22 vjeçari Niko Gjelia dhe 20 vjeçari Kosta Nikuli janë dy aktorë shqiptarë që luajnë rolin e tyre të parë në një film grek, me regji të regjisorit Pano Kutra. Filmi titullohet “Ksenia”, një prodhim greko-francez që është prezantuar denjësisht edhe në Festivalin e Kanës, ku është mirëpritur nga publiku. Në qendër të tij, janë dy të rinj shqiptarë që, përmes aventurave, pas vdekjes së nënës, kërkojnë të atin e tyre biologjik. Në intervistën e mëposhtme ata flasin pa doreza për filmin, Greqinë e sotme dhe racizmin…

– Si filloi bashkëpunimi juaj me regjisorin Pano Kutra?
K.N. – Gjithçka filloi në nëntorin e vitit 2011. Isha në vitin e fundit të gjimnazit dhe kisha vendosur të përgatitesha për të hyrë në shkollën e aktrimit.
N.GJ. – Unë sapo kisha mbaruar vitin e parë të aktrimit kur mora vesh që bëhej audicion për një film…
– Domethënë, ju nuk njiheshit para filmit?
K.N. – Jo dhe të mendosh se kaluan 6 muaj mes ditës së audicionit të parë dhe njohjes sonë! Për herë të parë u takuam në qershor të vitit 2012.
N.GJ. – Për shumë kohë, Panoja u bëri audicione secilit veç e veç. Pastaj filloi të bashkonte çiftet që kishte zgjedhur dhe t’i provonte para kameras.
– Çfarë kërkonte ai në audicion?
K.N. – Në audicionin e parë na kërkuan shumë pak gjëra, kryesisht, të improvizojmë. Na treguan në vija të trasha historinë, që janë dy vëllezër dhe që njërit i pëlqen të këndojë. Me sa më kujtohet, na dhanë edhe një tekst të shkurtër. Panoja na tha të tregonim diçka nga jeta jonë e përditshme, të zemëroheshim, të flisnim në telefon dhe gjëra të tilla.
– Pastaj ju mori dikush në telefon dhe ju tha se e morët rolin?
N.GJ. – Pastaj kaluam një provë të dytë. Na morën në telefon për të na riparë dhe në qershor të vitit 2012, filluam të punonim së bashku në formë prove.
K.N. – Një skenë bëmë provë, atë të tarracës. Në 28 tetor 2012 u mor vendimi përfundimtar… Menjëherë më pas, Panoja na mori në telefon dhe na tha: “Ju dua në filmin tim”.
– Skenarin, kur e lexuat?
N.GJ. – Në fillim ai na e tregoi me gojë historinë e “Ksenias” dhe ditën tjetër e morëm skenarin në dorë, por na bëri për vete historia e thënë me gojë. Panoja na e fitoi zemrën me fjalën e parë, meqë ndau në fillim ëndrrën e tij me ne.
– Nuk ndjeheshit paksa të vegjël për një aventurë të tillë kinematografike?
K.N. – Nuk ishim të vegjël, por pa eksperiencë në fushën e kinemasë. Na pëlqente të shihnim filma, por nuk e kishim idenë si bëhej një film. Panoja na kishte thënë që në fillim se kërkonte aktorë që të ishin brezi i dytë i emigrantëve shqiptarë (të lindur në Greqi) e që të kishim përjetuar eksperiencën e emigrimit. Nuk i interesonte nëse ishim aktorë të mirë apo jo, sepse në çdo rast, do të punonte shumë me ne.
N.GJ. – Për gjashtë muaj, ne punuam 4-6 herë në javë, 4 orë rresht.
– Çfarë ndodhi me saktësi në ata gjashtë muaj?
N.GJ. – Gjatë kësaj periudhe, u ndërtua lidhja mes ne të treve dhe ne hymë në klimën e “Ksenias”. Panoja na thoshte shpesh: “Kjo nuk më del si duhet, thoni edhe ju mendimin tuaj. Më jepni një ide”. Kështu, u ndërtua lidhja mes nesh.
K.N. – Panoja e dinte se me kë kishte të bënte, domethënë, me dy djem që nuk kishim ide nga kinemaja. Për këtë, na përgatiti ashtu si duhet.
– Pse mendoni se donte emigrantë të brezit të dytë? Mendoni se një aktor që nuk e ka jetuar eksperiencën e emigrimit nuk do ta luante bindshëm një rol të tillë?
