– Jam një vajzë që nuk ka shumë kohë që kam filluar marrëdhëniet seksuale. Vërtet jam 22 vjeçe, por nuk jam shumë e informuar mbi seksin nga ana praktike. Më vjen turp ta them, por sinqerisht, nuk arrij dot ta dalloj kur arrij në orgazëm. Kam lexuar që duhet të masturbohesh që të njohësh trupin tënd dhe të dallosh orgazmën. Më ka ndodhur që kam ardhur në qejf kur jam masturbuar, por përsëri nuk jam e qartë në marrëdhënien time, pasi shoh që edhe i dashuri më pyet dhe më thotë: “Më duket se nuk ke arritur asnjëherë në orgazëm”. Jam në pritje të një përgjigjeje nga doktor Evi. Ju falënderoj!
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – E nderuar lexuese, nuk ka pse t’ju vijë turp për dyshimet tuaja dhe njohurinë e pakta mbi orgazmën, sepse kjo gjë mësohet edhe me eksperiencë. Ju, me kalimin e kohës, duke pasur marrëdhënie të rregullta me të dashurin tuaj, do të mësoni orgazmën dhe do ta përjetoni seksin akoma më shumë e më me pasion. Dihet që femrat arrijnë pak më me vështirësi në orgazëm dhe ky është një nga problemet shqetësuese për mjekësinë.
– Në fakt, mjekësia po punon në këtë drejtim, por akoma nuk është arritur një mjekim i përshtatshëm me cilësi dhe rezultate të larta, për vetë proceset fiziologjike dhe për shumë gjëra akoma të panjohura. Moskryerja e orgazmës quhet anorgazmi dhe konstatohet jo pak, por te 30 % e femrave. Në 5% të tyre, kjo quhet primare; femra nuk e arrin asnjëherë orgazmën që në fillimet e veta, kurse në 25 për qind të rasteve, ajo fillon të ndjejë dhe të arrijë në orgazëm, domethënë, herë arrin, herë nuk arrin në orgazëm. Kjo ndodh kryesisht te femrat emotive, nervoze, te femrat që e kanë shumë frikë një barrë të padëshiruar, apo nuk e njohin anatominë e organeve riprodhuese. Gjithmonë, gjatë momentit seksual, duke mos u përqendruar te partneri i vet, nga frika që thamë më lart apo ndonjë shkak tjetër, femra nuk arrin në orgazëm. Është interesante që disa femra nuk e arrijnë orgazmën gjatë aktit seksual, por e arrijnë fare mirë gjatë masturbimit. Masturbimi te femrat mund të zëvendësojë deri diku një aktivitet seksual, pra, një orgazëm në aktivitet seksual. Mënyra e masturbimit ndryshon nga njëri person te tjetri, por në fund të fundit, kanë një gjë të përbashkët, ngacmimin dhe fërkimin e klitorisit. Nëse ju arrini të jeni në qejf, ndjeni kontraktim duke filluar nga legeni, që shpërndahet në gjithë në trupin, keni rrahje të forta të zemrës, shtim të frymëmarrjes, mund të nxirrni zëra të pakontrolluara dhe kjo do të thotë që jeni në fazën e eksitimit. Më pas, kur arrini orgazmën, ndiheni shumë mirë në shpirt, pra, keni një ndjesi ndryshe nga herët e tjera, që ju bën të ndiheni e lumtur, e qetë, por edhe pak e plogësht fizikisht; atëhere, kjo është orgazma. Më pas, ju krijohet një ndjesi ngrohtësie në gjithë trupin dhe rrahjet e zemrës, nga të forta që ishin në fillim, vijnë e qetësohen bashkë me frymëmarrjen.
Advertisement