Janë të shumtë faktorët që zgjojnë interesimin seksual të një burri. Unë do të mundohem të klasifikoj ato më kryesoret. Së pari, do të vlerësoja veshjen. Veshja e një femre duhet të jetë ose fluide dhe shumë femërore, ose shumë e ngjitur pas trupit (nëse linjat tuaja e lejojnë këtë). Shijet e burrave në këtë aspekt janë të ndryshme. Shumë prej tyre dëshirojnë t’i shikojnë kurbat e trupit femëror, ndaj i tërheqin veshjet e ngushta. Të tjerë dëshirojnë të fantazojnë për ato çka fshihet prapa tyre. Pavarësisht nga këto, përpiquni të vishni modele të ndryshme rrobash. Tradicionalisht, e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat që tërheqin më shumë seksualisht, ndërsa nga materialet si më tërheqëse seksualisht do të përmendja atllasin, mëndafshin dhe lëkurën.
Ekzistojnë shumë klishe për ngjyrat e flokëve që burrat pëlqejnë më shumë. Kështu, thuhet se bjondet janë më tërheqëse. Unë do të thosha se gjëja më e mirë është të adaptosh një model flokësh që të shkon për shtat sepse më shumë rëndësi ka modeli sesa ngjyra. Bëni rregullisht depilimin e këmbëve dhe sqetullave. Burrat, me përjashtime të rralla, nuk i durojnë qimet.
Këpucët që mbani ju ndikojnë shumë te burrat. E di që është e vështirë të mbani këpucë me taka të larta, por mjaft burra kjo i tërheq shumë seksualisht. Veçse, kini parasysh një gjë: Nëse ju nuk ecni mirë me këpucë me taka të larta, mos i mbani ato sepse para ndjenjës seksuale te burrat do të lindë ajo komike. Mos ngurroni të mbani taka të larta edhe nëse partneri juaj do të duket paksa më i shkurtër se ju. Mjafton që ai t’ju pëlqejë.
Kur dilni jashtë shtëpisë me qëllimin për të tërhequr një djalë, mos harroni aksesorët. Një çantë e vogël në dorë ju bën mjaft tërheqëse. Por e vogël, ama. Nëse mbani çantë të madhe do të duket sikur keni dalë për të bërë pazarin. Nëse keni duar të bukura provoni të tërhiqni vëmendjen e tij te duart duke mbajtur unaza të ndryshme. Nëse ju doni që ai t’i hedhë sytë në gjoksin tuaj zgjidhni diçka që shkëlqen, si për shembull varëse ose zbukurim. Nëse dëshironi të kundërtën, mos e bëni një gjë të tillë. Pa dyshim, në tërheqjen seksuale një rol të padiskutueshëm kanë të brendshmet. Për një mbrëmje të paharruar zgjidhini të brendshmet duke menduar për të dashurin tuaj. Tantellat, sutienat pak të hapura e të lirshme janë shumë tërheqëse për burrat. Po kështu, edhe zhartieret. Të brendshmet e zeza ose të bardha janë tepër sensuale, ndërkohë që e kuqja është shumë provokuese. Dhe, nëse ju doni me të vërtetë të ngjallni oreksin e tij seksual, mos mbani asgjë dhe thuajani këtë atij në momentin kur nuk e pret.
Parfumi: Ka shumë femra që e përdorin atë me tepricë. Ato harrojnë se parfumi është një ftesë për partnerin, ndërkohë që era e fortë e tij mund të provokojë neveri. Ka shumë burra që nuk e durojnë dot parfumin. Po theksoj një gjë që duhet ta mbani mend mirë. Organizmi njerëzor prodhon disa substanca seksualisht tërheqëse kur zgjohet dëshira seksuale. Këtyre nuk mund t’u rezistosh. Por, nëse ju abuzoni me substancat artificiale, ato do të dalin jashtë veprimi.
E ecura: Është vendimtare për të tërhequr një person që kalon afër jush. Mundohuni të fshihni të metat tuaja trupore, futni barkun brenda, hidhni shpatullat prapa për të nxjerrë në pah vlerat e gjoksit. Nëse ju doni të shkoni larg me synimet tuaja, provoni të ecni si Merlin Monro, por mos e bëni këtë provë për një kohë të gjatë.
Një rëndësi të veçantë kanë sytë. Nëse partnerit tuaj i pëlqen tualeti i rëndë, bëni makiazh për ta tërhequr atë drejt syve, që janë një dritare për shpirtin. Lyerja e qerpikëve dhe syve bën që ata të duken më të mëdhenj dhe vështrimi, më i thellë. Kur ju e dini që ai ju shikon, ulini sytë për një sekondë, pastaj hidhni mbi të një vështrim pak të turpëruar. Studimet theksojnë se shumicën e burrave e tërheqin gratë që kanë bebe të mëdha. Për këtë, përpiquni ta përqendroni vëmendjen te njerëzit që takoni dhe te gjithçka që ju rrethon. Dëgjoni ato çka thuhen rreth jush. Mbani gjithnjë një vështrim aktiv e jo të fjetur. Evitoni dritat e forta që zvogëlojnë bebet. Nëse mbani syze, përpiquni të mos i mbani ato në momentin që bëni prezantimin sepse vështirësojnë shkëmbimin e shikimeve. Megjithatë, syzet tërheqin mjaft vëmendjen e të tjerëve mbi sytë tuaj. Këshilla e fundit: Kur takoni burrin që doni, fantazoni gjithnjë rreth tij, sidomos para takimit. Zemra juaj do të rrahë më shpejt, fytyra juaj do të marrë një ngjyrë tjetër, bebëzat do ju shkëlqejnë. Këto do ju bëjnë të parezistueshme.
Qëndrimi më këmbë apo ulur. Një fjalë e urtë thotë se “trupi flet”. Mundohuni edhe ju të flisni me trupin tuaj. Qëndroni përballë burrit për të cilin mendoni, me këmbët e drejtuara nga ai. Përpiquni t’i zhvendosni shpatullat mbrapa për të nxjerrë në pah gjoksin ose përkuluni pak para tij për të qenë sa më afër të jetë e mundur. Përpiquni të merrni ndonjë “pozë”. Një dorë në hije, ose vendosja e një gishti në rrip ju bën tërheqëse. Kur jeni e ulur, kthejini gjunjët nga bashkëbiseduesi juaj ose kryqëzojini paksa me njëra-tjetrën. Përkëdhelni herë pas here si padashur këmbët e kofshët tuaja me dorë, për të tërhequr vëmendjen e tij. Ngritja e fundit pak centimetra mbi të zakonshmen mund të duket një ekzagjerim, por kjo bën punë.
Kontakti dhe lëvizjet: Kontakti është një ngacmues i shkëlqyer. Një fshikje e lehtë mjafton për të ngjallur interesin e mashkullit. Duke i zgjatur një gotë le të prekin pak gishtat tuaja doren ose krahun e tij vetëm një sekondë. Prekeni lehtë në krah kur jeni duke çarë ndonjë turmë njerëzish ose kur kaloni rrugën. Do të shikoni se më vonë, edhe ai do të dëshirojë t’ju prekë. Shumë efekt ka edhe prekja me flokët tuaj, nëse i keni të gjatë.
Zëri juaj: Përpiquni të flisni me zë të ulët e me një ton paksa të fshehtë. Mos u përpiqni të flisni si një çupëlinë. Kjo nuk ju bën tërheqëse.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *