Ne jemi dy shoqe. Unë quhem Hajdi dhe shoqja ime, Ester. Një fundjavë, unë dhe Esteri vendosëm të shkonim në një diskotekë. Do të shkonim të dyja, pasi Esteri ishte ndarë nga i dashuri para tre muajsh dhe donim që të zbaviteshim pak. Unë në atë kohë nuk kisha të dashur. Vendosëm të shkonim në një diskotekë, në të cilën nuk kishim vajtur më parë e ku mund të njihnim njerëz të rinj. Sigurisht, tani unë mallkoj veten pse zgjodha atë diskotekë. Nuk kishim për qëllim të lidheshim me dikë, vetëm të ndjeheshim mirë, të zbaviteshim, sidomos Esteri, e cila kishte vuajtur shumë nga ndarja. Në fillim, ajo as nuk donte të dilte nga shtëpia, por pak nga pak filloi ta rimerrte veten dhe vendosi të dilte me mua.
Në disko kërcyem shumë dhe, kur ndonjë djalë afrohej të na qeraste, sepse e shihte që ishim vetëm, refuzonim dhe i thoshim se ishim duke pritur të dashurit tanë. E dija që Esteri nuk donte të lidhej me askënd dhe në të vërtetë, po zbaviteshim shumë. Sa për të pirë, pimë fare pak, sa për nxemje, sepse nuk jemi nga ata tipat që shtrohen me alkool.
Aty nga ora një e mëngjesit, na u afruan dy djem simpatikë dhe të këndshëm. Dua të them se nuk ishin si ata tipat e zakonshëm të diskotekave, jargavecë dhe të ngjitur. Kërcyen me ne, bëmë shaka dhe po ndjeheshim mirë në shoqërinë e tyre. Në vend që të iknim, vendosëm të rrinim edhe pak. Më i gjati, që kërcente me mua, më pyeti nëse do të pija diçka dhe unë i thashë të merrte ç’të donte për mua. Ndërkohë, edhe shoqja ime, Esteri, dukej se po kënaqej në shoqërinë e atij tjetrit. Pas pak u ulëm të pinim diçka dhe gjatoshi u kthye pas pak me dy gota në dorë. Na tha se ai banakieri na kishte përgatitur një koktejl që s’e kishim pirë kurrë. Gotat ishin të vogla dhe vendosëm ta provonim, thjesht nga kurioziteti. Për më tepër, kishim edhe etje. Vura re një shije të çuditshme, por nuk ia vura shumë veshin, sepse nuk isha mësuar me koktejle dhe mendova se kushedi çfarë përbërësish kishte brenda. Gjëja më e keqe, mendoja unë, do të ishte të dehesha, por vendosa ta pija pak nga pak, që të mos më binte në kokë. Ah, sikur të kishte qenë vetëm kjo! Pas disa minutash, Esteri, që në përgjithësi është tip i qetë, dukej më e shpenguar. Edhe unë ndjehesha euforike, bile fillova t’i bëja pyetje vetes pse po ndodhte kjo. Megjithëse kisha pirë fare pak pije e ndjeva veten si të dehur, në atë masë sa filluan të më dridheshin këmbët. Për këtë arsye, kur ata na ftuan të shkonim në një disko tjetër, nuk refuzova. Dolëm të katërt duke kënduar dhe duke na u marrë mendtë, hipëm në makinën e tyre. Pastaj, më kujtohet vetëm se më merreshin mendtë dhe nuk i njihja rrugët nga po kalonim. Esteri vazhdonte të këndonte derisa tha se donte të villte. Ndaluan makinën dhe unë desh bëra të njëjtën gjë. Mblodha forcat për t’u kërkuar të na çonin në shtëpi sepse nuk ndiheshim mirë. Pastaj u qetësova dhe gjëja e fundit që më shkoi në mendje, para se të humbisja ndjenjat, ishte si do të më çonin në shtëpi, kur unë s’u kisha dhënë adresën.
Më pas, nuk mbaj mend asgjë. Ishte mesditë kur u zgjuam në një motel. Ishim vetëm, të dyja. Unë ndjehesha pak më mirë se Esteri dhe mbasi e mora veten, vajta poshtë të pyesja se ku ndodheshim. M’u përgjigjën që kishim ardhur natën bashkë me dy djem që ishin ngjitur në dhomë me ne. Nuk e ndjeva veten mirë përsëri. Pak nga pak, po bëhej e qartë në mendjen time arsyeja e ardhjes në atë vend. Ata djemtë kishin përfituar nga dehja jonë dhe na kishin përdhunuar. Këtë e vërtetova edhe më vonë, kur u futa të lahesha në dush. Kisha njolla të zeza mes kofshëve. Ishte një ndjesi tmerri dhe, duke gjykuar nga irritimi që ndjeja në organet gjenitale, e kuptova se kishin abuzuar disa herë me ne. Na kishin dhënë drogë që të na dehnin, pastaj kishin bërë ç’të donin me ne.
Ndjehesha në faj dhe nuk dija kujt t’ia thoja atë që kishte ndodhur. Fajësoja veten pse kisha pranuar të afrohesha me ata djemtë që nuk i njihja. I telefonova Esterit dhe ajo më tregoi se i kishte ndodhur e njëjta gjë dhe ndihej aq e trembur, sa nuk donte ta merrte vesh asnjeri. Kaluan kështu disa ditë. Njëherë mendova të shkoja në polici për t’i denoncuar, por kisha frikë se ata do të na gjykonin keq. Për më tepër, nuk e dinim kush ishin ata djemtë. Një mbrëmje ia mbusha mendjen Esterit të shkonim përsëri në atë diskotekën ku kishim takuar ata djemtë, se mos i shihnim ose merrnim vesh kush ishin. Në këtë rast, do t’u thoshim nja dy shokëve tanë që të merrnin hak… Ata qelbanikë nuk duhet ta kalonin këtë situatë pa u lagur! Në fakt, nuk i gjetëm atje dhe kur pyetëm ata të diskos thanë se nuk i mbanin mend, se atë natë kishte qenë hera e parë që vinin. Shkuam edhe herë të tjera në disko, se mos i takonim, por më kot. Duhet të jenë trembur dhe nuk shkojnë më në atë disko. Ata janë akoma jashtë, kur e meritonin të futeshin në burg për atë që bënë. Sigurisht, faji qe edhe i yni, që ua lejuam. Që nga ajo natë, ngrihem shpesh në mes të gjumit e bërë qull në djersë. Shoh ëndrra të tmerrshme. Sigurisht, edhe jeta seksuale që bëjmë tani nuk është më njëlloj si më parë. Esteri ndjehet akoma më keq. Ajo u rilidh përsëri me të dashurin e saj, por u nda, sepse atij i dukej sikur ajo kishte ndryshuar. Askush nuk e di në shtëpinë time këtë që ka ndodhur, përveç mamasë, e cila u mërzit shumë kur e mori vesh. Unë mendova ta tregoja këtë histori timen dhe të shoqes sime në gazetë, vetëm që të mos e pësojnë edhe vajza të tjera si unë.
Advertisement