– I nderuar Dr. Demiri, i kam ndjekur vazhdimisht përgjigjet tuaja tek “Intervista” dhe më kanë pëlqyer sidomos për pozitivitetin që përcjellin, por do të doja që në to të kishte edhe më shumë humor. Gjithashtu, do të doja të dija se çfarë është dhe çfarë na këshillon psikologjia e vetëbesimit? Me respekt, Era.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara Era, ju falënderoj për letrën e bukur dhe komplimentuese. Në të vërtetë, përpiqem që përgjigjet e mia t’i shkruaj të qarta, të kuptueshme, bindëse dhe me sens pozitiv, edhe me pak humor. Shpresoj t’i bëj edhe më të bukura, duke futur, siç thoni ju, edhe pak më shumë sens humori. Kam vënë re që edhe studentët, më shumë pëlqejnë e përvetësojnë leksionet e lirshme, në formë bashkëbisedimi e me pak sens humori, sesa ato akademike, duke u përpjekur të shmang moralizimet e tepruara. Por, gjithsesi, gjella me kripë e kripa me karar. Njeriu është qenie interesante. Ka dhe raste kur i këshillojmë të tjerët aq bukur dhe me vete themi: “Ah, sikur të mundja t’i zbatoja edhe vetë këto këshilla kaq mira!”. Pa të meta nuk ka, por e rëndësishme është që çdo ditë të rregullojmë e “modifikojmë” sjelljen e mendimet tona, drejt më të mirës së mundshme. Ndryshe i flitet një bariu e ndryshe, një intelektuali. Edhe ilaçet bimore, bariut të mësuar me natyrën i duhen në doza më të mëdha, kurse intelektualit me një fizik të dobët, i bëjnë punë me doza më të pakëta. Ju më pyesni për psikologjinë e vetëbesimit. Besimi te vetja është faktor i rëndësishëm për ecjen në jetë dhe për përmbushjen e suksesshme e të kënaqshme të saj. Dihet se të gjithë njerëzit kërkojnë të kenë vetëbesim e siguri në vetvete, porse edhe ata më të sigurtët, edhe vetë ne, psikologët, vuajmë edhe nga dyshimi apo rënia e vetëbesimit e vetëvlerësimit. Pra, vetëbesimi ulet e ngrihet, porse duke ditur këshillat e mëposhtme, ne do të dimë si ta ruajmë atë. Atëhere, në përgjigje të pyetjes suaj, ja cilat janë 20 këshillat që na këshillon psikologjia e vetëbesimit:
- Flisni pozitivisht për vete… Sa më pak fjali që fillojnë me “pse” e “po sikur” në lidhje me veten e sa më shumë të tilla që fillojnë me: “Sa mirë që… (plotësojeni)” 2. Çdo ditë, kur zgjoheni në mëngjes, i thoni vetes: “Sa mirë jam, sa mirë që dukem, ndjehem mirë që… (plotësojeni)”. Edhe plaku mbi 90 vjeçar i cili mund të jetë me pampersa, të thotë: “O shyqyr, ja edhe një ditë për ta jetuar unë sot!”. 3. Largohuni nga njerëzit e mërzitshëm, psikovampirët e manipulatorët, të cilët nuk dinë të bëjnë ndryshe. Shoqërohuni me njerëz të ditur e optimistë dhe jo njerëz që ankohen për gjithçka (si lokomotivat me avull). 4. Bëhuni miku (mikja) më e mirë e vetes dhe mos e lini gjendjen shpirtërore (fëmijën e brendshëm) në dorë të askujt! Të tjerët s’do të dinë ta mbajnë atë. Gjeni sa më shumë pohime pozitive për veten dhe përsëritini ato derisa t’ju bëhet si zakon i mirë, si ushtrime të mendjes. 5. Mos u merrni me të kaluarën, shikoni përpara e jo prapa, veproni si bleta e cila brumbullin në koshere, e izolon me dyllë dhe mbi të vijon të ndërtojë hojet e mjaltit. Pushoni së qeni “viktimë” për gjërat që ju kanë ndodhur dhe falni veten e të tjerët. Inati ju “gërryen” nga përbrenda. Hidhni tutje mendimet e vjetra, hartat e vjetra dhe rrobat e vjetra. Siç pastroni dollapin, ashtu pastrojeni edhe mendjen tuaj! Nuk ecet me hartat e vjetra. Po ashtu, kujtimet e vjetra s’na lënë të shijojmë të tashmen e të punojmë për të ardhmen. Gjeni kohë për kënaqësi e për zbavitje. 6. Lodhuni për t’i siguruar vetes profesion, punë, kushte, banesë e dashuri. Pastaj, gëzohuni që i arritët dhe shijojini ato. Gëzojuni më parë me ato që keni, pastaj mendoni e punoni për më shumë. Shpërblejeni veten me respekt e dashuri. Planifikoni punë që mund t’i realizoni e jo aq sa nuk mundeni. Mos bëni krahasime. Nuk jemi të gjithë “heronj”, secili sipas mundësive te veta. Jini e vendosur në ato që bëni dhe mos u tërhiqni. Pyet 24 vetë e bëj siç di vetë. 7. Zgjidheni ushqimin dhe shijojeni atë. Ndonjë ditë hani mirë. Sa më shumë fruta, perime, pini shumë ujë. Aspak duhan e drogë, evitoni alkoolin, kafeinën, yndyrnat, kripërat dhe ruajeni fizikun tuaj. Konsultohuni me një dietolog. Për çdo gjë që bëni ose që hani e pini, pyetni veten: “A më duhet, a më bën mirë?”. Siç thonë gjermanët: truri i qetë, stomaku i lehtë, këmbët ngrohtë dhe jeto mbi 100 vjet. 8. Shprehni ato që mendoni, kërkoni ato që dëshironi, çlirojeni mendjen e shpirtin. Mos mbani diçka si “kockë” të patretur në stomak. Qoftë edhe duke qeshur, por thuajini ato që mendoni. Qeshni sa më shpesh dhe bota do t’ju duket e mirë. 9. Mos u dëshpëroni nga rrethanat e kohës apo ngacmuesit e jashtëm. Ato, patjetër, ndryshojnë. Duroni e veproni dhe gjeni diçka për ta kënaqur veten, kënaquni me çdo moment të jetës. Guxoni. Shkeleni dhimbjen, sfidoni, synoni. Merruni me një lloj hobi. 10. Bëni komplimente. Sipas ligjit të Karmës, ajo që japim, na kthehet mbrapsht, na shpërblen. Fjala e butë përkul edhe shpirtin më të ashpër. 11. Mos u dëshpëroni nga gabimet, por nxirrni mësime. Faleni veten sepse të gjithë gabojnë. Siç thonë besimtarët: Ashtu ka qenë caktimi i Perëndisë. 12. Shoqërohuni me njerëz të ditur e të suksesshëm dhe konsultohuni me ta. Gjeni një psikolog të mirë që ta keni “tuajin”. Bisedoni çdo gjë me psikologun për ndjenjat e mendimet tuaja, si dhe për përvojat e reja që po kërkoni. 13. Bëni programe dhe organizojeni kohën siç duhet. Jo vetëm punë e zbavitje, por edhe sport, shëtitje dhe sa më shumë kontakte me natyrën. Zbulojini nevojat tuaja dhe plotësojani vetes ato. Rrëfehuni me dikë, hapuni me dikë që jua ruan sekretet. Dilni në shëtitje në mal dhe bërtitni sa më fort që të mundeni. Gjeni vende të qeta dhe meditoni. Fjalën “problem” zëvendësojeni me fjalën “sfidë”. Fati i zgjat dorën guximtarit. Bëjeni atë që quhet hiperventilim. 14. Bëhuni dëgjues të mirë. Mbani ditar. Jini i thjeshtë e i dashur. Të jeni sa më afër njerëzve të dashur e të afërm. Shërbejuni atyre, qoftë edhe me punë vullnetare. Universi do t’ju japë çdo gjë që ju e mendoni dhe e kërkoni. 15. Mësoni disa mënyra meditimi dhe ushtrime relaksi. Këto, shoqërojini me 10-15 minuta, dy herë në ditë, me frymëmarrje të thellë, mbajtje të gjatë të frymës dhe nxjerrje të ngadaltë. Ky është ai që quhet hiperventilim e që do të thotë, furnizim me oksigjen, derisa të na hapet goja si për gjumë. 16. Mësoni të gatuani për vete; mundësitë janë të pakufishme. Krijoni sa më shumë për vete, si për shembull, një kënd biblioteke të bukur, një copëz kopësht etj. dhe të gjitha këto projekte “kreative” do të jenë pjesë e bukur e jetës suaj. 17. Bëni atë që duhet e mos shikoni se ç’thuhet. Jini i sinqertë me të tjerët e me veten, veproni në mënyrë të sigurtë, madje edhe bisedën bëjeni të sigurë, që t’ju besojnë të tjerët. Flisni mirë për të tjerët, duke mos u pajtuar me llafazanët, cinikët, ironikët. 18. Lexoni një libër të mirë për dashurinë e seksin dhe bëni gjëra që të mrekullojnë e mahnitin. Mësohuni të jeni dhënës e i përkushtuar në dashuri. Përqendrohuni në gjërat e vetitë e bukura të partnerit (partneres) dhe mos jini kritikues. Bëni pushime të bukura. 19. Krijoni suksesin tuaj personal. Shkruajini 10 sukseset tuaja në bllok dhe argumentojini ato. 20. Falënderoni Zotin për gjithçka të mirë që keni e që keni bërë. Urojeni veten. Jini prind i përkushtuar për fëmijët tuaj, luani me ta si fëmijë. Shlyjeni edhe “borxhin” ndaj prindërve, me përkushtim.