Seç ndjeva mall
Në mes të rruges si e mjerë,
Në mes të Amerikës si e pa vlerë,
Në mes të detit si e pa lagur,
Në mes të verës jam si akull,
Ashtu më duket çdo ditë e me shumë,
Se këtu në dhé të huaj jam unë.
Ku shkoi rinia, buzëqeshja, kënaqësia,
Atje ku thoja “si u gdhive” e kendoja këngët e mia,
Atje ku çohesha herët e punët të mbaroja,
Se me komshijet do pija kafe e shaka do bëja.
Ku shkoi ajo kohë kur rrugës kaloja,
Në trotuar shumë njerëz takoja,
Ah, sa m’ka marrë malli për takat me baltë,
Që edhe kur më vrisnin, veshur i mbaja prap.
Ah, ajo shtëpi e vogël me sa shumë dashuri,
Ah, ajo bukë e thekur e të gjithë në një tavolinë,
Ah, ajo derë që trokiste e shihje xhaxhin, tezen, kushërinjtë,
Dhe pse babi ishte me shërbim e mami turni i dytë,
Për atë kohë me lot më mbushen sytë.
E do të thoni ju “hajde, pse lavdërohesh mbasi hipe në avion?!”,
Shumë mirë e keni po ta dini, zemra më vajton,
Ju dua me gjithë shpirt e s’tallem kur shkruaj,
Shpirti më digjet nga malli si qiriri në të shuar… Tefta Rrakulli
Heshtja vret
I ndezi dritat qyteti sonte. Dhe unë,
para portës tënde u gjenda çuditërisht.
Dera ishte hapur, nuk bëri fare zhurmë,
Ç’kërkoja këtu sonte?! Mos erdha gabimisht?!
Nuk fola, ç’të të thoja s’më vinte gjë ndërmend,
Vështrimi yt i etur gjithë trupin më përshkonte.
Nuk e zgjodha vetë, të vij në vendin tënd,
Ish’ dëshirë e zemrës të jem me ty unë sonte!
Përballë të dy qëndruam vetëm për pak çaste,
E me çfarë unë ndjeja, shkruhet një roman.
Ndodh kështu me ndjenjat në të tilla raste,
Fjalë të dy kërkuam edhe një fjalë s’e tham’!
Zgjodhe që të heshtësh dhe ti me heshtjen time,
Duke më vështruar, zhytur në kureshtje.
Të thashë dy fjalë në ikje me zemrën bërë thërrime:
”Më vrave edhe sonte, heshtja vret në heshtje” !
I ndezi dritat qyteti sonte. Dhe unë,
si era në rrugica, me veten time shfryja.
Derën ti ma hape! Kishe qenë në gjumë.
Prapë e hape derën e nuk më le të hyja! Bledi Ylli
Fjalë zemre
Me horizontin digjej shpirti,
Aq sa dielli perëndonte në xhelozi.
Kur ndjeja aromën e frymëmarrjes tënde,
Në rërën trazuar dashuri.
****
Dhe qeshja me shpirt kur më ndiqje,
Një puthje të rrëmbeje nga unë.
Zëri dilte si zjarr prej shpirtit,
Kur ndjeja të më doje aq shumë!
