Amarda Arkaxhiu është zëri i talentuar që mbush me atmosferë gëzimet familjare, ekranet e televizioneve, por edhe festivalet popullore mbarëshqiptare. Duhet ta keni vënë re se ajo prej disa muajsh nuk është shfaqur më në ekran e në publik sepse mungesa e saj nuk ka se si të mos vihet re.
E pra, kemi një të re për ju: Tashmë, Amarda jeton në Amerikë, ku jo vetëm ka krijuar një familje të bukur, por edhe është bërë nënë e një bukuroshi të vogël me emrin Henri. Amarda tregon për eksperiencën e saj si nënë, por edhe për jetën e saj në SHBA. Ajo ka realizuar dy ëndrra shumë të mëdha dhe të bukura, faktin që është bërë nënë dhe që ka prekur ëndrrën amerikane, ëndërr të cilën të gjithë duan ta bëjnë realitet një ditë. Për më shumë, lexoni rrëfimin e Amardës, rrëfim që nuk gjendet askund tjetër, përveçse në gazetën “Intervista”…

Fabjola Kuburi: – Amarda, i ke munguar skenës shqiptare, por edhe ekraneve, me zërin tënd dhe, kjo ka një arsye, apo jo?
Amarda Arkaxhiu: – Po, është e vërtetë që jam larguar nga skenat dhe ekranet shqiptare për një arsye shumë të bukur e të rëndësishme në të njëjtën kohë. Kam ardhur në SHBA, ku lindi Henri im i bukur, drita e syve të mi.
– Si ndodhi që shkove në SHBA?
– Unë vija shpesh në Amerikë si e ftuar në koncerte të ndryshme dhe, sigurisht që Amerika është ëndrra e madhe e shqiptarëve… Mendova të krijoja familjen time këtu dhe Zoti ma bëri mbarë…
– Si ka qenë kjo kohë, të themi, jashtë skenës?
– Të them të drejtën, ka qenë e vështirë sepse skena është jeta ime dhe, larg saj, ndihesha si e humbur. Pastaj, nuk duhet harruar edhe që unë kam qenë larg familjes, larg Shqipërisë dhe gjërat, domosdosmërisht, janë pak më të vështira, flas emocionalisht…
– Amarda, ti tashmë je nënë e një bukuroshi të vogël me emrin Henri. Cilat janë përjetimet e këtij statusi të ri?
– Janë ndjesi dhe përjetime të mrekullueshme! Kur isha shtatzënë, e ndjeja që do të kisha në krahë një mrekulli, një dhuratë nga Zoti, por kurrë nuk e kisha menduar se do të ndihesha kështu. Ndihem si në qiellin e shtatë. Henri erdhi në jetën time në kohën më të mirë, sepse tani ndihem plotësisht e bindur për gjërat që kam bërë dhe po bëj në jetë, qoftë në karrierë, qoftë në jetën time personale.
– Si ndryshon jeta e një femre me karrierë të shkëlqyer, kur bëhet nënë?
– Të them të drejtën, ndryshon shumë, sepse nëse më përpara ka pasur gjëra të cilave u përkushtohesha, tani përkushtimi është dyfish, madje mund të them që Henri është në vendin e parë tani dhe gjithë vëmendja është tek ai.
– Cilat ishin gjërat më të vështira për t’u mësuar?
– Në këtë pikë nuk kam hasur vështirësi sepse jam njeri që mësoj shpejt dhe më është dashur fare pak për të mësuar të kujdesem për Henrin.
– Kush ta ka dhënë ndihmën më të madhe këto kohë?
– Personi që më ka ndihmuar më shumë ka qenë babai i Henrit, i cili në çdo moment ka qenë aty dhe nuk më ka lënë ta ndjej shumë peshën e lindjes.
– Kush ia vuri emrin djalit?
– Mami dhe babi i tij. (Buzëqesh)
– A është fëmijë i qetë apo qaraman?
– Nuk është qaraman, madje edhe kur fillon të qajë, unë kam një metodë timen për ta qetësuar; i këndoj këngë shqip, melodioze, në shtëpi. I këndoj shumë dhe ai, çuditërisht, qetësohet, ndoshta ngaqë është mësuar me të kënduarin që në bark dhe kam përshtypjen se i është bërë pjesë e jetës.
– Si është dita jote tani?
– E ngarkuar, por shumë më e bukur se më përpara. Henri më mbush ditën dhe jetën.
– Thonë që, kur bëhesh nënë, bëhesh edhe më e ndjeshme. A ka ndodhur kështu me ty?
– Ndjeshmëria është cilësi që njeriu e ka në karakter. Unë jam e ndjeshme, por më duhet ta pranoj se, qëkur kam lindur Henrin, jam bërë akoma më shumë. Paska gjëra që u theksokan pas lindjes së një fëmije.
