– Përshëndetje, Dr. Albana! Kam probleme me fytyrën, që e kam të kuqe dhe me puçrra, por jo të qelbëzuara. Mjekët më kanë thënë se e kam si pasojë e ilaçeve të shumta që kam pirë (deparchin). Kam përdorur kremra të ndryshëm dhe tani së fundmi, po përdor gentamicinë, e cila ka përmbajtje kortizoni. Çfarë më rekomandoni, pasi kam 15 vjet me këtë problem? Ju falënderoj nga zemra. 29 vjeçarja.
Dr. Albana Lufi, mjeke–dermatologe: – Përshëndetje, e nderuar 29 vjeçare! Medikamentet, përveç efekteve pozitive, mund të shkaktojnë edhe efekte anësore. Efektet anësore të Deparchines në lëkurë nuk shfaqen shpesh, por edhe mund të ndodhin, sidomos kur medikamenti përdoret për një kohë të gjatë. Kremi që ju po përdorni (gentamicina) është një krem me antibiotik dhe jo me kortizonik. Kremi me kortizonik mund ta përmirësonte situatën, por duhet shumë kujdes në përdorimin e tij, pasi përdorimi për një kohë të gjatë, aq më tepër në fytyrë, mund të shkaktonte efekte anësore, midis të tjerave dhe afrofi, teleangioektazi (ose kapilarë të kuq), puçrra të kuqe etj.
– Në rastet kur jemi të sigurtë që puçrrat kanë lidhje me medikamentin e përdorur, bisedohet me mjekun i cili e ka rekomanduar ilaçin, nëse mund ta zëvendësojë atë me një preparat tjetër, duke patur parasysh prioritetet e përdorimit të medikamentit. Megjithatë, unë do t’ju këshilloja të bënit përsëri një vizitë nga afër me mjekun dermatolog, t’i shpjegonit përsëri me detaje historinë e gjatë të puçrrave, por edhe vetë mjeku ta shohë nga afër lëkuren dhe t’ju japë mjekimin dhe këshillat e duhura.
Advertisement