetën e tyre! Jetë, njeri, jetë!

– Fjalëpak, kampion, zemërflori, me një adhurim për Perëndinë! Kjo do të qe një CV e shpejtë për ty, Sait Fishta. U ngroha shumë mëngjesin e Dt. 16/10/2015, edhe (pra, jo vetëm) nga emri i njërit prej shokëve të tu, Virtut Sokoli. Sinqerisht, ma bëre të bukur atë ditë, ti Sait, që ke ndikuar shumë në ndërgjegjen time, në raport me Zotin e madh. Të përqafoj fort!

– Çfarë t’i bëj unë fqinjës sime, Lenit?! Është 80 e kusur vjeç, dhe… lexon librin tim. Dhe, tak-tuk, ngjitet që të më urojë. “Se e ke bërë si kartolinat dikur”, më thotë. Dhe thotë të vërtetën. Shkurt. Atë që mund ta thuash në 20 radhë, mund ta thuash edhe në 10. Të përqafoj fort, uroj gjyshe fisnike, Leni, dhe ma puth fort mbesën Elsën, që më pataks me performancen e saj. Urime!

– Ca, te nënkresa (jasteku), mbajnë pistoletën, ca të tjerë libra ose foton e… asaj. Unë mbaj telefonin… Mirëpo, më kishte zënë një gjumi atë ditë shiu (16/10/2018) dhe ishe në një ëndërr, që çe pyet. Gjithsesi jo u gëzova, po u lumturova, që ishe ti Zef Noka, nga Luzi i Fushë Krujës. Në fakt je nga Gojani i Pukës, po tani jeton aty, ti shoferi trim i Fierzës, miku im, që të takoj sa herë shkoj në Lezhë apo Shkodër. Të uroj gjithë të mirat, Zef Noka, të fala, edhe atij djalit, ngjitur me ty, tek i cili ble mish gici të freskët, sa herë më bie rruga. Ju përqafoj fort!

– Në fillim urova Agronin, sepse numrin tënd nuk e di, i dashur Armand. Po tani, përmes kësaj rubrike, po të them “Të uroj me zemër për titullin “Mjeshtër i madh”, akorduar për rezultatet e Kombëtares së futbollit. Brenda vetes, më ndrit dëshira që të ishte edhe Veri gjallë dhe të gëzohej për të birin. Gjithsesi, ai na sheh nga Parajsa, kurse ti, edhe një herë, urime të sinqerta Armando Duka!

– Nganjëherë, edhe një gjest i vogël, plot pafajësi, të kumton (përcjell) emocione të mëdha. Fjala vjen, ngritja e dorës (si të ishte oficere) e një prej punonjësve aty te Posta, ku unë dërgoj zarfat me urimet e “Intervistës”. Një dorë që më thotë “Mirëseerdhe”. Dhe për humor, shpesh është dora e majtë. Epo ç’të them unë për ty, mor njeri?! Më thuaj, ç‘të them, zonjusha Paja? Dy vjet që mërzitem vetëm dhe vetëm kur nuk je në turn, edhe pse Enkeleda është aq e mirësjellë. Ju uroj të dyjave, kaq shumë gëzim! Urime!

– Mall i kristalizuar në gjendjen “Bio”, ishte ai që më doli nga kraharori kur pas kaq muajsh, të pashë përsëri i dashur Kastriot Muço, ish-drejtuesi im në KSSh dhe shok e mik i ngritur brenda meje. Lëvizim në të njëjtën pistë, por duket që ndryshon orari. Gjithsesi, kjo më bën të ndihemi më të përmalluar. Të uroj gjithë të mirat, i dashur Kaçi! Të kujtoj edhe me Ilda Degën dhe Stefan Vuçanin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *