Të mos vraposh gjithë kohën, për t’u lënë pak më shumë vend gjërave thelbësore; ky është arti i të jetuarit për disa dhe një objektiv i vështirë për t’u arritur, nga të tjerë. Testi ynë ju ndihmon të kuptoni se çfarë ju pengon të gjeni kohën e duhur për vete dhe për gjithçka që doni të bëni, që të arrini harmoninë në jetën tuaj.

1. Ndjenja e urgjencës shkakton te ju:
a. Zemërim: Nuk jam i/e organizuar
b. Dëshpërim: Nuk kam për t’ia dalë kurrë.
c. Panik: Nga t’ia filloj?
d. Eksitim: Një sfidë e re!

2. Në një ditë me devizën «Të mos bëj asgjë», çfarë bëni ju?
a. Reflektoni
b. Ëndërroni
c. Flini
d. Vini rrotull

4. Lënia e gjërave për më vonë, shërben edhe për…
a. …të mësuar atë që nuk di
b. …t’u shpëtuar punëve të detyrueshme
c. …të bërë një pauzë
d. …të bërë shumë gjëra njëherësh

5. Të kesh më shumë kohë për veten, por për çfarë?
a. Për të menduar më mirë për të ardhmen.
b. Për t’u kujdesur më shumë për të tjerët.
c. Për të shijuar më shumë momentin e tanishëm
d. Për t’u kujdesur më shumë për veten

6. Të punuarit në shtëpi kërkon:
a. T’u rezistosh tundimeve të jashtme
b. T’u vësh kufi njerëzve që të rrethojnë
c. Të caktosh prioritete të vërteta
d. T’i caktosh vetes orare

7. «Nuk kam kohë». Çfarë ndjenje apo emocioni i bashkangjisni këtij pohimi?
a. Përtaci
b. Ndjenjë faji
c. Konfuzion
d. Eksitim

8. Ju u bëni barrikadë njerëzve që jua hanë kohën kot:
a. Duke mos i takuar
b. Ah, sikur të kishit një zgjidhje!
c. Duke shumëfishuar justifikimet për t’iu larguar
d. Duke u marrë kohën e tyre

9. Çfarë shtrembërimi do t’i bënit kohës, nëse do të kishit mundësi?
a. Ta ndalnit
b. Ta ngadalësonit
c. Ta shumëfishonit
d. Ta përshpejtonit

10. Cili nga citimet e mëposhtme ju zgjon një ndjesi të veçantë?
a. «Të duash të fitosh kohë është kohë e humbur!» Pol Moro.
b. «Kohë e humbur është koha kur je në mëshirën e të tjerëve», Boris Vian
c. «Kohë pas kohe, duhet të bësh një pauzë mes të bërit asgjë», Zhan Kokto.
d. «Vetëm koha nuk humbet kohë», Zhyl Rënar.

11. Ç’kafshë do të zgjidhnit si mbizotërues të kohës:
a. Shqiponjën
b. Macen
c. Ariun
d. Peshkaqenin

Rezultatet
Nëse keni më shumë a. Ju keni nevojë të keni gjithçka nën kontroll
«Merreni shtruar» është një shprehje së cilës ju nuk keni dëshirë t’i përgjigjeni. Ju nuk e shihni këtë si mundësi për të shijuar momentin e tanishëm, por si një rrezik: Duke u ngadalësuar, do t’jua kalojnë të tjerët dhe nuk do të ecni me ritmin e kohës. Për këtë arsye, e keni të vështirë t’i lini gjërat për më vonë. Ju jeni i organizuar, punoni me tru dhe nuk u besoni emocioneve e mungesës së kontrollit që ato shkaktojnë. “Të veprosh duke menduar dhe të mendosh duke vepruar”, është deviza juaj. Kështu, jeni gjithmonë aktiv, por kurrë i mbytur me punë. Ndjesia se mund ta komandoni kohën tuaj, ju bën të ndjeheni mirë dhe ju jep përshtypjen se jeni i pavdekshëm. Çdo orë e jetës suaj duhet të ketë kuptim, të jetë e justifikuar me një nevojë (çlodhje, kënaqësi), ose t’i shërbejë një objektivi të caktuar. Ankthi juaj për të pasur rendiment, mbase i ka rrënjët në një familje, në të cilën pritej që fëmijët të kishin sukses shoqëror, për të zbutur dështimet e prindërve (qofshin ato realë, apo të përjetuar si të tillë), ose që ata të siguronin vazhdimësinë (ekonomike, intelektuale, artistike).
Për të filluar ndryshimin: Rikthehuni në kohë për të gjetur dëshirat, qëllimet dhe objektivat që jua kanë mbytur apo kundërshtuar në fëmijëri. Qëllimi është të identifikoni pjesën e dëshirave që ekzistonte më parë te ju dhe që më pas e keni braktisur, për ta ringjallur. Mund të praktikoni aktivitete «falas» ose duke u sjellë më afër asaj pjese tuajës që është lënë në hije (spontaneitet, botë e brendshme, hapjes ndaj të tjerëve, etj.).

Nëse keni më shumë b. Ju i lini të tjerët të përfitojnë nga ju
Ju jeni gjithmonë gati kur ju kërkojnë, pa hezituar asnjë moment. Në punë, në çift dhe familje, me miqtë, deviza juaj mund të ishte ajo e pionerëve të Enverit: “Gjithmonë gati!”. Kështu, pra, jeni gati t’u shërbeni, të dëgjoni, të këshilloni dhe të jepni, pa llogaritur energjinë, kohën tuaj dhe nganjëherë, edhe paratë. Nuk është çudi që ngrihen në qiell vazhdimisht bujaria, ndjeshmëria dhe… gatishmëria juaj. Nuk është edhe çudi që ju ankoheni se nuk keni kurrë kohë. Mbase në fëmijëri keni luajtur rolin e njeriut të besuar, të atij që duhej të kujdesej për prindërit, apo vëllezërit dhe motrat, duke e lënë veten shpesh në plan të dytë.
Për të filluar ndryshimin: Llogarisni, gjatë një dite, apo një jave, kohën që ua kushtoni të tjerëve (natyrën e saj, rrethanat, kohëzgjatjen), plus detyrimet e jashtme që i kemi të gjithë (punën, transportet, punët e shtëpisë). Pastaj përpiquni të identifikoni zonat tuaja të teprimit: Dhurimin e kohës që bëhet nga zakoni, nga ndjesia e fajit, nga të qenit i dobët, apo nëse jeni në kërkim të mirënjohjes. Identifikoni më pas nevojat tuaja personale, pra, momentet që keni nevojë për vete dhe filloni të thoni «jo» qetësisht, pa u justifikuar, kur nuk keni as dëshirë, as kohë për t’iu përgjigjur kërkesave të atyre që ju rrethojnë.

Nëse keni më shumë c. Ju e keni të vështirë të caktoni prioritetet
Gjithçka ju duket e rëndësishme dhe urgjente. Me një fjalë, jeni gjithmonë i mbytur me punë dhe në të gjitha drejtimet. Si rezultat, e keni të vështirë të realizoni një projekt, ose edhe më shumë, të gjeni pak kohë për veten në gjithë këtë uragan, por kjo është e rëndësishme për të larguar konfizionin mendor që ju lodh. Pavendosmëria dhe aktiviteti i tepruar ju pengojnë të bëni një përzgjedhje mes dëshirave, nevojave dhe detyrimeve të pashmangshme të jetës së përditshme. Mbase gjatë fëmijërisë ju kanë munguar pikat e referimit afektive apo materiale, që të bëjnë të ndjehesh i sigurtë dhe i qetë në jetë. Prej këtej, rrjedh shqetësimi dhe vështirësia juaj për të caktuar prioritetet në jetë. Gati ëndërroni për një botë ku të tjerët marrin vendimet (e mira) në vendin tuaj.
Për të filluar ndryshimin: Kërkoni ndihmën e një të treti (partneri/e, një shoku, një kolegu, një trajneri) për t’ju ndihmuar ta shfrytëzoni më mirë kohën. Bëni një listë, ku të shkruani nga njëra anë dëshirat dhe nevojat tuaja (të cilën duhet ta përpiloni vetë) dhe nga ana tjetër, prioritetet dhe detyrimet (me bashkëshortin/en apo një mik).

Nëse keni më shumë d. Ju nuk rrini dot pa bërë gjë
Ju jeni gjithmonë në lëvizje, qoftë me mendim, qoftë me veprim. Ju nuk rrini dot pa bërë gjë, sepse, në mënyrë të pandërgjegjshme, ia bashkangjisni mosveprimin boshllëkut, pra, mërzisë dhe ankthit. Ju keni përshtypje se i kushtoni kohë vetes, sepse ky ritëm jete, mendoni se është një zgjedhje juaja. Sigurisht, ky lloj ritmi lodh nganjëherë ata që ju rrethojnë dhe juve vetë, por ai ju bën edhe shumë krijues. Jeni kureshtar e i hapur dhe mendja juaj është një uzinë e vërtetë idesh dhe projektesh. I vetmi problem është se realizimi i tyre e pëson shpesh nga tendenca juaj për të ngatërruar shpejtësinë me nxitimin. Projektet tuaja do të dilnin më mirë nëse do të ishin më të pjekur, të punuar etapë pas etape, gjë që do t’ju jepte kohën për të identifikuar në momentin e duhur pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Edhe jeta juaj sentimentale vuan nga e njëjta mungesë: Ju shumëfishoni takimet dhe shkëmbimet, por rrallë mendoni për t’i thelluar.
Për të filluar ndryshimin: Investoni pak nga energjia juaj brenda vetes. Pyesni veten, me ndihmën e një të treti, pse keni kaq nevojë për aktivitete dhe shpejtësi? Kujt i largoheni? Çfarë kërkoni? Nëse e kuptoni se çfarë ju shtyn të veproni gjithnjë e më shumë e më shpejt, do të bëni zgjedhje të vërteta, të ndaloni pa u ndjerë të kërcënuar dhe të ndërgjegjësoheni për veten e për të tjerët, duke u ndalur më shumë te «këtu dhe tani». Praktikoni meditimin me ndërgjegje të plotë sepse kjo mund t’ju ndihmojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *