Jam një vajzë 27 vjeçe. Historia ime fillon në vitin 2000, kur ende kishte armë kudo në Shqipëri. Isha 15 vjeçe atëhere, jetoja me mamin, vëllain e vogël dhe gjyshërit e sëmurë… Babai kishte pak kohë që ishte larguar ilegalisht për në Itali, për të pasur ne një jetë më të mirë. Jetonim të qetë, edhe pse ishim të varfër. Me babin flisnim 2 herë në javë në telefon. Aq e kishte ai mundësinë të kontaktonte me ne, sepse mundohej me mish e me shpirt që vetëm të kursente. Gjithçka po shkonte për mrekulli. Edhe pse nuk ishim mirë nga gjendja ekonomike, jetonim të lumtur sepse kishim njëri-tjetrin, derisa një ditë na morën në telefon dhe na thanë që babi im që punonte në ndërtim kishte rënë nga skela dhe, meqë punonte në të zezë, pronari thjesht e kishte çuar në spital dhe e kishte lënë aty. U shqetësuam vërtet shumë. Ai kishte nevojë për ndihmën e kujdesin tonë dhe ne nuk i ishim pranë. Duhet të shkonte dikush, të kujdesej për të e ta identifikonte sepse nëse nuk shkonte asnjë, spitali e nxirrte dhe e linte në mëshirë të Kryqit të Kuq dhe shoqatave të emigrantëve. Mami nuk shkonte dot për shkak të vëllait. Asnjë kushëri nuk e mori përsipër. Ndodheshim në një situatë mjaft të vështirë dhe askush nuk po na ndihmonte. I thashë mamit se do të ikja unë, por ajo u shokua vetëm nga mendimi se një vajzë mund të nisej fare e vetme për në Itali, kështu që ika pa lejen e saj, takova vetëm gjyshen e cila më dha disa para që t’i kisha me vete. Preva flokët si djemtë dhe ika në Durrës, e bindur se askush nuk do ta kuptonte që isha vajzë. Në port, u përpoqa të hipja në disa tragete, por më nxorën disa herë me të shtyrë. Kur më morën nga trageti i fundit, një grua me tre fëmijë të vegjël, më tha:
– Ik biro, se nuk të lënë qenat të kalosh. Të ishte për mua, ikja andej nga moli dhe hipja në gomone, po kam hall se më vdesin fëmijët.
E pyeta se ku ishte moli dhe u nisa. Po errësohej. Eca përgjatë bregut 2 kilometra duke fshirë lotët dhe duke pëshpëritur: “Do vij, babi, ke për ta parë, do vij e do të të gjej. Gjallë a vdekur unë do vij!”. Nga larg, pashë zjarr e u afrova. Ishin rreth 50 vetë dhe 4 gomone. Iu afrova njërit prej pronarëve më të vjetër të gomoneve dhe iu luta e iu përgjërova që të më merrte edhe mua, po më tha: “Ik se nuk hyj në gjynah me fëmijë”. Duke qarë, i shpjegova hallin që kisha. Më në fund, pas shumë lutjesh e përpjekjeve të mia, më tha:
– Hip, se nuk je shumë i rëndë, por me kusht që çantën të mos e marrësh!
U detyrova ta lija çantën dhe mora me vete vetëm qesen e bukës. Hipa në gomone. Ishim 12 vetë. Në det të hapur bënte ftohtë. Dridhesha dhe kisha shumë frikë. Një djalë rreth 18 vjeç më dha xhaketën e tij që të mbështillesha. Hapa qesen e bukës që kisha marrë me vete dhe ia dhashë atij gjysmën. Ai u hutua, por e mori. Më zuri gjumi në kraharorin e tij dhe u zgjova nga të thirrurat. Kishte dallgë dhe gomonia po rëndohej. Ai që po e drejtonte tha se njërin do ta hidhte në det që të shpëtonin të tjerët. Unë isha aty pa paguar, por ai nuk më hodhi mua. Gjeti atë që ishte më i shëndoshë dhe e hodhi. U tmerrova! E pashë me sytë e mi tek po mbytej e thërriste: “Ma bëj hallall, nanë…”. U shokova, por nuk nxora zë. Më zuri përsëri gjumi dhe, kur u zgjova, nga larg dukej toka italiane. Njerëzit, nga gëzimi, harruan se ishin në gomone dhe po kërcenin. Nuk e kuptova mirë çfarë ndodhi sepse isha përgjumësh, por gomonia po fundosej dhe kësaj rradhe do të vdisnim të gjithë. Ishim 1 kilometër larg bregut dhe unë not nuk dija. Po mbytesha, por në momentin e fundit një dorë më kapi nga beli. Ishte djali që më dha xhaketën… Tre metra më andej ishte një rrotë që, nëse e kapnim, shpëtonim, por ne po fundoseshim.