– A të lë kohë Henri të merresh me veten?
– Kush do të merret me veten, e gjen kohën… Ndoshta nuk kam shumë kohë, ama veten pas dore nuk e lë.
– Do të doje të kishe më shumë kohë për Henrin?
– Kam kohë mjaftueshëm për t’u marrë me të, madje gjithë koha ime tani është ai.
– Para disa kohësh, në intervistën e fundit që bëmë bashkë, më the që pengu i prindërve të tu është që ti ende nuk ke fëmijë dhe një familje tënden. Po tani, ç’të thonë?
– Ah, tani janë të lumtur dhe mezi po presin që të vij në Shqipëri t’i takoj dhe ata të takojnë nipin e tyre. Tani, nuk kanë më brenga! (Qesh)
– Na trego pak për fatlumin që ke në krah… Methju, në mos gaboj?
– Po, ai quhet Methju, është amerikan dhe është njeri i mrekullueshëm. Është bashkëshort dhe baba shumë i mirë. Kaq, këtë herë! (Qesh)
– Sa i përkushtuar është ai?
– Shumë i përkushtuar. Kam patur idenë që baballarët janë shumë më të dhënë pas vajzave, por te Methju kam kuptuar që nuk është kështu. Ai gjen mënyrën për të krijuar lidhje me djalin, e mban, kënaqet, luan me të… Shkurt dhe shqip, është baba i kompletuar dhe i përkushtuar.
– Sa ka ndikuar lindja e Henrit në marrrëdhënien tënde me bashkëshortin?
– Është një ndikim pozitiv sepse na ka shtuar harmoninë në familje.
– Kur të rritet, ai do të quhet Henri i Amardës apo i Methjut?
– Do të quhet Henri i të dyve! (Buzëqesh)
– A dëshiron që Henri të trashëgojë profesionin tënd?
– Kam dëshirë që të trashëgojë zërin dhe aftësinë për të kënduar, por jo domosdoshmërisht, profesionin. Le të bëhet çfarë ndjen dhe dëshiron vetë.
– Besoj se vazhdon të këndosh kur të ftojnë në një klub ose gëzim familjar, sepse e di që atje të duan shumë…
– Realisht, aktiviteti muzikor ndahet në dy drejtime; drejtimi i koncerteve live dhe ai i promovimit të vetes përmes videoklipeve. Këtë të parën do ta vazhdoj gjithmonë, pavarësisht videoklipeve apo këngëve të mia. Do jem gjithmonë pranë publikut, në një mënyrë apo në një tjetër.
– A do të ketë pushime këtë vit për familjen e re?
– Sigurisht që po, gjithmonë me kismet të Zotit.
– Të ka marrë malli për Shqipërinë?
– Ah, nuk e ke idenë sa, por shumë shpejt do jem atje, shpresoj për dy javë… Më ka marrë malli për të gjithë e për gjithçka!
– Një nënë mund të jetë seksi dhe tërheqëse po aq sa edhe para se të lindte?
– Sigurisht që po. Shton disa kile, por janë kile që mund të hiqen shumë shpejt, me pak përkushtim.
– Je nënë strikte apo tolerante?
– I kam të dyja; jam strikte aty ku duhet dhe tolerante, aty ku duhet.
– A është në plan një motër ose një vëlla për Henrin?
– Është ende herët për të folur për këtë. Do shijojmë fëmijërinë e Henrit njëherë, pastaj shohim e bëjmë. (Buzëqesh)
– Cili ka qenë urimi i bukur dhe dhurata më e veçantë që ke marrë për Henrin?
– Kam marrë shumë urime, të bukura të gjitha, prandaj nuk bëj dallime se nuk dua të m’i ngelë hatri askujt. (Buzëqesh)
– Cila është gjeja e parë që i ke blerë Henrit?
– Ka qenë një kostum i vogël paliçetë, që unë e kam shumë merak dhe, pas atij, shumë e shumë gjëra të tjera të bukura.
– Si është dhoma e Henrit? Na e përshkruaj pak…
– Është një dhomë e bukur, e realizuar sipas shijeve të Methjut dhe të mijave, me ngjyra të bukura e plot me lodra.
– A e ndjen momentalisht nevojën për të qenë pranë publikut me atë që di të bësh më mirë, duke kënduar?
– Unë kam qenë gjatë gjithë kohës pranë publikut me pjesëmarrjet e mia nëpër koncerte dhe do të vazhdoj të jem. Shumë shpejt kam në plan të realizoj një klip të cilin do ta lançoj atje, në Shqipëri.
– Urimi që ke…
– Ju uroj gjithçka të bukur në jetë, qofshi të lumtur dhe paçi shëndet e dashuri… Love, Amarda.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *