Më fal, Nënë!
Më fal nënë!
Dje të mbulova me dhé
E ika… të lashë të vetme
Në një vetmi
Të frikshme nate!
Ti kurrë s’më ke lënë
Të vetëm
Dhe sot
S’mund ta pranoj këtë fakt.
Çdo rreze drite e loti në qiell
Qan nëpër sytë e mi
Me ngashërime.
T’u prehtë shpirti në paqe,
E bukura ime! Miltiadh Davidhi
RRUGË E BARDHË (nga një udhëtim nën mjegull)
Dhe rruga e gjatë që, tutje gjarpëron.
Tymnajës së pakufi, përmes i shkon, e shpon.
E çan mjegullën e rëndë, thithur përdhe.
Që hapur portat e bardha, la ndër ne.
Ne hyjmë portave të bardha të ajrit,
Nëpër labirinthe, shkelim gjurmët e tjetrit.
Si tokën a rërën, duam të gëlltisim një copë re.
Dhe ata lart, po qeshin me ne.
Rruga në tymnajën e grisur dredhon.
Dhe me bisht si gisht, fatet na dikton.
Ne luftojmë e ndajmë, por pa e ditur vemë.
Të gjithë andej nga, në fund, ardhja vjen. Klevis Bakillari
Mendimi
Si dru i bukur rritesh, në vargjet e mia,
si dru shekullor, që era s’e tund.
Të gjitha gërmat, nga A-ja te Zh-ja,
të japin një dritë të pafund.
Me tridhjetë e gjashtë gërmat e alfabetit,
unë shkruaj e shkruaj si mund.
Të mbështjell me njëmijë metafora,
druaj, mos të shohin, gjëkund. Ollga Selamni (farmacistja)
Meditimi i një muzgu
Frymonte shpirti buzës së detit
Dhe pafjalësia bëhej art.
Nuk vinte më zhurmë e qytetit.
Tashmë, çdo gjë u bë e qartë…
Isha larguar nga fryma jote
Buzës së detit në muzgun gri
Do t’ jem pjesëtar i kësaj bote
Pjesëtare e saj do t’jesh dhe ti…
Isha larguar nga sytë e tu
Me pafjalësinë në shpirt ngarkuar.
Në muzgun gri e detin blu.
Dua të them, ”isha larguar”…
Tanimë, jam larg prej teje.
Aq sa edhe dielli në perëndim.
Nga ty që endesh nëpër deje
Nga ty që të quaja, gjaku im…
Do t’kem ty brengë a nostalgji
Ndoshta ditar mbushur kujtime.
S’kam frikë si do t’shpëtoj nga ti.
Frikën ia kam unë vetes sime!
Si të shpëtoj nga ky që jam
Nga muzgjet mbushur meditime.
Një distancë pa fund na ndan
Pa fund, sa dashuria ime! Bledi Ylli
Arsyeja veten kërkonte.
Me je bërë mendim i natës
ditën ndjekje në udhë pa kthim
paqartësi që vetëm zgjatet
sekret që fshihet në një pendim.
Trokite lehtë e pa arsye
dera e zemrës u hap vet’
me shkelm të shenjtë aty godite
pastaj ike nëpër terr.
E kërkoja unë arsyen
mes sinqeritetit, humbur pa zhurmë
në çdo kthinë veç dhembja gjendej
në çdo shikim, pyetje pa fund
N’pritje torture, ora vraponte
koha ndalur ish’ me kohë
vetë arsyeja, veten kërkonte
rastësia, nga gjumi m’zgjoi…! Ylli Jahaj
Për ty…
Jam aty kur ti bisedon me mërzitjen tënde
Në brigjet e lot’ve fshehur në sytë e tu
Pa ditur se ç’mendon kur shikon qiellin
Dhe ti, pa ditur se unë jam këtu…
Të ndjeja zemrën kur rreh për mua
Të ndjeja psheretimën e të shkretit mall
Apo ndoshta vetëm une e ndjej dashurinë
Akoma në shpirtin tim vallë?!
Dhe hëna bën rrugë mbi detin e qetë
E shpirtit i them “shko drejt tij”
Sa yjet mbuluan qiellin me xhelozi
Për ty, e imja dashuri! Fleta Satka
Kujtimet që m’i zbuloi vjeshta
Në parkun e shtruar nga vjeshta
Asgjë sonte nuk pipëtin
Veç fëshfërimës së erës nëpër pemë
E diku larg dëgjohet një vetëtimë
Sonte, askush s’ma prish qetësinë
Dëgjohen veç hapat e mi të vetmuar
Kërcitja e gjetheve kur mbi to shkel
E ndonjë çift mes puthjesh i harruar
Stolat në park si hije më kalojnë
Nuk e kthej kokën as për t’i parë
Kujtime të largëta ato më zgjojnë
Papritur shoh stolin tonë aty pranë
Këmbët ndalojnë e më çojnë aty
Si magnet ai stol më tërheq pranë
Zemra fillon të më rrahë si atëherë
E kujtimet më vijnë të gjitha në radhë
Te ky stol provova puthjen e parë
Një buzëmbrëmje vjeshte të praruar
Sonte ndjej zemrën të më rrahë prapë
Edhe pse shume vite kanë kaluar
Ajo kohe nis të shfaqet para meje
Si një film me metrazh të gjatë
Ketu dhamë sa puthje aq premtime
Vitet m’i morën, kjo vjeshtë m’i solli prapë
Sa herë në këtë park kam shëtitur
Kësaj rruge i jam shmangur gjithmonë
Sot për dreq këtu më sollën këmbët
Njësoj si atëherë e gjej stolin tonë
I ftohti i vjeshtës më kujton të ngrihem
Ta lë pas stolin e dashur këtë natë
Bashkë me të, të lë edhe kujtimet
Që vitet m’i fshehën, vjeshta m’i zbuloi prapë… Aida Previzi
Vetëm ata…
Vetëm ata ecnin nëpër shi
e bota rreth tyre gjithnjë sillej,
Dashuruan gjer në marrëzi
qielli flak’ e zjarr për ata ndizej!
Vetëm ata, erërat i duruan
e nuk u rrezuan nga asnjë stuhi,
Të kapur dor’ për dore udhëtuan
nëpër shtigjet e jetës, në përjetësi!
Vetëm ata, jetën dashuruan…
I dashuroi dhe vetë jeta, ata të dy! Fatmira Loci