“Ik, i thashë, shpëto veten!”, por ai nuk më lëshoi. Arritëm të dilnim deri në breg me ndihmën e atij objekti. Ishim të lodhur për vdekje. Në Bari kisha një kushëri të mamit. E kisha shënuar numrin e tij të telefonit. Ai do të më merrte kur të mbërrija dhe do të më çonte në Gjenovë, atje ku ndodhej babi, por në breg, kur më thanë të lija çantën, unë e kisha harruar numrin aty. Ai djali që më shpëtoi quhej Gjergji dhe ishte nga Puka. Kur e pyeta pse më shpëtoi, ai tha:
– Sepse ti ndave bukën me mua, duke e ditur që në Itali do të vdisje urie. Ti je njeri i mirë…
Ai vendosi të më ndihmonte të gjeja babin dhe pastaj, secili në jetën e vet. Në Bari blemë një kovë e dy sfyngjera që të pastronim makina, por askush nuk ndalonte sepse ne ishim shumë të pisët. Më kujtohet një grua e cila më dha lek vetëm që të mos ia prekja xhamin. Na u mbushën sytë me lot të dyve nga veprimi i saj. Sa të bënim lekët e biletave, nuk do punonim më aty. Të nesërmen njoha dy shqiptarë. Ata më thanë se ishin punësuar në një fabrikë që bënte lëng frutash. Më sollën 9 arka me portokalle dhe një shtrydhëse mekanike. Në mbrëmje, erdhën dhe morën lëngun. Kështu vazhdova një javë. Duart m’u enjtën e m’u bënë me puçrra. Bukë haja pak sepse një pjesë e ruaja për Gjergjin. Pasi kaloi një javë, shkova të merrja paratë që më takonin nga puna ime. Pronari më pyeti nga isha dhe unë i thashë të vërtetën për gjithçka. Ai u prek nga historia ime dhe vendosi të na i blinte ai biletat për në Gjenovë. Të nesërmen u nisëm. Sapo mbërrita, mora mamin në telefon. Për fat të mirë, numrin e saj e mbaja mend përmendësh. Ajo e shkreta kishte ardhur me një frymë për të folur. Kishte një kohë të gjatë që nuk merrte asnjë lajm për mua. Ishin bërë të gjithë shumë merak, madje atë ditë mami më thoshte: “Mirë për babin e dinin që ishte i sëmurë, por po na mbyste meraku për ty…”. I thashë mamit që babin do shkoja ta takoja dhe i tregova shumë shkurt për Gjergjin që më kishte ndihmuar. E ndjeja nga zëri i saj që u lumturua pa masë që e mora në telefon, i dridhej zëri kur fliste dhe pothuajse shumicën e kohës gjatë bisedës vetëm më pyeste a isha mirë me shëndet, sikur ajo të kishte ndier diçka që nuk shkonte me mua dhe ishte e shqetësuar, por ç’t’i tregoja unë? Ajo, pak e merakosur ishte që më kishte larg e nuk më shikonte me sy, t’i tregoja edhe ato që kisha kaluar, nuk kishte kuptim. Vetëm i thoja se babin do ta takoja dhe isha e bindur se ai do të ishte mirë. I thashë se do ta lajmëroja për çdo gjë, sepse ata vërtet ishin në merak, për ne të dy. Babi ishte akoma gjallë, në të njëjtin spital. Shkuam atje në spital, ku ishin gjashtë emigrantë shqiptarë me të njëjtin dëmtim. Babi ishte i parafundit. Ai ishte rrënuar shumë dhe qau nga gëzimi kur më pa. Kaluan disa ditë e unë e Gjergji flinim në Gjenevë, në hyrje të një pallati. Gjergji, që tashmë e kishte kuptuar se unë nuk isha djalë, por vajzë, kujdesej në maksimum që të ruante distancën me mua. Një ditë, drejtori i spitalit na thirri për të paguar faturën. I thashë që nuk kisha gjë tjetër veç shpirtit dhe nëse ai do të lajmëronte policinë, neve do të na kthenin në Shqipëri.
– Atje, i thashë, kam vetëm një shtëpi që po ta prekësh me dorë tundet. Nuk kam asgjë tjetër.
