Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Si më morën 3 mijë euro për një punë në shtet!

Të dashur lexues! Historia që do t’ju tregoj, ndryshon nga historitë që mund të keni lexuar në këtë gazetë. Është histori personale dhe nuk ka të bëjë shumë me dashurinë e tradhtirat, por se si më mashtruan, si u tregova naiv dhe tani mbeta në një gjendje që shumë shpejt do të më çojë drejt depresionit.
Unë jam një burrë 53 vjeç. Në jetë kam patur edhe të mira, por edhe të këqija. Në kohën tonë, kishte dhe ekzistonte dashuria e pastër. Unë u martova pak vonë dhe gruan e mora me shkuesi, por meqenëse ajo ishte pa shkollë dhe e re, e kisha të lehtë të jetoja me të. Ajo ishte një shërbëtore e mirë dhe shumë e urtë. Edhe pse nuk u martua me dashuri me mua, më deshi e nuk i shkonte syri për burrë tjetër. Mirëpo pasi rriti fëmijët, ajo vazhdoi shkollën dhe siç thotë populli, “iu hapën sytë”, filloi të krijonte shoqëri me gra intelektuale dhe ndryshoi tërësisht. Ndryshoi në të mirë të saj, sepse edhe ajo nuk ishte lindur për të shërbyer, por për të jetuar jetën në të gjitha aspektet, por ndryshoi në të keqen time. Ajo kuptoi se nuk duhej t’i përkushtohej me mish e me shpirt familjes e aq më pak, mua, që jetoja si princ, me të gjitha shërbimet. Unë nuk isha mësuar të bëja asnjë nga këto punë dhe kështu, ditët përrallore mbaruan.
Menjëherë pas kësaj, më hoqën nga puna e shtetit dhe u futa në privat. Jeta u vështirësua për familjen time jo vetëm nga ana ekonomike, se rroga ishte më e vogël, por edhe sepse duhej të punoja jashtë orarit e gruaja dyshonte se mos e tradhtoja. Në fakt, më parë unë e tradhtoja e ajo nuk kuptonte asgjë, por ju thashë se ato kohë ajo ishte tjetërsuar, nuk e gënjeje dot më. Tani më duhej një tjetër mënyrë.
Menjëherë më hoqën nga puna sepse nuk rrija jashtë orarit dhe mbeta mes katër rrugëve. Çdo ditë dilja të kërkoja punë, por asgjë. Një ditë takova një shok të shkollës. Ai më premtoi se do të më gjente një punë, madje shumë shpejt. Dhe ashtu ndodhi, nuk më gënjeu. Folëm në telefon dhe ai më tha të takoheshim e të pinim kafe e të sqaroheshim. U takuam.
– Një miku im i familjes të ka gjetur një vend të shkëlqyer në zyrë, ashtu siç ke punuar gjithmonë.
– Faleminderit ty.
– Mua? Po ç’bëra unë? Ai e gjeti vendin.
Në atë kohë, miku e mori në telefon. Ai fliste me të dhe me gisht bënte “okej” nga unë, që do të thoshte se çdo gjë u rregullua. Kur uli telefonin, më tha:
– Çdo gjë është në rregull. Tani po marr dokumentet e tua dhe pasdite do t’ia jap atij mikut. Nesër ai i çon te drejtori e pasnesër, ti fillon punë.
– Faleminderit, unë do të të jap kafen tënde.
Ai nuk tha jo.
– Të rregullojmë njëherë drejtorin, pastaj flasim.
– Në rregull – i thashë i emocionuar dhe po kështu isha edhe në shtëpi.
Nuk i tregova gruas sepse nuk kisha patur asnjëherë dëshirë t’ia thoja asaj gjërat e mia. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja pse ajo u largua nga unë në këtë mënyrë, por nuk e kisha edhe aq shumë problem që të shkonim mirë bashkë. Mjaftonte që ajo ishte gruaja dhe aq.
Të nesërmen më telefonoi shoku. Në fakt, vetëm më çonte zile dhe unë që kisha mbushur telefonin, e merrja.
– Kanë kërkuar 4 mijë euro. A i bën dot? Nëse po, vendi i punë është i yti! – U mpiva menjëherë. Ku t’i gjeja? – Megjithatë, – vazhdoi ai. – Do takohemi pasdite dhe fol vetë me të.
– Dakord. – i thashë shkurt me gjysëm zëri.
Pasdite u takuam. Ishte shoku, miku i tij dhe sekseri. U ulëm të pimë kafe. Ata filluan me kërkesat e tyre. Jo duhet master, jo të tjerët mund të kenë nota më të mira… E kuptova se diçka luhej, megjithatë kisha shumë nevojë për këtë punë. I dëgjova me vëmendje dhe në fund, u thashë:
– Do të mundohem t’i gjej lekët. Nesë ju e ulni pak çmimin, unë i bëj shpejt. 4 mijë nuk mundem. Me 3 mijë jam gati kur të doni.
Ata shikuan njëri-tjetrin dhe ranë dakord.
Po ku t’i merrja lekët? Do merrja kredi, por më duhej një vërtetim pune. I thashë shefit me të cilin punoja kur u futa në privat e ai, se si e bëri, nuk e di. Ishte i shkathët për këto gjëra. I bëra të gjitha dokumentet dhe mora kredinë. Të gjitha këto, pa i thënë asgjë gruas.
