Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Ai më mashtroi keq…

Thonë se dashuria është e verbër, ajo të bën të harrosh gjithçka dhe t’i përkushtohesh njeriut që ti do. Dikur, kur isha adoleshente, një djalë më tha se, edhe e verbër po të isha, përsëri do të më dashuronte, por unë nuk i besoja asnjëherë këto gjëra. Gjithmonë kam menduar se dashuria e vërtetë në ditët e sotme nuk ekziston. Si fillim po ju prezantohem. Jam Flora, lindur dhe rritur në Tiranë, tashmë jam 33 vjeçe dhe jetoj në Milano. Mbas mbarimit të shkollës së mesme, bashkë me familjen time u zhvendosëm në Itali. Gjithmonë kam qenë një vajzë e ndrojtur dhe duke qenë në dhé të huaj, kjo ndrojtje sikur m’u shtua akoma më shumë. Në Itali kisha përjetuar dy histori dashurie. Nuk e di nëse mund t’i quaj të tilla, por për kohën kur u përjetuan, të tilla ishin. Për fat të keq, asnjëra prej tyre nuk u kurorëzua me martesë. Mosha po më kalonte dhe prindërit gjithnjë e më shumë po bëheshin merak për mua. Para tre-katër vitesh, fillova punë në një dyqan lulesh, një punë që e bëja me shumë pasion. Gjithçka filloi në një ditë kur isha vonë për të hapur dyqanin. Ka qenë pikërisht data 22 maj, kur përballë derës së dyqanit u përplasa me një djalë rreth të tridhjetave. I kërkova ndjesë pasi isha me vonesë dhe menjëherë hapa derën për t’ia filluar nga puna. Mbas asaj dite, të njëjtin djalë e shikoja gjithmonë të kalonte aty, por në krahun matanë të rrugës. Sa herë e shikoja, aq herë më pëlqente. Vishej vërtet shumë mirë, kishte një trup të gjatë e të drejtë, flokët biondë dhe sytë shumë të zinj. Pa e ekzagjeruar, ngjante tamam si një aktor filmi dhe unë, sa herë që e shikoja, mendoja: “Po ai, a më ka vënë re mua?”. Në fakt, atë ditë që u përplasëm, unë vetëm një moment e pashë dhe ndjeva dorën e tij që më kapi te krahu për të më mbajtur që të mos bija, por nga nxitimi nuk e kisha parë se ai ishte aq i bukur. Ai kalonte çdo ditë në atë rrugë, mund ta bënte pesë-gjashtë herë rrugën përballë meje, por unë nuk mund t’i flisja, pasi ishte larg. Mendoja me vete “A mund të jetë i martuar? A ka të dashur?”. Asnjëherë nuk e kisha parë të shoqëruar me ndonjë vajzë, vetëm në disa raste e kisha parë që shoqërohej me një grua rreth të pesëdhjetave, për të cilën mendoja se ishte e ëma. Nuk e di pse, po sa herë që kalonin ditët dhe ai shfaqej para meje, aq më shumë më fiksohej ai djalë. Ishte si ndjesia që të lind për të patur një send, apo diçka tjetër dhe nuk ke mundësi ta blesh. Doja që vetëm njëherë ai të kalonte pranë dyqanit tim dhe nuk do të ngurroja që t’i flisja unë e para. Por, me sa duket, lutjet e mia i kish dëgjuar Zoti dhe një ditë kur unë isha duke rregulluar një tufë me lule, pashë te dera që hyri ai. Mua, që isha në këmbë, sa nuk më ra të fikët. Ai më përshëndeti dhe unë, që dridhesha e gjitha, gati sa nuk u meka. Njëmijë fjali kisha krijuar në mendje për t’i thënë atij njeriu në momentin që do të kisha mundësi ta takoja dhe ja, tani që u krijua mundësia, as që më dilte zëri. E përshëndeta dhe e pyeta se çfarë dëshironte. Ai m’u përgjigj: “Dua një tufë me lule shumë të madhe dhe, ndër më të bukurat!”. Kur tha kështu, mua m’u mbushën sytë me lot, m’u bë sikur një dorë e fortë më mbërtheu në grykë e nuk më linte të nxirrja asnjë fjalë nga goja. Mendoja se një tufë e tillë vetëm për të dashurën apo nusen mund të bëhej. Ndërkohë që po përgatisja lulet, e mblodha veten dhe i thashë se ishte më fat personi që do t’i merrte dhuratë këto lule dhe ai ma ktheu: “Ai person i meriton; është njeriu më i shtrenjtë i jetës sime”. Përsëri një det lotësh m’u afruan në sy, por nuk doja të lija nam në sytë e tij, jo për gjë, por nuk dija çfarë përgjigjeje t’i jepja. Gjatë kohës që përgatisja tufën me lule, vura re se ai i kishte fiksuar sytë vetëm në një vend. “Ç’të ketë vallë, mendova, mos ndoshta ka probleme me shikimin?”, megjithatë nuk u bëra kurioze për këtë fakt, pasi nuk do kisha shanse asnjëherë që të kisha një lidhje me të. I bëra gati tufën me lule dhe i thashë se ishte i mirëpritur në dyqanin ku unë punoja. Ai iku me tufën e luleve në duar…

Nuk ishte ky takimi që kisha menduar dhe u zhgënjeva shumë, por prapë e ëndërroja çdo natë. Ai ishte kaq i bukur, kaq i pafajshëm! Dukej si një djalë i mirë, i edukuar e fjalëpak e kjo gjë e bënte atë shumë enigmatik. Një ditë aty pashë gruan e cila shoqëronte djalin, të cilit as emrin nuk ia dija. E përshëndeta dhe e ftova të hynte në dyqan. Ajo u habit nga mënyra se si i fola. I tregova hapur për problemin që më shqetësonte. E pyeta se mos ndoshta ajo ishte nëna e tij dhe ajo, duke qeshur, më tha: “Jo, nuk jam, por në njëfarë mënyre ai më ka si nënë”. Fjalët e saj më qetësuan shumë. Kështu do ta kisha më të lehtë ta pyesja për të djalin që doja. I tregova çdo gjë për të, për momentin që u përplasëm dhe për ndjenjat e mia ndaj tij dhe ajo, duke pëshpëritur, m’u përgjigj: “A, moj vajzë, sikur të dije të vërtetën për të…”. Fjalët e saj më bënë edhe më kurioze. “Të lutem, më thuaj vetëm a ka të dashur, apo është i martuar?”. Ajo filloi të qeshte dhe më tha: “Moj vajzë, po ti qenke çmendur? E kush mund të martohet me një të verbër?!”. Nuk e di se çfarë më ndodhi në ato momente, por veten e gjeta të ulur në karrige dhe në trupin tim kisha pika uji; më kishte rënë të fikët. Isha dashuruar me një djalë të verbër! Shumë pyetje i bëra vetes sime dhe gruas gjithashtu… Po si nuk e kuptova më parë? Po si mund të ecte ai aq mirë nëpër rrugë, pa një shkop apo një njeri që mund ta orientonte? Si mund të dashurohet një njeri me një të verbër? Të gjitha këto pyetje më dilnin nga goja pa vetëdije. Gruaja e kuptoi gjendjen time shpirtërore dhe më tha: “Ti ke të drejtë, Antonio është një djalë për t’u dashuruar”. Ajo më tregoi gjithçka për të… Ai ishte rritur në shtëpinë e fëmijës dhe gruaja me të cilën po bisedoja kishte punuar atje. Ajo më pas ishte lidhur shumë me këtë fëmijë sepse ai kishte një inteligjencë që edhe një njeri që shikon mirë nuk e ka. Ai mësonte shumë në shkollë dhe, si të thuash, kjo grua kishte sakrifikuar jetën për të, për t’iu bërë krah, madje një arsye e fortë që ajo nuk ishte martuar ishte fakti se nuk donte ta braktiste djalin, i cili nuk kish njeri tjetër në jetën e tij përveç saj. Fakti që unë e doja Antonion, e gëzoi pa masë atë. “Nëse ti do të martoheshe me të, unë do të isha e lirë për të filluar jetën time”, më tha. Fjalët e saj sikur më lehtësuan, mirëpo më vriste ndërgjegjja. A mundet njeriu të rrijë i martuar me një të verbër? Si mund të shkohet jeta deri në fund me një njeri që nuk është në gjendje të shikojë, edhe pse ai i kish mësuar shuma mirë rrugët pranë shtëpisë ku banonte dhe nuk ta krijonte përshtypjen se ishte i verbër? Mbas shumë ditësh e netësh pa gjumë dhe pas shumë zënkash me prindërit e mi, vendosa të jetoja me Antonion; dashuria ime për të ishte shumë e fortë. Në fillim Antonio nuk donte të lidhej me mua. “Nuk ke pse të rrish pengu im për gjithë jetën” më thosh ai, kështu që vendosëm të bashkëjetonim si fillim, për të parë nëse do mund t’i bëja ballë jetës së vështirë që po më priste apo ky ishte thjesht një fiksim i momentit.
Kishin kaluar dy muaj dhe jeta me të nuk ishte aq e vështirë sa e kisha menduar. Antonio e kishte bezdi ta trajtoja si të verbër, ai ishte mësuar me atë lloj problemi dhe ishte ambientuar me mjedisin ku jetonte, madje i njihte shumë mirë edhe rrobat që kishte në garderobë dhe kjo, falë punës së asaj gruaje zemërgjerë që e kishte ndihmuar për gjithë këto vite. Kaluan disa muaj edhe unë vazhdoja ta doja Antonion si ditën e parë, ndaj i propozova të martoheshim. Kishim ndarë edhe ditën kur do të bënim celebrimet. Dy ditë më parë i thashë Antonios se do shkoja të zgjidhja fustanin që do vishja për atë ditë të shënuar e më pas do u thoja prindërve për vendimin që kisha marrë. Një shoqja ime më shoqëroi për të blerë fustanin, por rrugës vendosa të kthehesha tek Antonio, sepse e dija që prindërit e mi nuk do më linin të merrja këtë vendim, por më mirë do kisha preferuar të bëja ndonjë aksident rrugës sesa të shikoja atë skenë në shtëpinë time. Hapa derën me çelës dhe dëgjova Antonion që fliste më zë të lartë: “Pse më le? Ti nuk do ndaheshe kurrë nga unë, ma kishe premtuar këtë gjë”. Hapa derën e dhomës sonë dhe pashë gruan që ishte kujdesur për Antonion, të dy të zhveshur në krevat, duke u puthur plot pasion. Aty e kuptova se për kë e bleu Antonio tufën e luleve. Mbaj mend që dola me vrap nga shtëpia dhe më pas, e gjeta veten në spital. Nga tronditja e madhe më kish rënë të fikët. Ajo histori ka qenë një shkatërrim total për mua. Mbas asaj dite, nuk e kam takuar më as Antonion, as gruan mashtruese që luajti me ndjenjat e mia. Tashmë kanë kaluar dy vjet nga ajo histori dhe Antonio as sot e kësaj dite nuk e di se për ç’arsye e braktisa. Dua që edhe ai ta vuajë ndarjen tonë dhe jam e sigurtë që po e vuan sepse si unë nuk ka për të dashur askush në këtë jetë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

NDRYSHIMI I VIP-ave: FLORI

Next Post

5 gabimet që bëjnë burrat në seks

Advertisement