N.GJ. – Filmi flet për emigrimin dhe duhet të ishte i vërtetë në këtë temë. Mendoj se e njëja gjë ka ndodhur edhe me “Strelën” (filmi i parë i regjisorit), ku nuk luante asnjë aktore femër, por vetëm burra dhe transeksualë.
– Kaq e fuqishme është eksperienca e emigracionit?
K.N. – Secili e ka përjetuar me mënyrën e vet, megjithatë, gjithmonë e mbart me vete këtu dhe atje, që ke dy vende.
N.GJ. – E njëjta gjë ndodh edhe me grekët që shkojnë në Gjermani, gjithmonë e mbajnë brenda vetes vendin mëmë, sado mirë të flasin gjermanisht, sado të jenë përshtatur me kushtet atje.
K.N. – Gjithashtu, mendoj se mënyra e jetesës së një shqiptari dhe greku nuk ndryshojnë shumë. Ngjajnë në mënyrën e zbavitjes dhe në shumë gjëra të tjera. Tani, të marrësh një djalë që nuk ka jetuar si emigrant dhe t’i thuash “dua të më bësh këtë”, është paksa e çuditshme. Nuk e di… mbase ndonjëri do të mund ta bënte, por mbase Panoja donte diçka më të vërtetë.
– Gjetët ndonjë copëz nga jeta juaj në historinë e filmit?
N.GJ. – Skenën e rinovimit të lejes së qëndrimit që do ta shihni në film, e kalova përsëri para një jave. Qëndrova në radhë që prej orës 5.30 të mëngjesit për të rinovuar kartën jeshile. Nëse nuk ke lidhje gjaku me Greqinë, nuk mund të marrësh nënshtetësinë greke.
K.N. – Unë e kam marrë nënshtetësinë në moshën 15-vjeçare, kur iu njoh nënshtetësia gjyshit tim si vorioepiriot. Megjithatë, për vite të tëra, shkoja edhe unë në zyrën e emigracionit për të rinovuar lejen e qëndrimit. Është diçka që e kemi përjetuar që në moshën e fëmijërisë.
– Dhe gjithë këto ndodhin, megjithëse keni lindur në Greqi?
N.Gj. – Unë nuk kam lindur këtu, erdha kur isha 6 vjeç, por kam bërë të gjithë shkollën këtu.
K.N. – Një aktori grek do të duhej t’ia shpjegoje gjithë këtë procedurë. Mund ta marrë me mend, por me ne fiton kohë, sepse e kemi përjetuar në kurrizin tonë.
– Mund të më flisni pak për udhëtimin e xhirimeve?
N.Gj. – Xhirimet e para u bënë në Athinë dhe në vazhdim, filloi aventura e xhirimeve jashtë saj, që zgjati një muaj të tërë. Xhiruam në qytetet e Kozanit, Larisës, Lamias, Platamonës, Tempit, në rrëzë të Olimpit, Velvetosë, Selanik dhe në disa pyje e male që nuk e dinim me saktësi ku ishin.
K.N. – Vendi më i bukur i xhirimit ishte në rrëzë të Olimpit, mbi Platamonë, ku xhiruam në një pyll me gështenja. Ishte verë dhe atje bënte fresk, sepse gjethet e pemëve krijonin një tendë mbi ne.
– Çfarë përfaqëson “Ksenia” për ju?
K.N. – Një film që tregon Greqinë e sotme.
N.Gj. – Një Greqi të braktisur, si hoteli “Ksenia” i Kozanit, që shihet në film. Një vend që ka shumë energji, por që është i rrënuar, bosh dhe i prishur. Mund të thuash se, nëse do të kishte menaxherë më të mirë, kjo ndërtesë do të ishte plot jetë.
– E përjetuat filmin si një udhëtim pjekurie, apo si një aventurë në anën e keqe të Greqisë?
K.N. – Mendoj se filmi flet për shumë gjëra. Së pari, është një udhëtim pjekurie për Danin dhe Odisean. Gjatë këtij udhëtimi, ata bëhen zot të vetvetes. Nga ana tjetër, është një njohje me provincat greke. Për shembull, unë nuk kisha kaluar kurrë në atë anë të vendit.
N. GJ. – Për ne, udhëtim do të thotë Rio-Amfilohia-Kakavijë, për të shkuar në Shqipëri. Kurrë nuk kishim kaluar në atë anë të Greqisë.
– Ju ka mbetur kujtim ndonjë gjë nga xhirimet?