Ai nuk na bëri keq, përkundrazi, na gjeti një punë në lavanderi ku do të hekurosnim çarçafë. Ishte një mrekulli për ne! Kishim një strehë dhe ishim në spital, afër babit. Pas 3 muajsh, babi doli nga spitali dhe aty u bë i gjallë një kushëriri i tij, që i gjeti një punë në karburant. Ne u kthyem në dhomën ku kishte jetuar babi më parë. Më ne erdhi të jetonte edhe Gjergji. Filloi punë edhe ai, por pas disa muajsh, atë e mori në telefon daja që jetonte në Parma dhe ai do të largohej. Do të më mungonte tmerrësisht shumë miku im që më shpëtoi jetën e që më respektoi si një motër. Pas një viti, ne morëm edhe familjen dhe u rregulluam mirë. Unë fillova shkollën. Kaluan 5 vjet dhe çdo ditë e kujtoja malësorin e ndershëm që më ndihmoi. “Eh, sikur ta takoja një ditë!”, mendoja. Ai njeri u tregua një mashkull i vërtetë me të gjitha cilësitë e mira që kishte dhe pavarësisht se ne të dy ishim në një situatë mjaft të vështirë, nuk u dorëzuam asnjëherë, të dy ishim të guximshëm, donim të arrinim atë çka i premtuam njëri-tjetrit dhe ia dolëm. Unë mendoj se gjërat e mira duhet shumë kohë për t’i arritur, ndërsa e keqa bëhet shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë, siç i ndodhi fatkeqësia babait tim.
Një pasdite, në sallën e leksioneve erdhi një djalë që kërkonte çantën e profesor Luigjit. E njoha nga zëri… Tashmë ishte një djalë i bukur, i pastër, ishte ai, Gjergji! U përqafuam me mall të madh. Ai më tha se tani po punonte si shofer i pedagogut tim. Sa shumë mall kisha për të! Doja ta përqafoja fort e t’i tregoja sa shumë më kishte munguar gjithë atë kohë që nuk ishim parë. Ai kishte 2 vjet që më kishte kërkuar kudo nëpër Gjenevë. Më kishte kërkuar kudo ku kishim qenë bashkë dhe kurrë nuk i kishte humbur shpresat.
Pas disa muajsh, ai më tha se më donte, jo thjesht për t’u lidhur, po për t’u fejuar. Isha shumë e lumtur për këtë gjë, sepse edhe unë e doja shumë. Tashmë ishte i bindur që më donte. Me tha:
– Të kisha pranë kur ti ruaje bukën tënde për mua e kur flije përtokë për mua dhe kjo është dashuri e vërtetë. Tani që të rigjeta, ti je prapë po e njëjta vajzë e brishtë dhe unë dua të martohem me ty. Të lutem, më prano, kjo është dashuri e vërtetë!
Unë fillova të qaja nga gëzimi. Fjalët e tij aq të bukura e të goditura më bënë që të mos përmbahesha. Nuk e kisha menduar asnjë moment që mund t’i dëgjoja ato fjalë nga goja e Gjergjit, me të vërtetë e kujtoja shumë shpesh dhe më kishte marrë malli për të, por nuk e mendoja se një ditë do të ishte ai mashkulli që do të më propozonte për martesë. Ne u fejuam me dëshirën e të gjithëve dhe tani, unë jam një femër shumë e lumtur që kam përkrah një mashkull si Gjergji. E quaj veten me fat. Tashmë kemi një djalë që e quajnë Noa dhe jemi shumë të lumtur. Zoti na ka bekuar me një engjëll të vërtetë. Ai është arsyeja e gjithçkaje që bëjmë dhe na e zbukuron jetën çdo ditë e më shumë. Është gjithçka për ne të dy, lumturia jonë. Mendoj se një ditë do të jem vërtet krenare nëse im bir i ngjan të atit me cilësitë e mira që ai ka sepse mbi gjithçka tjetër në jetë mendoj se duhet të jetë njeriu. Gjergji dhe Noa janë dy dashuritë më të mëdha të jetës sime, janë arsyeja pse unë ekzistoj, më bëjnë që çdo ditë ta jetoj ndryshe, pa monotoni e pesimizëm. Ata janë fryma ime. Gjergji më thotë shpesh që dëshiron të kemi edhe një vajzë e cila do që të më ngjajë mua dhe Noa të ketë një motër e të jetë një fëmijë shumë i lumtur. Për gjithçka që kam deri më sot, i them faleminderit të madhit Zot që kishte caktuar një fat kaq të mirë për mua, sepse mendoj se deri ditën që kemi lindur, jeta jonë është si një libër ku Zoti i madh e ka shkruar se çfarë do të na ndodhë dhe se kë do të kemi në krah për të gjithë jetën. Unë jam femra më e lumtur që kam një bashkëshort të mrekullueshëm dhe një djalë i cili është si engjëll e më fal jetë çdo ditë. Buzëqeshja e tij më bën të harroj gjithçka sepse qëllimi i çdo prindi është që ta shikojë sa më të lumtur fëmijën e tij. Një ditë, ndërsa po rrinim bashkë të tre dhe Noa më pyeti:
– Ku e ke njohur babin?
– Mes dallgëve… – i thashë, sepse kjo është e vërteta e historisë sonë të dashurisë.