E mora fotografinë tënde, e vendosa në shpirt, që kur të kem mbyllur
sytë përgjithmonë të t’mos harroj Fleta Satka
Sonte
Sonte
Ti je larg në Tiranë
Unë rri i dëshpëruar në vetmi
Telefoni hesht, si kufomë
Në mendjen time
Si nëpër ca qafa strucësh
Rrjedh disi e mjegullt
Por e fortë, e madhe
Dashuria ime për ty
Sonte e urreva Korçën! Alban Arapi
Ankthi i babës
– Baba gjithë jetën punoi
E kurrë një herë s’pushoi
Mik e shok respektonte
E eufori kurrë s’tregonte
Besën askujt s’ia jep
Mbledh para e i mban sekret
Dy qypa mbushi në rini
E i treti gjysëm në pleqëri
Mosha sa vinte e i shkonte
E desh akoma të gërmonte
Rininë shpesh e kujtonte
Pleqërinë e mallkonte
E baba vdiq e s’la amanet
Vetëm ah o i tret
Vjen e kthehet miqësia
Tra më tra ish’ shtëpia
Fukara djalin e la
E gruas një fjalë s’i tha
Me maraz iku i shkreti
Që në besë e preu i treti
Një mik i vjetër në derë trokiti
E ngushëllon e i jep gajret
Shif se baba të ka lënë para
Kur të vijë mos të të gjejë fukara
Kureshtjen djali e shtoi
Nënë ç’tha babai kur jetë ndërroi
Asgjë djalë s’më tha
S’pata fat i treti gjysem ka
E dritares sytë s’ia ndante
Atje pinte, atje hante
E kur jetë ndërroi
Me zor sytë ia largoi
Nënë më thuaj një fjalë
Miku vjetër diçka di
I treti gjysëm ka
Mos bëhet fjalë për para
E ç’të të thotë nëna e gjorë
Para kur s’pata në dorë
Ai gjithë jetën ka punuar
Ndoshta për to ka belbëzuar
Fukarai gjë nuk humbet
Që me vuajtje e ngrys këtë jetë
E asgjë nuk shijon
Edhe vdekjen e pranon
Merr kazmën e te dritarja shkon
Pa vonuar qymat zbulon.
Merr paratë shkon në kafene
E qeras kë gjen atje
E dikush me ironi
Të la baba ndonjë flori,
Merr qerasjen e mos u ndje.
Po do punë
Në shtëpi më ke. Bexhet Durmishi
Kali, Pela me Gomarin (fabula)
Pela flirtonte me një kalë
U doli veshua përballë
Dhe shikonte gojëshkumë…
– Zhduku, – tha kali, – jam unë!
– Pela në çast u hodh hopa:
– Lëre se s’e ka bërë lopa! Izet S. Culli.
Dashuri në heshtje!
Ec,
në heshtje hapat hedh,
heshturazi të mendoj,
e po ashtu të dashuroj!
E heshtja ngrihet hijësisht ngadalë
në hapësirë, lehtazi me erën,
drejte teje niset pa fjalë
të vijë te ti, ka aq dëshirë!
Dëshira e heshtjes, thjesht e patreguar
bëhet një me erën, në hapësirë, dashuruar!
Valëzisht në ndjenja fluturon
si rrënja e një gjetheje nga pema
ah, sa ëmbëlsisht më torturon
më bëhet e dashurueshme dhe pritja.
Dëshira e heshtjes,
dashuri pa fjalë, pa lot,
në udhëtim me erën,
veç ndjenja dashuron! Ylli Jahaj
Kushtuar shpirtit tim
Përshëndeta yllin e parë që lindi,
Adhurova qiellin kur zbukurohej.
Lajkatosa hënën lozonjare,
u kërkova puthjen tënde, por s’ma dhanë.
Ia kërkova puthjen tënde mëngjesit,
por dielli u nxeh nga xhelozia.
më buzëqeshi më ledhatoi.
Por unë nuk doja puthjet e tij!
Ia kërkova puthjen tënde qiellit
e kërkova në mëngjes deri natën vonë.
Po kërkoj puthjen tënde si e çmendur
pa ditur nëse ti do t’ma dhurosh. Leonard K. Thanasi
Hedh sytë nga deti
Dua t’i vjedh ngjyrën
Dua t’i vjedh madhështinë
Dua t’i vjedh aromën
Dua t’i vjedh thellësinë
E vetmja gjë që bëra
Ishte të hidhja sytë
dhe ndërmjet tyre,
gjithë këtë mrekulli
u përpoqa ta fus në shpirt
Sa ngjajmë me detin! Henrieta Pareshi