Rita Rrjolli: – Përshëndetje, Erion! Si je? Erion Isai: – Mirë, faleminderit. Po lë për disa momente materialet e punës që të bëj këtë intervistë me ju. (Buzëqesh) – Sa kohë ka që aktron në “Portokalli”? – Unë po hyj avash-avash në vitin e pestë, vite të cilat, me thënë të drejtën, nuk po i ndjej fare mbi shpatulla, sepse janë vërtet pak për një punë kaq të bukur. – E kishe aspiruar “Portokallinë” më parë apo aplikimi ishte rastësi? – Pa dyshim. Kam qenë dhe jam shumë i lidhur pas botës të televizionit dhe që në fillim, kam patur tërheqje të veçantë ndaj Top Channel. Mbaj mend se, të nesërmen e ditës kur ka filluar transmetimin Top Channel, për ta ndjekur, unë nuk kam shkuar në shkollë. (Qesh) – E kujt ishte idea që të aktroje së bashku me Besin? – Me Besin bashkëpunimi ka nisur natyrshëm, në konsulta e sipër për punën. Ne do të fillonim një sezon të vështirë, duke dalë nën petkun e Porto Channel-it, ku personazhet do të ndërroheshin totalisht dhe duke biseduar në punë, në zyrë, të dy bashkë, krijuam dy profesorët. Ky ishte edhe fillimi i bashkëpunimit tonë, i cili tashmë vijon prej tre vjetësh. – Si i keni raportet jashtë punës? – Dua ta theksoj që Besi është miku im më i veçantë. Unë nuk mbaj mend që ne të kemi patur ndonjëherë moskuptime e aq më pak, probleme profesionale bashkë. Kuptohemi shumë me njëri-tjetrin. Na ecën puna vaj, me një fjalë. Dua të theksoj se me Besin, Altinin dhe Ilirjanën ne kemi patur edhe një punë jashtëzakonisht të bukur si One Man Shovv “Turbo Albania-one Katunar shovv”, i cili erdhi për publikun sezonin e kaluar. Një produksion i vështirë, por që na ka falur vetëm relaks, punë komode dhe mirëkuptim absolut. Janë nga ato projekte të rralla ku ti ndjen vetëm dashurinë e të bërit të punës. – Cili nga ju jep me shume ide rreth personazheve? – Të dy bashkë. Komunikimin për punën dhe materialet e kemi 24 orë; në punë, me mesazhe, me e-mail, me vvhat’s up. Kur njëri ka një ide apo batutë, menjëherë ia çon tjetrit. – Ruan shoqërinë edhe jashtë, me kolegët? – Pa dyshim që po, madje përveç shoqërisë, ne, edhe në projekte pune jashtë “Portokallisë” ruajmë bashkëpunimet me njëri-tjetrin. Do përmendja këtu bashkëpunimin më të fundit me Ledion dhe Marinin me shfaqjen “Borgjezi Fisnik” që e sollëm në skenë bashkë me trupën e Teatrit të Korçës. – Sa humor ke në jetën e përditshme? – Në jetën e përditshme jam serioz. Bëj humor në skenë, madje përkundrazi, në tavolina apo kafe më pëlqen të flas vetëm për tema serioze; teatrin, librat apo tema politike të ditës. – Keni shumë qejf të bëni humor me femrat… Pse i përqeshni kaq shumë, xhanëm? – Jo, nuk i kemi qejf, por femrat, ashtu si kudo, edhe në punë, edhe në rrugë, krijojnë shou, janë tërheqëse, kështu që ne do ta shfrytëzojmë këtë tipar, sigurisht, duke e ekzagjeruar. (Buzëqesh) – A mendon se femra është ende seks i dobët? – Nuk mund ta ndajmë me thikë, ama Tirana ka ndryshim radikal nga të gjitha qytetet e tjera. Sapo del nga Tirana, ndryshon gjithçka, a thua se hyn në shtet tjetër. Në kryeqytet, diku më shumë e diku më pak, nuk mendoj se femra është seks i dobët. Sot femra në Tiranë bën karrierë, ka pavarësinë e saj, por nëse do të flasim për provincat, situata pastaj është e rëndë… Vijojnë gratë shtëpiake, vijojnë ndarjet gjinore të tipit “burri shtylla e shtëpisë”, për të mos folur pastaj për dhunën ndaj grave, apo më keq akoma, kur vriten nga burrat, që është totalisht e papranueshme. E them pa dorashka që kjo, në sytë e botës, na tregon në kufijtë kafshërorë, si mesjetarë, njerëz të pagdhendur. Do të uroja që shembulli i Tiranës të bëhet për të gjithë Shqipërinë. Nuk është më e mira, por le ta nisim kështu. Pastaj, kemi numrin më të madh të ministreve femra që kemi patur ndonjëherë, kështu që uroj të jetë një këmbë e mbarë. – Disa kohë më parë, në një intervistë, na tregoje për të fejuarën tënde… – Tashmë, jam i martuar. (Buzëqesh) Ajo është personi i zemrës sime dhe çdo fjalë që do të them për të, do të jetë e ndikuar nga zemra, por mund të them që është më e mira dhe mbështetje e madhe për mua. Edhe ajo është artiste e, në këtë pikë, kemi një mirëkuptim të madh. – Si e quan ti atë me përkëdheli? – Unë atë dhe ajo mua, e përkëdhelim njëri-tjetrin me “pupi”… – Cila është hera e fundit që i ke thënë “të dua”? – Ia them shpesh. Jam njeri që nuk e rezervoj dashurinë; e shfaq atë. – Shumë duan një femër të bukur e më pak të zgjuar… – Më thoni një femër që është e zgjuar dhe juve nuk ju është dukur e bukur?! Besoj se u përgjigja, apo jo? (Buzëqesh) – Në familjen tënde, je i vetmi artist? – Bashkëshortja ime është artiste, në vitin e fundit të Akademisë së Arteve për Regjisurë. Gjithashtu, vëllai im është muzikant, baterist dhe performon me bendin e Aurela Gaçes. Im vëlla është edhe shumë i veçantë për mua. – Cilin profesion tjetër do ta bëje me shumë dëshirë? – Politikën e kam me pasion dhe, në qoftë se nuk do të isha artist, do t’i hyja politikës. Por, gjithmonë nëse nuk do të isha artist! – Cilës forcë politike do t’i bashkoheshe? – Në bindje politike jam i majtë, kështu që do t’i përkisja kësaj force politike. – Çfarë do të bëje ndryshe për shqiptarët? – Do të punoja për të ndryshuar mentalitetin e ndërtimit të shtetit dhe politikëbërjes. Në themel të mentalitetit ne kemi vetëm kompromisin me idealin dhe kërkojmë pa fund format e tërthorta të arritjes së gjërave dhe jo atë të meritë-preferencës për të mirat materiale dhe profesionale. Në këtë drejtim, do të punoja shumë. E kemi në themel të mentalitetit ne: Shteti përpiqet t’ua hedhë qytetarëve. Qytetarët mundohen t’ia hedhin shtetit. Po nuk ndërroi kjo, nuk do të ketë as transformim të këtij vendi.

– Erion, si i ke marrëdhëniet me… …udhëtimet? – Më pëlqejnë shumë, por për shkak të punës, fatkeqësisht, janë të pakta. …sportin? – Shikoj vetëm Kombëtaren Shqiptare. Asgjë tjetër. …kuzhinën? – Më pëlqen të ha… pasi ka mbaruar së gatuari Ina. (Qesh) …fansat? – Shumë i mirë, madje edhe fansa, se si po më duket, kur ma thua. “Njerëzit që më pëlqejnë”, thuaj më mirë. Ne nuk jemi Amerikë, ku për njerëzit ti je i paprekshëm apo që do jetë ëndërr ta shohësh e ta prekësh një person publik. Këtu, pak a shumë, të gjithë të shohin, në kafe, me makinë në trafik. Jemi këtu përditë dhe me njerëzit e përditshëm. …me blerjet? – Nuk jam njeri i fiksuar pas blerjes, madje për rrobat e mia mendon Ina; nuk merrem thuajse fare. …kazinotë? – Asnjëherë në jetën time s’kam luajtur. …këngëtarët? – Me miq këngëtarë, marrëdhënie shumë të mira, ndërsa për të kënduar vetë, jam një katastrofë e vërtetë. …kafshët? – Marrëdhënie të shkëlqyera. I dua shumë! …fallxhoret? – Asnjë marrëdhënie. Jam njeri që besoj në Zot. …“2 XL”? – S’kam asnjë marrëdhënie, as miqësore dhe as armiqësore. Rrespekt i ndërsjelltë kolegësh

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *