Arredimi është çështje gustoje e stili, po aq sa edhe çështje arti! Që nga ky numër i gazetës e në vazhdim, herë pas here, do të përpiqemi të sjellim për ju shkrime vërtet interesante që kanë të bëjnë me këtë fushë të jetës sonë…
E nisim me një nga mobiljet më të rëndësishme që duhen zgjedhur për dhomën e ndenjjes dhe ato, sigurisht, janë divanet apo kolltuqet. Në shkrimin e mëposhtëm, do t’ju prezantojmë 11 modele interesante dhe inovative, të krijuara nga dizenjues modernë. Përveçse mund të merrni ndonjë ide të re për shtëpinë tuaj, ju sigurojmë që edhe do të argëtoheni shumë!
1. Kolltuku me topa
Në shikim të parë, ju mund të pyesni veten se çfarë është kjo. Divani “Feel Seating System”, dizenjuar nga Animi Causa, ka një formë vërtet të pazakontë. Frymëzim për të ka qenë struktura molekulare, që është baza e të gjitha sendeve në botë. Kolltuku përbëhet nga 120 topa të veshura me një cohë elastike. Nëse ju pëlqen të luani, mund ta përdorni në mënyra krijuese, sepse struktura e tyre të jep mundësi të krijosh shumë forma. Një divan që do t’u pëlqejë më shumë fëmijëve!
2. Karrigia-fizarmonikë
Karrigia apo kolltuku fizarmonikë është krijuar prej drurit dhe letrës. Është pa dyshim një nga kolltuqet më cool të botës; hapet si fizarmonikë, për të krijuar një kolltuk të gjatë, një kolltuk rrethor, etj., pra, merr çfarëdolloj forme. Megjithëse nuk dihet sa i rehatshëm është, gjithsecili do të donte ta kishte një të tillë në shtëpi, aq më tepër që, kur paloset, ai zë fare pak vend.
3. Kolltuku-kafshë
Rodolfo Roketi, i firmës Tappezzaria Rocchetti, është një mjeshtër tapicier nga Roma që ka krijuar disa kolltuqe me të vërtetë krijuese, mjafton të shihni foton (ka edhe me kafshë të tjera, si tigër, etj.). Sigurisht, nëse do të guxoni t’i blini për shtëpinë tuaj, duhet ta kombinoni edhe me dekorin e shtëpisë, që duhet të jetë me temë kafshësh. Ata që i duan kafshët, duhet të kenë parasysh që janë bërë me peliçe artificiale.
4. Kolltuku-kacavjerrës
Nuk ka shans të mos ju habisë ky kolltuk i dizenjuar nga Lila Lang. Gjysma e tij është tradicionale, bile me rrumbullakësira sipas stilit të vjetër. Gjysma tjetër duket sikur po kacavirret në mur! Pranojeni që të lë me gojë hapur sapo e sheh! Nga njëra anë ai përmbush një funksion, një vend për t’u ulur dhe, nga ana tjetër, mund të quhet një objekt arti. Po ta shihni me vëmendje, do ta kuptoni që është pothuajse simetrik dhe mund të vihet në çfarëdolloj këndi të shtëpisë.
5. Kolltuku-krevat marinari
E kush nuk do të donte ta kishte në shtëpi (sidomos nëse ka një apartament të vogël)? Ai, jo vetëm që duket bukur, por është edhe shumëfunksional. Me siguri, nuk kishit parë deri tani një divan që kthehet në krevat marinari dhe ju, mund të flini rehat në krevatin sipër, sepse nuk mungojnë as shkalla, as hekuri mbrojtës. Kështu, s’do ta keni problem nëse ju vijnë njerëz në shtëpi për të fjetur.
6. Kolltuku me kube
“Do Lo Res” është një divan krijues, i dizenjuar nga Ron Arad. Ai është i përbërë nga kube dhe paralelopipedë me gjatësi të ndryshme, të vendosur në rreshta, për t’i dhënë formën e kolltukut dhe të fiksuar në një platformë me vida çeliku. Të gjitha kubet kanë një sipërfaqe në tokë 21×21 cm, ndërkohë që gjatësia e tyre ndryshon nga 27.5 cm në 83 cm. Ato janë të mbushura me sfungjer poliuretani, që poshtë është më i trashë për të mbajtur vidat, ndërsa sipër, më i butë, për më shumë rehati. Mund t’i rregullosh kubet në formë të ndryshme, për t’i dhënë tjetër formë kolltukut. Duket kolltuk i thjeshtë, por në fakt, ka një ndërtim të ndërlikuar.
7. Kolltuku me drita
Nëse përdoret si duhet, drita mund ta zbukurojë çdo lloj atmosfere, duke i shtuar ngrohtësi dhe, dizenjuesit kësaj radhe e kanë futur brenda mobiljeve, duke krijuar një divan prej akriliku që ndriçohet nga brenda. Efekti është fantastik, pasi prodhuesi japonez, VVaazvviz, e ka futur dritën në një mobilje bazë që gjendet në shtëpinë tonë. Divani me drita e bën jo vetëm më të dukshëm vendin e uljes, por i jep shkëlqim edhe një dhome në errësirë. Shkëlqimi i butë nuk t’i vret sytë, sidomos kur je duke parë televizor.
8. Kolltuku-pazëll
Yang Sofa është një kolltuk që të lejon të luash me të. Kështu, ju mund ta ndani më dysh, më katërsh, etj., duke krijuar çdo herë forma dhe kolltuqe të ndryshme, sipas nevojës. Dizenjues i tij është Fransua Boshe.
9. Kolltuku elastik
“Prapa murit” quhet kolltuku me dy anë, i dizenjuar nga Jordi Canudas, që është edhe mur, edhe divan. Ai ofron një vend të rehatshëm për t’u ulur, që bëhet më interesant kur njerëzit ulen në dy anët e tij. Lëvizja, tingulli dhe forma që ai merr, të krijojnë një ide se çfarë mund të ndodhë në anën tjetër…
10. Kolltuku-vaskë
Flavour Design Studio e ka konvertuar këtë vaskë me këmbë, në një kolltuk të rehatshëm. Tani mund të uleni në vaskë edhe pa u lagur! Çmimi është pak i kripur (3500$), por riciklimi i objekteve të tilla është një ide ekologjike. Përveç kësaj, mund të rrini ulur në të gjithë ditën dhe nuk do t’ju rrudhet lëkura.
11. Kolltuku-shezlong
Këto dy kolltuqe, shezlongu dhe love seat (kolltuku i dashurisë) janë dizenjuar nga Skot Uilson dhe i përkasin një linje të re kolltuqesh e karrigesh të quajtur Purity. Dizenjoja e tyre karakterizohet nga format e theksuara rrumbullake. Këto kolltuqe kanë një skelet prej çeliku, gjë që i bën të forta e rezistente dhe në mes, një rrjetë poliuretani.