N.GJ. – Ato që të mbesin më shumë në kujtesë janë xhirimet e vështira, aty ku përpiqesh dhe trupi yt të thotë “nuk mundem më”. Një shembull: Gjatë kohës që xhironim, kalova një infeksion të madh në sy.
K.N. – Edhe unë u sëmura gjatë xhirimeve. Kishim xhirime jashtë, me shumë diell dhe vazhduam gjithë ditën. Kur shkova në shtëpi, isha me temperaturë 42 gradë. Ditën tjetër shkova në xhirime, megjithëse isha i sëmurë.
– Si reaguan prindërit tuaj, që janë brezi i parë i emigrantëve, ndaj vendimit tuaj për t’u bërë aktorë?
N.Gj. – Më mbështetën. Me gjithë dyshimet që patën, mamaja më tha: “Atë që nuk munda ta bëja unë në Shqipëri, do ta bësh ti këtu. Të mos ndodhë që një ditë të thuash “desha të bëhesha aktor dhe nuk e bëra”. Ta bësh, sado e vështirë të duket”. Nga ana tjetër, im atë më thotë: “Bëje, por një ditë do të përfundosh si unë, duke punuar në baltë”. (Qesh)
K.N. – Prindërit e mi nuk donin t’i shihnin fëmijët e tyre të lodheshin, ashtu si u lodhën ata dhe për këtë arsye, ushtronin presion mbi mua që të shkoja në universitet. Megjithatë, kur e kuptuan se nuk do të jepja provimet e maturës, e pranuan.
– Si ishte eksperienca në Kanë?
N.GJ. – Nuk e kupton në atë moment. Thua: “Okej, do bëj një udhëtim në Francë, por eksperienca e Kanës ishte magjike. Këtu luajti rol edhe fakti që filmin tonë e pamë për herë të parë atje.
K.N. – Pamë gazetarët e huaj të entuziazmoheshin shumë me filmin dhe kjo na la mbresa. Pati një entuziazëm shpërthyes, duartrokitën për tre minuta e gjysmë. Aty, fillon e prekesh…
– Me siguri, në ndonjë moment të jetës suaj, keni qenë viktima të sulmeve raciste…
N.Gj. – Pjesa më e vështirë është pa dyshim shkolla, sepse fëmijët thonë atë që mendojnë, pa e çarë kokën për pasojat. Ajo që mund të bësh është të ndërtosh një mburojë. Është në natyrën e njeriut të mbijetojë në të gjitha rrethanat. Njoh shumë njerëz që kanë pësuar sulme raciste dhe secili ka reaguar në mënyrë të ndryshme. Dikush ka bërë sikur nuk ka dëgjuar, dikush ka reaguar, dikush ka qeshur. Kur erdhëm ne, në Greqi ishin zhvilluar idetë raciste kundër shqiptarëve. Ndërkohë që ne rriteshim, këto ide filluan të zbuteshin dhe ne, të asimiloheshim…
K.N. – Jo të zbuteshin fare, thjesht pak nga pak, mëson të jetosh me racizmin, e sheh si diçka të jetës së përditshme. Në fillore, gjërat ishin më keq. Pas nëntë vjeçares-gjimnazit krijon një identitet dhe vë kufijtë e tu. Është e çuditshme të të quajnë të huaj, kur ke lindur këtu. Unë kam lindur në Athinë dhe greqishten e kam si gjuhë të parë. Shqipërinë e kam përjetuar vetëm nëpërmjet pushimeve.
N.Gj. – Pikërisht. Pas fillores, fillon të reagosh kundër atij që të thotë: “Hajde more, pis shqiptari, shko në shtëpinë tënde”.
– Jeni optimistë se ndonjë moment në të ardhmen do ta kapërcejmë çdo lloj racizmi dhe do të krijojmë një shoqëri ideale?
N.Gj. – Ashtu si janë strukturuar sot shoqëritë, nuk mendoj. të gjithë fshihen pas një gjinie, kombi, apo feje…
K.N. – Të gjithë grupohen pas një ideje që të përballem me frikën e tyre për gjërat ndryshe. Nëse nuk do të kishe frikë nga asgjë, nuk do të fshiheshe pas një grupi që të sjell fuqi dhe pushtet.
N.GJ. – Për shembull, kur je bebe, nuk e ke ndjesinë e frikës. Kur rritesh, rritet edhe frika brenda teje. Frika mësohet, ta mëson familja, mediat, shoqëria, etj. Për mua, e vetmja zgjidhje është një edukim-jo medeomos në shkollë-që të të mësojë të bashkëjetosh me njerëz ndryshe nga ti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *