E nderuar redaksi e gazetes “Intervista” dhe ju, lexues të gazetës! E lexoj vazhdimisht gazeten dhe jam tunduar pothuajse gjithmonë t’jua rrëfej historinë time. Në fakt, është një histori që duket si “e jashtëzakonshme” për realitetin shqiptar, por gjithsesi, unë po e tregoj njëherë…
Prindërit e mi mendoj se kanë qenë çift shumë i lumtur, të dashuruar sepse shoh vazhdimisht fotot e tyre të qeshur së bashku e të mendosh se vitet që ata kanë jetuar bashkë kanë qenë vite të fundkomunizmit dhe të fillimit të demokracisë, tranzicioni që përfshiu jo vetëm institucionet, por edhe shoqërinë, familjen… Ne ishim dy fëmijë. Vëllai im i madh ishte 7 vjeç, kurse unë 4 vjeçe, kur mamaja ime u sëmur. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, dashurisë dhe përkujdesjes së tim eti, ajo vdiq kur unë isha 5 vjeçe. Ikja e saj e parakohshme la jo vetëm zbrazëti, dhimbje, muzg në buzëqeshjet tona si fëmijë dhe te babai ynë, por e tronditi marrëdhënien jo vetëm me babain, por edhe mes njerëzve të mamasë dhe babait. Ishte e pamundur që ai të vazhdonte jetën i vetëm. Të gjithë të afërmit e babait filluan t’i luteshin që ai të martohej sa më shpejt, sepse nuk mund të përkujdesej për ne. Vëllai im, që ishte më i madh, në klasë të dytë, filloi të kundërshtonte e grindej gjithë kohën me të gjithë sepse dëgjonte që në shtëpi do të vinte një “mama e re”. Por jo vetëm kaq. Ai shkonte te prindërit e mamasë dhe ata, nga dhimbja e tyre, e mbushnin më shumë vëllain. Më në fund, u desh ndërhyrja e dajës, ose më saktë do them, gjakftohtësia e tij, që do t’i sillte “me këmbë në tokë” gjyshin, gjyshen dhe tezet.
– Meqë nuk ndihmoni dot, të paktën mos ngatërroni fëmijët. Kush do t’i presë kur kthehen nga shkolla, kush i ushqen, lan, kush shkon në rradhë për të blerë ushqime për ta? – e shumë e shumë arsye të tjera, që të gjitha kishin të bënin me përkujdesjen tonë, ai ua numëroi një për një…
Në fakt, askush nuk u kujtua që edhe babi ynë kishte nevojë për ngrohtësi, që të kalonte humbjen e dashurisë së tij. Prindërit e mi ishin njohur në shkollë të mesme, kishin mbaruar fakultetin e më pas u martuan. Ishin të gjitha vite në të cilat ai kishte shijuar jo vetëm përkujdesjen dhe dashurinë, por edhe kishte patur në krah një grua të bukur e të fortë. E kështu hallet, kërkesat, kushtet apo vuajtjet, quajini si të doni, me të cilat u përballëm të tre, ishin vërtet të dhimshme. Vetëm dikush që e kalon vetë, mund ta besojë. Problemi nuk qëndronte thjesht që të gjente një grua, por i duhej të gjente një grua “të ngjashme” me dashurinë e tij të parë, që të ndihmonte jo vetëm fëmijët, por edhe atë vetë.
Mes gjithë kësaj zallamahie në familjen tonë, unë e vëllai vazhdonim shkollën, ai në klasën e katërt e unë në të parën, kurse babai në punë. Mbasditeve, babai përpiqej të kthente në shtëpi pak harmoni e humor, por ishte shumë e vështirë, derisa unë zura një shoqe në klasë.
Shoqja ime e bangës banonte jo shumë larg nesh e meqenëse unë ia kaloja mirë me të, babai më linte të shkoja në shtëpinë e saj. Jo vetëm shoqja më pëlqente, por edhe prindërit e saj më trajtonin ndryshe, duke e ditur që mamaja ime kishte vdekur. Komshia e tyre, e cila pinte kafe në shtëpinë e shoqes sime, gjithashtu më afronte e më përkëdhelte me shumë dashuri. Një ditë dimri, kur shiu po binte si me gjyma, komshija më përcolli me çadër deri në shtëpi. Derën e hapi babai. Në atë kohë nuk e kuptova pse ata të dy ngrinë ndërsa shihnin njëri-tjetrin, por nuk flisnin. Më në fund, foli ajo, i tha se kush ishte dhe se erdhi të më përcillte që të mos lagesha. Babai e përshëndeti, e falënderoi dhe mbylli derën. Nuk e dija që një ditë shiu do të ndryshonte jeta jonë. Atëhere isha e vogël dhe nuk e kuptoja, por sot është ndryshe. Komshija e shoqes së bangës ishte divorcuar pas 5 vitesh martesë sepse Zoti nuk i kishte dhënë fëmijë dhe ishte kthyer në shtëpinë e prindërve të saj. Më duket se në këtë rast, na buzëqeshi fati jo vetëm mua e vëllait, por edhe babit tonë. Ata filluan të takoheshin derisa në fund na thanë që kishin vendosur të martoheshin dhe se ajo do të ishte mama jonë “e re”. Mua më pëlqeu kur e dëgjova sepse e njihja, kurse vëllai nuk e priti mirë, por me kujdesin që gruaja e re e babait tregonte për të respektuar “kufjtë” e tij, gjërat u përmirësuan. Ne u rritëm të lumtur, do thoja, pavarësisht mungesës së nënës tonë biologjike. Njerka e zëvendësoi shumë mirë atë. Gjithë dashurinë që një grua mund të ketë për fëmijët, ajo na e dhuroi me shumë bujari, u përkujdes për ne që të ishim të parët në shkollë, që të edukoheshim e të rriteshim të shëndetshëm. Dashuria e kujdesi i saj për ne, bëri që atë ta donte jo vetëm babai, por edhe kushërinjtë e mi, prindërit e mamasë e të gjithë njerëzit. Edhe komshinjtë e reflektonin respektin për të. Ne, fëmijët, ishim të lumtur që edhe mund t’i thërrisnim dikujt mama si gjithë fëmijët e tjerë. Në shkollë, ecëm shumë mirë. Vëllai mbaroi për Inxhinieri e unë për Sociologji. Sot jemi të martuar që të dy, jemi të lumtur në familjet tona, të lumtur të shkojmë të takojmë prindërit dhe njerka-engjëll, shumë e lumtur që u bë gjyshe, çdo mbasdite mban djalin e vëllait sepse nusja është në punë.
Thonë që Zoti me njërën dorë të hedh e me tjetrën të pret. Kjo ndodhi edhe me ne…