Kush e kuptoi… kuptoi!
Tempuj ëndrrash në shpirt ndërtuar
Larg një trupi që rënkon
Ëndrra, shpresën e mban zgjuar
Shpresa, ëndërr mbet’ gjithmonë…
Vyshket trupi larg nga tempujt
Shpirti n’ëndrra bëhet erë.
Vitet radhë bëhen shekuj
Shekujt vite? Asnjëherë…
Ëndrra gjumi në shtrat shtrembër
Në sytë mbyllur, të ketë jetë?
Realiteti nuk është ëndërr
As edhe ëndrra, realitet…
Dëgjoj zëra për së largu
Mbushur jetë dhe tinguj shprese
Vdekjes nuk i shihet pragu.
Nuk është derë e një ndërtese…
Andej njerëz mbushur ëndrra
Këtej ëndrra pa njeri.
E në pritje digjet zemra
Paradoks në vazhdimësi…
Tempuj ëndrrash në shpirt fshehur
Larg një trupi që lëngon.
Ëndrra, shpresën e mban nxehur
Shpresa, ëndërr që s’mbaron! Bledi Ylli
Nëpër rrugica qielli
Nëpër rrugica qielli
Shikoj yje të largët
Si sy të ftohtë dhe një hënë
Si kosore e pabesë,
E unë eci në kërkim të diellit
Plot me zjarre dashurie
E ngrohtësi shpirti,
Që sytë e mi si vesëza nate
Të mos jenë të largët e të ftohtë
Për dashurinë, për jetën. Miltiadh Davidhi
Katër vargjet e dashurisë
I rikthehem gjithmonë historisë sonë të shkuar
atje ku jeta ime pati një fillim
atë ditë të paharruar
kur ti zbulove shpirtin tim.
Më the që jam poet
e unë qesha me të madhe
nuk e besoja në të vërtetë
që isha i aftë për vargje.
Kohë tashmë ka kaluar
e unë kthehem prapë aty
ku për herë të parë jemi takuar
e fshehtas bënim dashuri.
Ti fantazëm tashmë ngele
por e gjallë në shpirtin tim
ke frikë të rikthehesh
në katër vargjet e dashurisë. Ylli Jahaj
Analizë shpirtërore
Shumë herë ndalojmë hapat e jetës
E shpirtin kthejmë në kohë të shkuar.
Ndërmjet gënjeshtrës e të vërtetës
Në realitet dhe ëndrra zgjuar!
Pendohemi për gjëra që s’i bëmë dot
E për shumë që i bëmë, pendohemi.
Na dhemb ajo që bëm’ më kot.
Nga ajo që s’arritëm kurrë, lëndohemi…
Për fjalë që thamë jemi penduar.
Për çfarë nuk thamë pendohemi prapë
Kurrë nuk ndjehemi të mjaftuar
Na duket jeta litar i gjatë
Që duhet ecur i ekuilibruar
Por sa nga ne janë akrobatë!? Bledi Ylli
Dashuri nuk gjeta
Si dielli perëndove
n’atë muzgun plot mërzi
në agim të ditës prita
të më shfaqesh përsëri.
Nga dritarja hedh vështrimin
shfaqesh prapë atje diku
ky ndriçim nuk ish’ për mua
ish’ shumë larg që nga këtu.
E më pas, papritur shfaqesh
para meje, më nuk fjeta
më shtrëngon në krahët e tu
veçse dashuri, nuk gjeta… Leta Guranjaku
Pa zinxhirë
Nuk të kam lidhur me zinxhir
Mund të ikësh kur të duash
Por gjithmonë mendohu mirë
Prapë njësoj do të më vuash…
Kur të kthehesh i penduar
Ndoshta më nuk do më gjesh
Koha jonë ka ikur, ka shkuar
Afër vetes s’do t’më kesh…
Dhe pastaj do qash me zë
Unë e di se të njoh mirë
Do kërkosh ti prapë atë
Që zemrën ta lidhi me zinxhirë… Anita Hoxha