Regjisoret janë ato që heqin lodhjen më të madhe kur nisin një projekt në teatër, sepse duhet  të realizojnë gjithçka deri në detajet më të vogla dhe këtë e dimë të gjithë. Elma Doresi është një nga ato regjisore që ka dhënë shpirt nga shpirti i saj që shfaqjet që ka vënë në skenë në teatër. Pak kohë më parë, ndodhi diçka e pazakontë, Elmën e lënë jashtë teatrit, po a mund të largosh diçka nga dikush që ajo që bën është e gjithë jeta? Elma shprehet se mund ta lënë jashtë Teatrit Kombëtar por jo nga teatri dhe se së shpejti do shihen në gjyq për këtë çështje! Lexoni intervistën me Elmën për më shumë…!

Fabjola Kuburi:- Kur gazetarët duan të mësojnë jo vetëm për Elmën e skenës, por edhe për jetën tënde private, të bezdisin?

Elma Doresi:- Aspak, por është një kompromis në heshtje që të dyja palët kemi rënë dakort.Kam dashur përherë dhe vazhdoj të jem e këtij mendimi se dua të njihem për atë çfarë bëj,saktësisht Teatrin. Privaten ia kemi lënë vipave(qesh).

– Unë dua të të pyes njëherë për anën profesionale pastaj nëse do mund të më tregosh diçka për anën personale…Elma, çfarë ndodhi në teatër, pse Elma është tani jashtë teatrit?

– Punova shume (qesh).Në faqen time bëra publike edhe punët e mija në Teatër dhe ky ishte rezultati që nxorra nga ai institucion: “Të punosh nuk qënka mire”.Më penalizoj puna,më penalizoj publiku i shumtë,më penalizuan festivalet ndërkombëtare. Dikush më tha “Budallaqe, do bësh lekë tani”. Unë nuk e kam bërë e nuk do ta bëj kurrë artin për lekë. Sigurisht që paratë na duhen, por unë jam kujdesur përherë të mos jetë ky qëllimi parësor, madje i trëmbem ditës që do mendoj për para, ndoshta atë ditë nuk do mendoj më për të bërë art.

-Me se e mbush kohën Elma tani?

-Me lexime, përkthime dhe koncepte të veprave. Mbaj shënime. I rezervoj të gjitha në repertorin tim. Jashtë Teatrit Kombëtar më nxorën por jashtë Teatrit nuk më nxjerrin dot. Do ti rikthehem projekteve private si para se të futesha në T.K. Po organizoj 2019-n time, me shpresë se do ti realizojmë të gjitha. Pastaj kemi dhe miq, mos bëj kot sikur rri mbi libra tërë kohës (qesh).

– Ke thënë edhe që ka plagjaturë në teatër, që ka përvetësim të punës së tjetrit…

– Fatkeqësisht po! Rëndom po ndodh kjo gjë e ulët. Ka plagjaturë dhe mjafton të klikosh titullin e një vepre në google dhe aty do të gjënden kostumet, skenografia apo regjia e tjetëtkujt. Nuk e di kur do marr fund kjo gjë e ulët në profesionin tonë.Ka plagjaturë brënda dhe jashtë kufijve. I kam sfiduar me dramat shqipe përherë. Është e vetmja që nuk gjëndet askund. Aty vërteton nëse je apo nuk je i aftë.

– Elma, ti do heqësh dorë së kërkuari drejtësi për punën tënde?

– Kush e tha këtë? (qesh). Kur vendosa ta bëja publike e ta denoncoja rastin tim i mendova gjatë. Që në fillim kam kontaktuar me avokaten e cila gjatë muajve ka vëzhguar çdo gjë. Aktualisht çështja është në gjykatē dhe jemi në pritje të seancave gjygjsore. Do ta kërkoj të drejtën time sepse dua të tregoj se heshtja dhe përulja nuk bëjnë për mua e nuk duhet të bëj për asnjë. Dua t’i tregoj njerëzve që dhe e vetme përballë rrymës kundër mund t’ia dalësh. Të mos kenë frikë të kërkojnë të drejtën e tyre.

– Pas asaj gjullurdie në teatër, ti çon aktorët e teatrit të Vlorës në Rumani në kuadër të javës së kulturës me pjesën “Njeriu që pa vdekjen me sy”..më trego si u pritët atje?

-Kur mora telefonatën nga Z.Fate Velaj,e mbylla telefonin dhe kisha familjen pranë. Hë më thanë,çfarë ndodhi?Asgjë i thashë,dhe puth dorën dhe e drejtova lart: Është ai thashë,nuk do të heq dorë. Në Rumami kaluam shkëlqyeshëm.Organizimi nga Z.Fate dhe Z.Luan Topçiu ishte një mrekulli. Shfaqja u prit mirë, u tha se solli emocion. Disa herë u ndërpre nga duartrokitjet e publikut.U tha se ndoshta mund të ikim dhe në Bukuresht.U la një derë e hapur dhe besoj kaq mjafton për të thënë se ia dolëm.

-Me çfarë do ta ndërroje teatrin? Çfarë të jep një ndjesi të ngjashme me atë që përjeton me teatrin?

