“Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor” bën bashkë 10 penalatat më të ndritshme të artit bashkëkohor të Shqipërisë dhe përtej kufijve, kuruar mjeshtërisht nga kritiku i artit Oltsen Gripshi. Marrëdhënia e njeriut me natyrën vjen si mishërim i shpirtit me të gjithprekshmen dhe kjo shfaqet në ekspozitë nën detaje të jashtëzakonshme!

Muzeu Historik Kombëtar mirëpret këtë fillim pranvere më, 3 mars Ekspozitës e Artit Bashkëkohor Shqipëri-Austri e titulluar “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”, e kuruar nga historiani dhe kritiku i artit Ph.D. Oltsen Gripshi.

Ekspozita bën bashkë 10 artistët më në zë të artit bashkëkohor midis Shqipërisë dhe Austrisë si: Admir Përvathi, Adriana Marku-Sedaj, Christian Strassegger, Dastid Miluka, Elisabeth Gschiel, Gilbert Kleissner, Helidon Haliti, Michaela Knittelfelder-Lang, Naim Spahiu dhe Peter Wagner, ku gjuha pamor me të cilën ata paraqiten tek publiku shqiptar është sa e larmishme për nga teknikat e përdorura aq dhe gjithëpërfshirëse për nga tematikat e trajtuara.

Kjo ekspozitë kërkon të përçoj tek publiku mesazhe të shumëfishta, ashtu siç shkruan vetë kuratori i kësaj ekspozite se: “Asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore (absolute), si në debatet shkencore, ashtu edhe në ato estetiko-artistike në krijmtarinë e artistëve. Gjithnjë e më shpesh, në përputhje me ndjenjën e përkatësisë së epokës aktuale, të së tashmes, bashkëkohores, artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës. Një ndërthurje nocionesh e botëkuptimesh, njeriut dhe natyrës, që ka magjepsur gjithmonë antropologët, biologët, natyralistët dhe studiuesit e artit të interesuar për të kuptuar këtë lidhje të çuditshme, por thelbësore, e cila shumë shpesh kthehet edhe në konflikt mes tyre!

Vetëkuptohet, aty ku hapet një reflektim mbi qenien njerëzore hyn në lojë gjithmonë arti, si një përmasë nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës. Kështu individi artist, apo artisti individ përpiqet të trajtojë çështjet kyçe të kohës së tij, me mjetet dhe gjuhën që zotëron. Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij, duke e vendosur atë si një objekt artistik. Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.

Një marrëdhënie, që gradualisht ka marrë formë gjithnjë e më shumë përgjatë historisë së artit. Padyshim me themelimin e artit konceptual e për rrjedhojë të land art, vëmendja e artistit u përqendrua tek natyra, duke e ngrituar atë në shkallë sipërore. Natyra nuk shihet dhe as nuk perceptohet më si plotësuese e realizimit artistik në vetvete, por si subjekt qendror i përmbajtjes së veprave të artit, si rrjedhë e reflektimit mbi qenien njerëzore pjesë e pashmangshme dhe e pandashme me natyrën. Në këtë botëkuptim fenomenologjia e imazhit është ajo situatë në të cilën një objekt i mirëpërcaktuar siç është fotografia ngjall ndjesi, emocione, humor dhe reagime që shkojnë përtej materies përbërëse të objektit.”.

Ekspozita do të qendroj e hapur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar nga data 3 deri më 12 mars 2023.

Ph.D. OLTSEN GRIPSHI

Historian dhe Kritik Arti

Kurator i Ekspozitës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *