Zotin Aldo Bumçi e gjeta në zyrat e SHQUP–it duke përgatitur strategjinë e demonstrimeve të pritshme në të gjithë vendin, kundër qeverisë së zotit Rama.

Kaso Kosa: – Zoti Bumçi, doja t’ju intervistoja juve si një nga njerëzit më karizmatikë të PD- së dhe konkretisht, t’ju pyesja lidhur me vizitën e kryeministrit Rama në Beograd.
Aldo Bumçi: – Po jua them që në fillim se Rama nuk duhet të shkonte fare në Beograd sepse këtë ia kërkoi kryetari i opozitës, zoti Basha, por ai e injoroi, siç është mësuar ta injorojë opozitën, si brenda edhe jashtë parlamentit. Kur e pamë që ai vendosi me kokën e tij të shkonte, unë, në emër të Doktorit, i kërkova, të paktën, të mos fliste në emër të të gjithë shqiptarëve.
– Pse, ç’të keqe mund të kishte të fliste në emër të të gjithë shqiptarëve?
– Së pari, ai është kryeministër i Shqipërisë dhe jo i Kosovës, apo i Preshevës dhe kosovarët, apo preshevarët flasin vetë për punët e tyre. Filozofi i partisë sonë, Genc Pollo, e quajti “gafë politike” trajtimin e çështjes së Kosovës, që ia uli shumë reputacionin ndërkombëtar, jo vetëm atij si kryeministër, por të gjithë vendit tonë, prestigj që Doktori e ngriti shumë lart në vitet që qeverisi Shqipërinë. Dhe, me të drejtë, sepse kosovarët njohin vetëm një burrë shteti shqiptar dhe ai është Doktori. Së dyti, nëse vinte, të paktën të ishte konsultuar me Doktorin dhe të merrte udhëzime nga ai, pasi nuk ka përvojën e duhur në politikën e madhe dhe përvoja ndërkombëtare e Doktorit do ta ndihmonte të dilte nga situatat e vështira në të cilat mund të vinin serbët dinakë, ashtu siç e vunë në konferencën e shtypit
– Ne të gjithë e pamë që zoti Rama jo vetëm nuk u vu në pozitë të vështirë, por përkundrazi, doli superior nga ajo konferëncë shtypi.
– Nuk e kuptoj se si e quani ju sukses fyerjen që i bëri Vuçiçi kur i tha provokator. Rama, po të ishte trim si Doktori, kur Vuçiçi e quajti provokim, t’ia vishte me grusht turinjve. Atëhere ne do ta quanim trim dhe vizitën, të suksesshme. Por ai, jo vetëm nuk iu përgjigj siç e meritonte, por i thirri edhe në emër dhe e ftoi që të vinte në Tiranë, të luanin baskëtboll dhe mbi të gjithë, Edvini të luante për serbët. E kuptoni ju se deri ku arriti servilizmi i kryeministrit tonë? Deri aty sa të shitej të serbët e të luante për ta vetëm e vetëm që të fitonte buzëqeshjen e Vuçiçit. Po mirë e tha atdhetari i flaktë Kreshnik Spahiu, se Rama dhe Vuçiçi luajtën para kamerave një skenar të mirëpërgatitur nga Franko Fratini e Shkelzen Maliqi, ku secili do të bënte sikur u fye, do t’i hidhnin hi syve opinionit dhe do të fitonin kredite secili në vendin e vet.
– Opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar iu duk normal dhe i suksesshëm debati, madje edhe drekimi së bashku pas konferencës së shtypit…
– Pikërisht dreka që vazhdoi me orë të tëra deri në pesë të mëngjesit të së nesërmes, në vilën e kriminelit Tito me Vuçiçin, orgjia me këngë e valle, shakatë që bënë bashkë dhe sidomos rakia që kishin pirë, e mbushi kupën e zullumeve të Ramës. Nga hulumtimet e atdhetarit Spahiu doli se ishte raki kumbulle dhe kjo është fyerje shumë e rëndë për ne si shqiptarë, që dimë të pimë vetëm raki rrushi skrapari. Në çdo hap që bëri kryeministri ynë në Beograd, tregoi se sa poshtë ka rënë prestigji ynë si shtet.
– Ju quani gafë edhe vizitën e zotit Rama në Preshevë, ku u prit me shumë dashuri?
– Pa dyshim që ishte gafë! Doktori u revoltua shumë, sepse këtë nuk e kishte bërë as vetë kur ishte kryeministër për tetë vjet e jo më ky, që dje u bë kryeministër. Vajtja në Presheve ishte provokacion për serbët, sepse ishte ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran. Lëre pastaj gafën tjetër që hëngri drekë me Enver Hoxhën në Prizren. Me këtë akt drekëngrënieje, ai tregoi se nuk mund të shkëputet nga mentaliteti punist dhe si bir bllokmenësh. Vetëm një armik i shqiptarëve guxon dhe ha drekë me Enver Hoxhën.
– Nuk hëngri drekë me Enver Hoxhën, zoti Bumçi se Enveri ka gati 30 vjet që ka vdekur, por me Enver Hoxhajn, Ministri i Jashtëm i Kosovës.
– Nuk ka rëndësi ka vdekur apo jo Enver Hoxha, fakti që ai drekoi me një emër e mbiemër të tillë, tregon thjesht se ai, siç e cilësoi edhe Doktori, rehabiliton diktatorin. Mjafton emri i tij me “j” apo pa “j” qoftë në fund, që shqiptarët të kujtojnë diktatrorin dhe ta quajnë të rehabilituar në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit. Të mos pranonte të hante se nuk do vdiste, ama këtë gafë të mos e bënte. Por e bëri me qëllim dhe për këtë do të paguajë, se i gjithë populli është i revoltuar dhe po ngrihet në protesta që do t’i sjellë fundin e palavdishëm.
– Zoti Nishani, si kryetar shteti dhe njëshi i shqiptarëve nuk foli as mirë e as keq për vizitën e Ramës në Beograd. Ç’mendim keni, pse e mbajti këtë qëndrim?
– Sepse Rama, para se të nisej për në Beograd, duhet të konsultohej me zotin Nishani si president i vendit e si burrë shteti që e njeh mbarë bota, për largpamësi e inteligjencë. Por Jari foli shumë me heshtjen e tij, se ai e di mirë fjalën e urtë popullore që thotë: “Heshtja është flori”. Duke heshtur, Jari foli shumë dhe Doktori e përgëzoi për këtë shfaqje të lartë maturie dhe inteligjence.
– Së fundi, zoti Bumçi: Përse zoti Basha e injoroi Doktorin dhe nuk e futi në listën e anëtarëve të kryesisë së partisë?
– Doktori është kryetari legjendar i partisë sonë, por ishte ai vetë që ia kërkoi këtë Bashës. Madje Luli u hutua nga kjo kërkesë dhe dyshoi se mos ishte provokim, ndaj këmbënguli që Doktori të vihej medoemos në kryesi. Atëhere Doktorit i humbi durimi dhe ia shpjegoi se lënia e tij jashtë kryesisë ishte veprim taktik. Mosfutja e tij në kryesi, iu mbyllte gojën Patozit, Jozefinës e shumë të tjerëve që Doktori nuk i duron dot në parti, se ishin përkrahësit e Olldashit dhe kundërshtarë të Lulit.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA
Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *