Çaji është një pije që bashkon shumë kultura, por njëkohësisht, edhe i ndan. Vende të ndryshme kanë zakonet e tyre për përgatitjen e çajit. Eksploroni disa prej tyre në shkrimin tonë…
1. Çaji i Lartë dhe Çaji i Pasdites, në Britaninë e Madhe
Çaji i Lartë anglez, zakonisht, përfshin çajin e shoqëruar me bukë, byreçka e djathë dhe në fillim ka qenë një vakt që e hante klasa punëtore në fund të ditës së punës, rreth orës 5 pasdite. Ndërsa Çaji i Pasdites, është një eveniment shoqëror që shijohet kryesisht nga klasa e mesme dhe e lartë, ku bashkë me çajin, serviren edhe kekë dhe sanduiçe të rafinuara.
2. Çaji me akull, SHBA
Vera përvëluese i shtyn amerikanët (sidomos në Jugun e nxehtë) ta këmbejnë çajin e nxehtë me atë të ftohtë, një pije që shuan etjen. Ai është plot sheqer, ose shurup aromatik dhe akull.
3. Samovarët, Rusi
Pirja e çajit në Rusi është e lidhur me samovarët, një lloj tenxhereje që kombinon vendin e nxehjes së ujit dhe çajnikun. Në majë të samovarit ndodhet vendi ku mbahet e ngrohtë esenca e çajit të përgatitur më parë, e cila më pas hidhet në një filxhan, hollohet me ujë të nxehtë nga samovari dhe serviret.
4. Koicha dhe Usucha, Japoni
Kultura japoneze njihet për ritualin e servirjes së çajit, i cili është një ceremoni e stërholluar, e njohur me emrin “chado”. Ceremonia e plotë zgjat katër orë dhe përfshin një vakt të lehtë, të ndjekur nga servirja e “koicha”-s (çajit të përqendruar) dhe “usucha”-s (çaj më i holluar), të cilët përgatiten nga një pluhur i hollë çaji jeshil që quhet “matcha”, përzier me ujë të nxehtë në përpjestimet respektive.
5. Çaji me mente, Marok
Çaji në Marok është një përzierje çaji jeshil me gjethe menteje, i ëmbëlsuar me sheqer dhe hidhet në gota nga njëfarë lartësie. Sipas zakonit, është sjellje e paedukatë nëse refuzon çajin e ofruar nga i zoti i shtëpisë.
6. Çaji me gjalpë dhe kripë, Tibet
Po, Cha apo çaji me gjalpë dhe kripë, bëhet nga qumështi i buallicës dhe është një çaj që serviret vetëm në Tibet. Atij i shtohet pakëz kripë dhe gjalpë.
7. Masala Chai, Indi
India është një nga prodhuesit më të mëdhenj të çajit në botë. Një variant popullor çaji është Masala chai, i cili zakonisht shoqërohet me sheqer e qumësht dhe përzihet me erëza si kardamom, xhenxhefil, karafil dhe kanellë.
8. Çaji me tre shtresa, Gjermani
Çaji i nxehtë hidhet mbi disa pirgje sheqeri të bardhë, i cili tretet ngadalë. Më pas shtohet krem qumështi i trashë, duke formuar kështu tri shtresa, të përbëra nga sheqeri, çaji dhe kremi.
9. Çaji jeshil, Kinë
Legjenda thotë se çaji u zbulua për herë të parë nga perandori kinez Shennong, në vitet rreth 2000 p.e.s., kur një gjethe e tharë nga një shkurre çaji, ra në gotën e tij me ujë të nxehtë. Një nga çajrat me të njohur kinezë, çaji jeshil, shijohet si në jetën e përditshme, ashtu edhe nëpër festa.