I thirra në telefon dhe u takuam përsëri.
– Sa shpejt i bëre! – më tha miku i shokut.
– Mora kredi se vetë nuk kisha.
– Të lumtë! – tha ai i kënaqur se do merrte edhe ai pjesën e vet, me siguri. I falënderova, ua dhashë lekët dhe të nesërmen, do paraqitesha në punë. Nuk i filmova, edhe pse kisha një telefon sepse kisha shumë besim te shoku. Kështu, fillova punën të nesërmen. Ishte një ambient i bukur dhe puna ishte shumë e lehtë e komode. Edhe gruaja u kënaq, pavarësisht se nuk e dinte se si kisha hyrë. Nuk gjeja asnjëherë nevojën t’i hapesha asaj. Herët e tjera kisha patur të dashur, ndërsa tani nuk ia thoja gjërat sepse ashtu isha mësuar. Punoja dhe paralelisht, paguaja kredinë. Pra, i rregullova gjërat. Kështu, punova për disa kohë, kur një ditë më sollën një asistente. Ajo ishte një vajzë e re që sapo kishte mbaruar shkollën. Nuk do paguhej, por vetëm do merrte eksperiencë. Dukej se kishte patur një mik të fortë. Nejse. Unë e mësova se si punohej dhe si gjithmonë, ashtu si më kishte ndodhur në të gjitha punët ku kisha punuar, gjeta gjysmën plotësuese që nuk e kisha te gruaja ime, pra, njeriun që më duhej për të folur, qeshur, treguar gjërat e mia. U miqësova shumë me atë vajzë, madje njëherë tentova edhe ta puthja. Ajo nuk hezitoi, por në atë moment trokiti dera dhe mbeti pa përfunduar atë çka nisa. E dija se do të vinte shumë shpejt çasti kur ajo do të më hidhej vetë në krahë, sepse ashtu më kishte ndodhur gjithmonë, mirëpo ky çast nuk erdhi sepse mua më erdhi shkresa se më kishin transferuar, më kishin çuar në një institucion tjetër. U mërzita pak, por më shumë u mërzita kur më thanë arsyen e largimit:
– Këtu punën tënde do ta bëjë asistentja, sepse kemi marrë urdhër që të gjithë punonjësit duhet të kenë mbaruar me mesatare mbi 8 dhe masterin.
– Unë ato nota i kam marrë me djersë në kohën time dhe jo si i kanë marrë këto të rejat sot! – kundërshtova.
– Po ju nuk keni pse të mërziteni. – tha drejtori – mirë do jeni dhe atje ku do të shkoni.
– Pse, për kaq kohë pagova gjithë atë shumë unë?
– Më falni, ju lutem, nuk po ju kuptoj…
– Tani nuk më kuptoni, por kur morët eurot, e kuptuat mirë!
– Unë euro? Unë të kam futur jashtë listës se i bëra nder mikut tim. Sa të tjerë me master më erdhën dhe i refuzova!…
– Më falni, por unë filanit i kam dhënë 3 mijë euro që t’jua sillte juve që të hyja këtu në punë.
– Unë nuk merrem me kështu punësh, prandaj ju lutem dilni nga zyra dhe boshatisni sa më shpejt zyrën, që të mos pengohet puna.
Më vonë kam menduar se ai me siguri kishte marrë një shumë parash, por i erdhi inat se pse i kishin dhënë më pak e i kishin mbajtur të tjerat për vete. Unë dola nga zyra dhe shkova te zyra ime. Aty ishte asistentja së cilës i kisha mësuar gjithçka, pa e ditur se do të më zinte vendin. Ajo u mundua të justifikohej se nuk e dinte që do të ndodhte kjo gjë, por unë nuk e lashë të fliste.
– Isha me fat atë ditë që ra dera dhe… – i thashë shkurt dhe ajo nuk foli më. Tek institucioni tjetër më thanë se nuk kishte vend dhe do të prisja për konkurrimin. Pra, siç u kishte ndodhur dhe të tjerëve para meje. Të “transferojnë”, kur duan të të heqin nga puna…
Unë nuk kisha asnjë provë që kisha dhënë lekët. Takova shokun që më bëri këtë “nder” dhe i thashë:
– Po ti, more nga ato lekë?
– Ç’po thua kështu? Si mund të ta bëj një gjë të tillë? Edhe mua më erdhi shumë keq… Faji yt, por edhe imi ishte që nuk i filmuam…
Nuk kishte faj ai dhe fjalët që po thoshte ishin të vërteta. Duhej të kishim ndonjë fakt, sidomos kur dhamë aq shumë para, por ishte vonë për ta menduar këtë…
Tani kam mbetur pa punë. Gruaja nuk do t’ia dijë se si ndodhi, sepse e kuptoi se gjithmonë e kisha mashtruar. Tani edhe fëmijët janë rritur dhe më gjykojnë; kanë të drejtë. Pra, gjithë jetën jetova mrekulli dhe tanimë duket se ka ardhur koha t’i paguaj të gjitha padrejtësitë që i bëra gruas.

 

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

10 teknika për të komunikuar më mirë në shoqëri

Next Post

9 gjëra që e bëjnë një grua të parezistueshme

Advertisement