Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Poezia juaj…

Urat që për ty ngrita

Atë ditë të thashë “lamtumirë”
E “sytë mos t’i pafsha më kurrë”
Më the me dhimbje “s’do të vij”
Pa mëshirë shembëm çdo urë..

Rrekeshim të vinim ndonjë tullë
E ura të ngrinim përsëri
Por kur urën ndërtoja unë
Të nesërmen e prishje ti…

Advertisement

Kaluan kohë që atëhere, më s’u pamë
Një nga një edhe stinët u ndërruan
Një ditë këmbanat e mallit te ti ranë
Megjithëse larg, dot s’u harruam!

Kërkove urat që dikur ngrita
Harrove që vetë i kishe rrëzuar
Për ty… gjatë… shumë gjatë prita
Tani e tashmja jonë u bë e shkuar.

Të të them që të kam harruar
Më kot veten do të gënjeja unë
Por me mungesën jam mësuar
E tani… kujtimin dua më shumë. Aida Previzi

Në qënien time

Në qenien time pluskojnë botë
Të pafundme,
Planete me zogj ëndrrash
E hëna magjike,
Që si vajza të brishta
E të bukura
Rrotullohen rreth
Orbitave të mia.
Ndihem i lumtur prej cicërimave
E siluetave të tyre.
Kush tha se s’ka jetë
Nëpër planete?!
Planetet janë të populluara
Nga ëndrra dhe dashuria. Miltiadh Davidhi

Rutinë

Frymëmarja bashkohej në tym të duhanit
Dhe era lodronte me perdet në kuzhinë.
Vështrimi i humbur në cep të tavanit.
Kjo natë kundërmonte patjetër rutinë…

E frikshme kjo natë, të frikshme mendimet,
Dhe jeta e bukur, magjepste ndër fjalë.
Rutinë do të thotë të mbysësh veprimet
Në gropën e heshtjes të futesh i gjallë…

E del përsëri nga gropa e heshtjes
Në jetën magjepsëse që frymën të merr.
Rreshtore rutine mes ngrënies e fjetjes
Me sytë nga tavani dhe perdet në erë…

Të dua o jetë, o shtrigë e dëshirës
Më mbushe me ëndrra, e n’ëndërr më le
Tavani që duket përtej errësirës
Dhe trupi që endet ndër mijëra përse!

Të dua o shpresë, o tempull i jetës.
Enigmë e së nesërmes, q’askush nuk të di
Tavani i përshtatej më shumë së vërtetës
Dhe era që frynte, anonte nga Ti! Bledi Ylli

Letër e asaj

Ajo, nuk kish’ guxim
të të shihte në sy,
nuk mundi kurrë
me fjalë të ta thonte…
Ajo vajzë,
kish’ rënë në dashuri,
por…
Kishte frikë të dashuronte!
Ajo, zgjodhi heshtjen
veç shkruante për ty,
ndjenjat në një letër
të gjitha t’i kish’ shprehur…
Ajo vajzë
e pa botën bardh e zi,
ngjyrat e jetës
të gjitha patën vdekur!
Por jo, nuk vdesin ndjenjat
kohën ata thyejnë,
kur shpirtrat dashurojnë
e zemrat nuk kanë faj…
Ata të dy
e shpëtuan dashurinë
se fjalët ishin thënë
nga…
Letër e asaj! Fatmira Loci

“Mençuria qan, urtësia hesht, injoranca qesh”

O Zot i botëve, o i plotfuqishmi sipër gjithçkaje
Mos qëndro në heshtje për injorancën që çirret
O i madhërishmi, mirësia, urtësia e kësaj dynjaje
Jepu ngapak shpresë mençurisë që kurrë s’ngjiret…

Në pastë dijetarë që kokën e tyre të ulur e kanë
Ngrinjua sytë, o At i botëve që ta shohin ç’u mungon
Çelja bilbil zërin që në heshtje të gjatë po ua mban
Ai korbi n’zë krak – krak të mos duket se po këndon…

I dituri i të diturve është ai që e njeh ç’është injoranca
Dhe gojën në atë baltën e ndyrë kurrsesi nuk e afron
Por di plot mençuri se ç’është prej saj larg distanca
Me gjuhë t’llumbosur fjalë të folura ajo gojë s’ia guxon…

I dehur nga gabimet nuk mund të quhet kush gabon
Por ai që i ripërsërit ato gabimet për të cilat u pendua
I zgjuari i të zgjuarve është ai që prej gabimeve mëson
Dhe për ta bërë një herë të dytë kurrën e kurrës s’u kujtua… Elvis Hoxha

Stacion kohor!

Në stacionin e vjetër
të kërkoj më kot
rri këtu e pres i vetëm
mallin kam të vetmin shok.

As udhëtarë më nuk ka
as trena, as shina
as thirrësi në altoporlant
nuk dëgjohet më,
si dikur në kohët tona…

Tani kam ngelur vetëm unë
një udhëtar pa nisje
një udhëtar pa kthim
një udhëtar në stacionin kohor
të një udhëtimi të pakohë
pres akoma trenin e jetës
siç dikur, kishim lënë takim! Ylli Jahaj

Valixhe malli

Kur shoh valixhet, ditët më ngrysen,
mbulohem i tëri nga djersët e ftohta,
muzgu bie mu në mesditë,
numërimi fillon marshimin, etshëm, si për inat
i shtangur, nuhas erën e ndarjes,
fjalët ngushëlluese më bëjnë lajka,
syve iu bie një perçe malli, flokët më thihen,
buza fillon të dridhet,
qeshjet ngelin të zbehura,
shumë fjalë shtangen në majë të gjuhës,
pështyma thahet në grykën e fytit,
ndërsa ndjenjat e mbyllura tërhiqen zvarrë,
stacioneve pafund të botës.
Valixhet ndjellin vetëm ndarje! Feriz Ukshini

Argjirosë…!

Mbani iso shokë mbani
këngës seç ia nisi labi
do këndoj për Argjironë
për atë grua zonjë…
Ish e rrallë, e paparë
një me burrat luftëtarë
Gjirokastër vend stralli
buçet kënga, tundet mali…
Për Argjironë e bekuar
ia merr labi këngës shtruar
hapi krahët si shqiponjë
nga kalaja u hodh përposhtë
nderin turku mos t’ia cenojë
veten dhe foshnjen flijoi… Athina Gjikoka

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si të arrij formën e duhur pas lindjes?

Next Post

Më nervozon telefoni

Advertisement