-Nuk ka asgjë që mund të më zëvëndësoj Teatrin. Besomëni! Unë aty jetoj, aty marr frymë, aty jam vetvetja. E vetmja që do më ndajë me Teatrin do të jetë vdekja. E dua Teatrin  pikë dhe kjo gjë ka marr fund (qesh).

– Po një ndjesi të ngjashme me atë që përjeton kur duatrokitesh?

 -Ndihem si një zog që fluturon për herë të parë. Duartrokitjet janë jeta e humbur e cila të kthehet pas. Thonë se për një regjisor, përgatitja e një premiere i bën atij të humbas 30 vite nga jeta e tij.10 vitet e para ai i rimerr në premierë, e pastaj me rradhë. Duartrokitjet janë shpërblim i shpirtit të dhënë. Sa herē dal në përshëndetje këmbët më dridhen çdo natë, por kur afrohem pranë tyre e ndjej ngrohtësinë, i shoh portrete e tyre dhe ua lexoj fjalët të cilat ti thonë duke belbëzuar, unë fluturoj.

– Një artist i teatrit investon në skenë me shpirtin e tij… Ia vlen?

– Mendoj se ky është misioni,gjë që të thuhet që në fillim.Dhe të takon ty pastaj ta vazhdosh këtë “luftë” ose jo. Ti jep shpirtin në Teatër por publikun dhe prezenca e tij ta rikthen përsëri me prezencën e tij. Kështu që asgjë nuk humbet, vetëm e jep me qera për pak kohë (qesh). Nëse do rikthehesha pas, do veproja njësoj,do sakrifikoja po njësoj, sepse nuk di të bëj ndryshe.

– A ka një regjisor/ aktor që ka qenë gjithmonë etalon për ty? Nëse do të të pyesnin se karrierën e kujt do të doje të kishe…

– Dikur më ftoj një regjisor i yni, në moshë dhe më tha: ”E di pse të ftova? Sepse më kujtove vehten. Dikur në moshën tënde kam pasur dhe unë çmënduritë e tua në skenë”. Ky ishte një ogur i mirë për mua. Ndërsa një aktor në moshë më quan një ndër regjisoret më të mira, më krahason dhe ai me një regjisor i cili nuk jeton më. Unë nuk dua të citoj emra,por kam shumë miq të mirë në Teatër, regjisor dhe aktorë të shkëlyqer të cilët kanë qënë udhëheqësit e mi dhe mbështetësit e mi, por të një brezi tjetër, jo timin.

-Flasim pak për Elmën  përtej siparit të teatrit…si është Elma në përditshmëri?

– Njësoj, po me dhëmbët jashtë(qesh). Nëse nuk jam në Teatër më gjeni përherë në natyrë, në kërkim të ndonjë liqeni, të ndonjë ngjitje në mal, të ndonjë vëndi të bukur, apo në ndonjë bregdet. Jam shumë e lidhur me natyrën.

-Ke një dashuri të madhe për kafshët, me sa kam vënë re, mendon se dinë të duan më shumë se njerëzit?

– I kam dashur përherë por zhgënjimi nga njeriu më hodhi shumë pas tyre. Ata falin vetëm dashuri. Ata nuk urrejnë. Ata janë mirënjohës. Edhe nëse nuk i ushqen ata janë përherë aty, dy sy që të falin jetë. Dorën e kam më të sigurt tek ata, e di që nuk do të m’a kafshojnë kurrë, ndryshe nga njeriu.

-Janë regjisorët njerëz me komplekse?

– Po  njerëz jemi dhe ne (qesh). Do gënjeja po të thoja që nuk kemi komplekse. Personalisht më ndodh të kompleksohem kur dëgjoj për vehten, dua të zhdukem në ato momente. Po shumë i kam hequr. Përshembull, dikur dilja përpara klasës dhe e thoja me një frymë vjershën, sot dal në skenë përball aktorëve dhe u kaloj të gjitha personazhet një nga e një pa komplekse përkundrazi me qejf të madh.

-Sa përqind e sinqertë ke qenë në këtë intervistë?

– Nuk di të jem ndryshe .99% m.q.s thonë se 100% nuk ekziston.

-Një mesazh për drejtorin e teatrit, për aktorët, për Elmën, për ne…!

– Ah, me dole në temë në fund.(QEsh) Për drejtorin: Ne jemi kalimtarë në jetë, e jo më në poste.

Për aktorët : Fitofshi përherë role si tek unë dhe të keni në krahë një mike regjisore përherë siç unë isha për ju. Ndërsa për ju,miqtë e mi të medias dhe miqve të mi të teatrit ju them :

Faleminderit për çdo gjë që keni bërë. Faleminderit që e përcillni fjalën e lirë ashtu siç është dhe misioni juaj. Isha e mërzitur por mbështetja juaj çdo ditë më solli buzëqeshjen. Besomëni kur ju them që ju kam xhan dhe se jeni vërtetë forca ime më e madhe. U rritëm bashkë dhe do të jemi dëshmi e njëri-tjetrit përherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *